Shkrimtari dhe diplomati promovoi para pak ditësh librin e tij “Shënime nga Shkolla e Partisë”. Gumeni nuk pranon t’i quajë kujtime, duke theksuar se sjell një roman, por është një rrëfim për diktaturën, vuajtjet, telat me gjemba e qelitë e ngushta
Vetëm pak ditë më parë, Daut Gumeni promovoi në Tiranë librin e tij “Shënime nga Shkolla e Partisë”. Ish i burgosur politik, shkrimtar dhe diplomat, sjell dëshminë e tij mbi një kohë që është diskutuar dhe vazhdon të diskutohet sot. Ndoshta për rastësi, libri i tij iu propozuar lexuesit në këto ditë kur fjala “i burgosur politik” gjendet gjithandej në shtypin e shkruar, dëgjohet në televizion, por edhe në biseda stolash a kafenesh. Grevë, diktaturë, vuajtje, flijim…Daut Gumeni i ka thënë paksa të gjitha në këtë libër, i sjellë në treg nga shtëpia botuese “Dudaj”. Gumeni nuk pranon t’i quajë kujtime, duke theksuar se sjell një roman që shtjellohet në pesë tablo: “Kalaja”, “Këneta”, “Miniera e Pirustëve”, “Qilari i kasapëve” dhe “Balena prej betoni”. Me gjithë insistimin e tij, lexuesi vështirë t’i bindet përkufizimit të autorit. Edhe pse ka tentuar “karremin” e stilit letrar, ato që rrëfehen për gjyqet, për hetuesit që skërmicin dhëmbët, për hekurat e qelive, për “trashëgimtarët” që zhdukeshin, për “dënimin që i dha populli”, për ata që i hakërreheshin në fytyrë e i thoshin të mbyllte gojën se gjithçka e kishin nga Shkolla e Partisë, mund të vijnë të tilla vetëm nga lëkura e një protagonisti. Në paraqitjen e librit nuk mungonin ata që kanë ndarë vuajtjen me të, që kanë ndarë ambientin e ngushtë të qelisë, siç ka qenë edhe Spartak Ngjela, i cili i botoi para Gumenit dëshmitë e tij për burgun. Një nevojë për të rrëfyer dhe për të thënë të vërtetat e tyre. “Në këtë libër mundohem të rrëfej për ju një pjesë të gjatë të asaj jete të thurur mbase më shumë me fillin e hekurt të telave me gjemba, sesa me atë fillin e lehtë artistik që është gjithnjë i nevojshëm për ta bërë leximin tuaj më pak të lodhshëm e, mbase, edhe për t’i dhënë asaj jetës në Shkollën e Partisë edhe një fije jetë më shumë. Të rendim pak tok nëpër terr pas bukurive… Po rastisi që dikush mund të shohë shumë ngjashmëri me ndonjë nga personazhet e këtyre shënimeve, nuk kam ç’i bëj unë që ne vdekatarët ngjajmë me njëri-tjetrin. Madje, thonë se secili prej nesh ka në këtë botë dhe sozinë e vet”, shkruan Gumeni. Këto fjalë të cituara nga parathënia, paraprijnë frymën me të cilën është shkurtuar i gjithë libri. Një stil që thumbon me lezet. “Satira e mprehtë dhe elegante, thellësia, pasuria e ideve, bukuria e parashtrimit dhe e shtjellimit të tyre, qartësia e gjykimeve etike, politike e filozofike, origjinaliteti i rrëfimeve, gjuha brilante aq e begatë, mendoj se e bëjnë veprën të veçantë e një ndër më të arrirat e letërsisë së sotme shqipe. Autori na sjell të gjallë, ashtu të llahtarshëm, Ferrin që ngriti regjimi komunist i Enver Hoxhës ndaj të dënuarve politikë! Dhe ky Ferr, ndryshe nga Ferri dantesk, ndëshkimin e kishte si në Rrethin e Nëntë! Libri është një dëshmi tronditëse e terrorit dhe e krimit shtetëror, por mbi të gjitha e qëndresës burrërore e heroike të atyre mijëra shqiptarëve që aspironin dhe therorizoheshin për lirinë, shkruan Ylli Hoxhaj për librin. E nëse çdo lexim është subjektiv, e mbart pa dashje edhe gjykimin, Daut Gumeni i ka paraprirë këtij rasti duke theksuar se “E di që shumë gjëra mbase do t’i bëja më ndryshe, po të mund t’i nisja këto shënime edhe një herë nga e para, sikurse e di që kjo tashmë është e pamundur. Duke e hapur për gjykimin tuaj atë copë të jetës së rëndë të brezit tim, uroj me zemër që brezat e rinj të mos presin të mësojnë vetëm pasi ta kenë pësuar”.
