Fitorja me vlonjatët, “dhurata” e Besës për Ilir Dajën. Kukësi barazon në Peqin


Besa fiton 1-0 me Flamurtarin dhe e fut në krizë rezultatesh skuadrën që drejtohet nga Julian Rubio, duke iu bashkangjitur Skënderbeut në krye të renditjes. Goli i shënuar nga Malinic që në pjesën e parë, u dha tri pikë të arta kavajasve që rikthimin në Superiore po e përjetojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ky takim i zhvilluar nën dritat e projektorëve tërhoqi vëmendjen maksimale të publikut vendas, që kishte mbushur shkallët e stadiumit si asnjëherë tjetër, fakt që tregon se skuadra e Ilir Dajës ka bërë një punë serioze dhe po i rrit pretendimet e saj. Ndeshja nisi me ritëm të lartë, me aksione të shpejta nga të dy krahët, por sulmi kavajas, me në krye kosovarin Bernard Berisha ka më shumë rrezikshmëri. Në minutën e 18, Malinic, i gjendur i vetëm në zonë, nuk e kishte të vështirë për të mposhtur portierin Koliqi, pas një topi të harkuar nga e majta. Në këtë rast, mbrojtja mike u shfaq krejtësisht e shpërqendruar, e vendosur në mënyrë të gabuar. Me gjithë përpjekjen e vlonjatëve për barazimin e takimit, 45 minutëshi i parë mbyllet në favor të vendasve. Në pjesën e dytë, Rubio u mundua të ndryshonte diçka me futjen në lojë të sulmuesit Pepa dhe mesfushorit Zeqiri, por sërish në fazën sulmuese kuqezinjtë tregojnë shumë dobësi, çka u reflektua thjesht me qarkullim topi, por pa shumë rrezikshmëri. Në minutat e fundit, Flamurtari bëri gjithçka për të shënuar golin e barazimit, madje duke lënë shumë hapësira prapa, por që nuk u shfrytëzuan si duhet nga Besa nëpërmjet kundërsulmit. Kjo fitore ishte dhurata më e bukur që verdhezinjtë i bënë për ditëlindje trajnerit Ilir Daja, i cili theksoi në përfundim të këtij takimi se merita u shkon ekskluzivisht djelmoshave të Besës, që japin gjithçka në stërvitje dhe në ndeshjet zyrtare.


Në ndeshjen tjetër të kësaj jave mes Bylisit dhe Luftëtarit, ballshiotët kanë gjetur më në fund suksesin në shtëpi, duke fituar pastër 2-0, në një takim që foli vetëm për skuadrën vendase, që duhet të kishte shënuar më shumë gola, duke pasur parasysh rastet e shumta të krijuara në portën e Selimajt. Pjesa e parë ishte më e ekuilibruar, pasi Luftëtari mendoi më shumë për mbrojtjen, duke mos u lënë hapësira sulmuesve vendas. Shkëndijat që dhanë Bakiu dhe Arbri për Bylisin, por edhe kundërpërgjigjja e Ramadanit, do të paralajmëronin ndryshimin e rezultatit, që do të vinte në minutën e 43-të, kur Izucuku goditi fort me kokë brenda zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi Selimajt. Bylis shkoi në dhomat zhveshjes me qetësinë që i dha goli i avantazhit, por skuadra e Agim Canajt nuk do të kënaqej me kaq. Vetëm pak minuta nga fillimi i pjesës së dytë, Meto devijoi saktë për në portë një krosim nga e djathta, duke i çuar shifrat në 2-0. Pas golit të dytë, Luftëtari u duk krejtësisht i demoralizuar dhe pa forcën e duhur për ta rrezikuar portën e Frashërit. Dhe sikur të mos mjaftonte epërsia e dyfishtë e mallakastriotëve, skuadra e Nevil Dedes mbeti me 10 lojtarë, pas dëmtimit të Llukës, në një moment kur ishin kryer të gjitha zëvendësimet. Në fund të 90 minutëshit, pati momente tensioni, mes Arbrit dhe serbit Nikoliç, ku u përfshinë futbollistë të të dyja skuadrave, çka e detyroi gjyqtarin të nxirrte tri herë kartonin e kuq për Nikoliç, Arbrin dhe Arifajn.


Në Peqin, Kukësi konfirmoi se mbetet skuadra për t’u mundur, pasi barazoi 1-1 me Shkumbinin vendas. Golit të Gerhard Progrit për verilindorët iu përgjigj sulmuesi Mustafaj, një ndër lojtarët më cilësorë të skuadrës së Maganit.


ss