Pas shërimit të plotë nga një tumor në gji, mbretëresha e muzikës pop feston 25 vite karrierë më e lumtur se kurrë. Me një album, një të fejuar të ri dhe një ide të qartë për martesën
Ashtu si bletët e çmendura, turistë nga e gjithë bota kalojnë vijat e bardha të “Abbey Road”, që u bë e famshme edhe me ndihmën e “Beatles”. Brenda studiove të regjistrimit, edhe ato mitike, bukuroshja Kylie Minogue (një nga vajzat më simpatike dhe më bujare që mund të takohen) po i jep dorën e fundit albumit. Pop-stari australian do të festojë 25 vjet karrierë (janë 25) me këngët e saj më të famshme, duke nisur nga hiti i saj i parë “Locomotion”. Cilat ishin ëndrrat e saj atëherë kur e regjistroi? “Sigurisht jo në këtë shkallë. Gjithçka erdhi hap pas hapi: interpretova në një telenovelë (‘Neighbours’, me Russell Crowe), isha e lumtur që kisha një punë të rregullt. Në fund të fundit, nuk ishte aq keq të ishe aktore, pasi kisha përfunduar shkollën. Madje ishte e mrekullueshme, nëse mendon se pjesa më e madhe e aktorëve janë të papunë. Kur regjistrova ‘Locomotion’ i kisha sytë plot shkëlqim. Por kisha frikë për atë që mund të ndodhte më pas”. Por gjithçka funksionoi dhe Kylie nuk di të tregojë përbërësit e recetës magjike. Ajo thotë se është një person shumë optimist, pozitiv: “Një pjesë e mirë e kësaj merite i takon familjes. Nuk jam rritur në ndonjë ambient të dhunshëm. Prindërit e mi e nisën gjithçka nga zero: babai kishte dy angazhime, punonte edhe natën, mamaja qëndronte në shtëpi (Kylie ka lindur në Melburn nga një baba irlandez dhe një baba nga Uellsi). Nuk vij nga një familje e pasur, nga shoqëria e lartë, por nga një bërthamë e thjeshtë dhe me shumë dashuri. Pra merita për gjithë këtë u takon prindërve. Le të jemi të qartë, nuk ndodh gjithnjë kështu. Ka momente kur gjërat nuk shkojnë mirë dhe unë stresohem. Por këtë, nuk ia tregoj kurrë të tjerëve. Kam shumë arsye për të qenë e lumtur, por jeta është një sipërmarrje e vështirë. Çfarë mund të bëjmë?”.
Në 2005-n, zbuloi se kishte një tumor, dhe nga ajo përvojë, Kylie thotë se ka nxjerrë shumë mësime të vlefshme. “Të ndodh shpesh të dëgjosh nga njerëz të sëmurë shprehjen: po pse pikërisht mua??? I dija statistikat dhe sa i lartë ishte rreziku për gjithsecilin. Jo vetëm që më ndryshoi jetën, por forcoi ndjenjat e mia kundrejt njerëzimit: pjesa më e madhe e njerëzve janë të mirë dhe nëse ke nevojë, ke gjithmonë dikë pranë për të të ndihmuar. Edhe unë këtë bëra, lashë të tjerët të më ndihmonin”. Kur e pyet se çfarë ka në mendje për 25 vitet e tjera të karrierës, përgjigjet duke qeshur “O Zot, atëherë do të jem 69 vjeçe”. Megjithatë, sot duhet pranuar se ka 70-vjeçare në formë të shkëlqyer. “Është absolutisht e vërtetë. Një nga idhujt e mi është Jane Fonda, sot 75 vjeçe për të qenë të saktë. Ka një koncept të ri për moshën në ditët e sotme, 60-vjeçaret duken si 50, ato 50-vjeçare si 40 e kështu me radhë. Nuk është pak të zbresësh me nga dhjetë”. Për sa i përket së ardhmes, Kylie tregon se e mendon veten me një jetë të qetë e plot relaks, në një shtëpi të madhe me kafshë, për më tepër, duke ecur në drejtimin e rrymës. “Gjyshja ime, që është 92 vjeçe, ma thotë shpesh se për të qenë e qetë në jetë duhet të ecësh në drejtimin e rrymës, të kalosh vështirësitë dhe të vazhdosh. Jo të ecësh kundër rrymës”. Për sa i përket jetës private, këngëtarja tregon: “Nuk kam qenë kurrë e fejuar, por tashmë, prej katër vjetësh, jam me të dashurin tim, modelin 34-vjeçar Andres Velencoso). Një lloj mrekullie, një rekord për mua. Jemi të lumtur, ai është njeri i mirë, përveç të tjerave”. Receta e suksesi për lidhjen e saj tregon se varet nga fakti se Andres ndihet shumë mirë dhe nuk është i frikësuar nga fama e së dashurës. E njohim natyrën njerëzore dhe e dimë se si funksionon bota. Kemi vendosur që të mos qëndrojmë më shumë se dy javë larg njëri-tjetrit. Është një djalosh i mrekullueshëm”. Sa i përket diferencës së moshës mes të dyve, ajo thotë se nuk e ka problem. “E mendoj rrallë. Madje edhe në ditët kur ngjaj shumë e madhe, ai më thotë: Je e bukur. Është vërtet i mirë. Po ju siguroj se nuk jam aspak e këndshme. Nuk e mendoj asnjëherë që është më i vogël, por kur dua ta pyes për ndonjë gjë, kujtohem që kemi shumë diferencë. Pëlqejmë të dy të njëjtat gjëra, të thjeshta. Ushqimin e mirë dhe pushimet në breg të detit. Sa i përket martesës, ajo thotë se nuk e ka tërhequr kurrë kjo ide, as kur ka qenë në moshë të re. Nuk e ka ëndërruar asnjëherë fustanin e bardhë. Në fund, përveç muzikës, Kylie tregon edhe pasionet e saj të tjera: di të gatuaj, të punoj me shtiza, të dizajnoj modele. Po ashtu di të luaj mirë bilardo dhe bouling. Të gjitha nga pak, për ta bërë jetën e saj më të lumtur.