Ilir Shyta


Poeti i njohur shqiptar, Dhimitër Pojanaku, fitues i shumë çmimeve poetike kombëtare dhe ndërkombëtare, sapo është botuar në Athinë në gjuhën greke. Vëllimi poetik titullohet “Pylli lëviz në muzg” dhe përmban 100 poezi, botuar nga shtëpia botuese e Kostas Valetas. Poezitë janë përkthyer në gjuhën greke nga Niko Kacalidha dhe Dhori Qiriazi, me një parathënie nga poetët grekë Panajotis Argjiropulos dhe Melita Karasaliu. Vëllimi përmban edhe disa poezi të reja, veçanërisht ato kushtuar Selanikut, qytetit të preferuar të autorit. Pas botimit “Shtëpia ime rrotullon qiellin” në Bukuresht, në gjuhën rumune, përkthyer nga Luan Topçiu, ky është botim i dytë i plotë i Pojanakut në gjuhë të huaj. I pyetur rreth këtij botimi Pojanaku u shpreh: “Ballkani është një vend i pasur në fushën e kulturës. Është kënaqësi të përkthehesh në gjuhët ballkanase, sidomos të fqinjëve, sepse jemi kaq afër dhe duhet të njihemi! Ndaj dëshiroj të përkthehem edhe në gjuhën maqedonase, serbe etj. Poeti Panajotis Argjiropulos, do të shkruante për librin dhe Pojanakun: “Poezia e Pojanakut ka një lirizëm dinamik, ndërthurur me ngarkesë shpirtërore dhe lojën e zgjuar të fjalëve. Prerja origjinale e vargut i jep ton dramacitetit. Optika e veçantë e shumë poezive e nxjerr lexuesin nga kufijtë e zakonshëm duke i dhënë mundësi ta interpretojë poezinë me këndvështrimin e vet, gjerë dhe shumanshëm”. Shkrimtari Ardian Christian Kyçyku, shkruan: “Të rrallë janë poetët e shqipes, të cilët e shohin botën me një shqetësim kaq të rafinuar. Pojanaku nuk di të qahet, nuk di të ndërkryhet sipas kanuneve letrare tashmë të mykura, nuk synon ta shndërrojë këtë botë të ndërtuar keq apo të rrënuar mirë. Hidhërimi i tij krejt i veçantë, thelbësisht poetik, e fton lexuesin në fortesën e poezisë dhe që brenda saj, i hap një sy nga ku bota mund të shihet vetëm përmes shpirtit të poetit”. Nga ana tjetër, poeti dhe studiuesi Bujar Plloshtani, cilëson se “Pojanaku është poet bodlerian, skalit vargun me konkurrencën e mendimeve të thella, gjithnjë duke futur një kohë poetike vetëm për të ndërtuar një poezi”. Krahas lirikave që janë botuar tashmë në Athinë, Pojanaku pritet të çojë për botim vëllimin më të ri. Ende nuk dihet nëse do ta botojë në Tiranë, Shkup apo Pogradec, ku botoi “Gurët zbardhin natën”, që i dha Pojanakut  “Pendën e Argjendtë” në vitin 1993.


*Doktorant në letërsi