Portret
Daut Gumeni është vazhdimisht i pranishëm me opinionet e tij në aktualitetin e sotëm shqiptar. Cila ka qenë jeta e tij? Pse përfundoi në burg? Katër vjet më parë, në gazetën “Shqip”, Ylli Polovina shkruante gjerë e gjatë mbi Daut Gumenin si personazh. Po shkëpusim vetëm pak fragmente, për të ndërtuar në vija të përgjithshme historinë e tij. “Pasi i hapën dosjen për politikë që katërmbëdhjetë vjeç u përpoqën t’ia mbushnin atë për një dekadë të tërë. Kur gjykuan se tashmë nuk mund të pritej më, e arrestuan në vitin 1967, kur ishte njëzetë e katër vjeç. Ishte mësues. E prangosën pikërisht si mësues. Nga regjimi mendohej se nuk ishte njëlloj të përfaqësoje një “armik” në një skaj zyre kooperative si normist dhe të ishe mësimdhënës në një shkollë qyteti të madh apo fshati të largët. Ligji në fuqi ndalonte “agjitacionin dhe propagandën kundër pushtetit popullor”. Të përjashtuar nga e drejta të botonin libra, të shkruanin në gazeta apo të flisnin në radion e vetme të shtetit, diktatura kishte dalë në përfundimin se pozicioni më i rrezikshëm i kundërshtarëve të saj ishte mësuesia… Në hetuesi sigurisht që i thanë se kishte tentuar për arratisje. Pastaj pati bërë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. I thanë se ishte “armik”. Por as ai nuk priste një akuzë më të lehtë. Ai i ngjante të atit. Babai i tij që në kohën e luftës nuk i kishte simpatizuar komunistët. Ishte shumë dakord me mobilizimin e tyre kundër pushtuesit, por krejtësisht qe kundër për sistemin shoqëror që donin të vendosnin në Shqipëri…Duke qenë se Daut Gumeni i ngjante të atit, pra edhe pse nuk e donte regjimin bënte kujdes të respektonte e zbatonte ligjet, shkeljet sidoqoftë iu gjetën. Ishin dy fletore. Në njërën prej tyre kishte poezi. Në krye ishte Fan Noli. Pas Nolit ishte Bajroni dhe pas tij Gëte. Të gjithë ata poetë hetuesi i akuzoi si borgjezë. Edhe Bajroni ishte për të borgjez i poshtër, por thjesht nuk ishte aq i fëlliqur sa Gëtja. Këtij Daut Gumeni, të shpallur politikisht armik, hetuesit i thoshin “Po përse në këtë bllok nuk ke asnjë këngë për partinë? Ka plot nga këto këngë”. “E di”, përgjigjej, “Ato po thyejnë dhogat e festivaleve, por unë nuk i mbledh, sepse janë këngë kooperativash”. Kur luftën me dy fletoret nuk i nxorën dot fitimtare iu qepën një libri që ja patën gjetur në shtëpi. Ishte “Fjalori” i Kristoforidhit i vitit 1902. Akuzuesit e pyetnin pa u lodhur përse ai fjalor nuk ishte shkruar edhe në shqip, por i gjithë, bashkë me shpjegimin e fjalëve, vetëm në greqisht… Pas gjyqit të parë, ku prokurori kërkoi 25 vjet burg dhe gjykatësi la njëzetë, duke u justifikuar se i pandehuri ishte moshë e re dhe kishte mundësi të korrigjohej, Daut Gumenit iu bë një riarrestim dhe për pasojë edhe një gjyq e dënim tjetër. Iu zhvillua në Tepelenë, në vetë vatrën e Brigadës së Ndjekjes. Ky gjyq i dytë ndodhi në mars 1970 dhe ndryshe nga i pari, u bë posaçërisht publik. Gjyqi i dytë i Daut Gumenit zgjati tri ditë. Më 25 mars ia bënë në mjedise të mbyllura, brenda në Degën e Punëve të Brendshme, duke i ushtruar presion që gjatë seancave të hapura të “rrinte urtë”. Kur menduan se mbase e tutën ndopak seanca e dytë e bë në Shtëpinë e Kulturës të Tepelenës më 26 dhe 27 mars. Ishte ndërtuar në formën e një spektakli kundër “armikut të klasës”… I futur në burg në 27 qershor 1967 Daut Gumeni doli në liri vetëm më 7 gusht 1990.