Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka zhvilluar paraditen e së dielës takime me tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre tek tregu Çam. Rritja drastike e çmimeve dhe taksave, rënia e fuqisë blerëse, ishin disa nga shumë shqetësimet e tregtarëve.


“Ka rënë në zero fuqia blerëse, nuk arrijmë të mbajmë familjen dhe nuk nxjerrim dot bukën e gojës”, thotë një prej tregtareve. Kryesocialisti Rama u premtoi tregtarëve rivitalizimin e biznesit të vogël duke i hequr së pari taksën e biznesit të vogël. Sipas tij edhe konkurrenca e pandershme e bizneseve të pa liçensuara dhe gjobat pa fund po e dëmtojnë rëndë biznesin e vogël.


“Momenti kritik që po kalon vendi dhe ekonomia shqiptare kërkon politika të reja dhe të qarta duke filluar nga një politikë tërësisht të re për taksat. Për Partinë Socialiste, zerimi i taksës së biznesit të vogël është një emergjencë ekonomike pasi Rilindja shqiptare kalon përmes rimëkëmbjes së ekonomisë”, u shpreh Rama.


21 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)