NERTIL JOLE – Shqipëria feston këtë vit 100-vjetorin e pavarësisë dhe përkundër mënyrës sesi duhet ta priste këtë jubile kaq të rëndësishëm, rropatet në kërkim të standardeve dhe vlerave demokratike.


Për vende të tjera një vit jubilar si ky, përveçse një festë e vërtetë, do të ishte viti i refleksioneve të mëdha, ku do të numëroheshin rekordet e arritura dhe këtu nuk e kam fjalën për rekordin e Kryeministrit në not apo në ngjitjen e Murit të Madh kinez.


Ajo që duhet të ishte ndryshe në këtë 100-vjetor, është niveli i demokracisë dhe respekti ndaj ligjit, si udhërrëfyes për zyrtarët e shtetit.


Është e patolerueshme që pas 20 vjetësh nga përmbysja e sistemit diktatorial të kemi zgjedhje jo të lira e jo të drejta, siç ishin ato të vitit 2009 dhe 2011, si dhe vendime qesharake të KQZ-së apo gjykatave, të cilat udhëzohen nga politika.


Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 prodhuan një Parlament me prirje autokratike duke sjellë produkte kryesisht të njëanshme. Mjafton të dëgjosh mënyrën mediokre të drejtimit të spikeres së Kuvendit, për të kuptuar se ku është katandisur fryma e parlamentarizmit. Për të vijuar më pas te zgjedhjet lokale të 2011-s, sidomos ato në Tiranë, të cilat çuan në bashkinë e kryeqytetit një kryetar të emëruar e jo të zgjedhur, fill mbas ngjarjes tragjike të 21 janarit.


Pasojë e këtyre zgjedhjeve kanë qenë edhe deformime të tjera antidemokratike; institucione jo të pavarura, qeverisje problematike, dhe ç’është më e rëndësishmja një drejtësi lehtësisht e kontestueshme nga publiku i gjerë, për padrejtësitë e saj.


Zgjedhja e Presidentit të Republikës me makinacionet që e paraprinë, e dëmtuan edhe më shumë perceptimin për këtë institucion, si garant i Kushtetutës dhe unitetit kombëtar. Problemet ekonomike, qëndrimet shpesh kontradiktore të qeverisë, të Bankës së Shqipërisë dhe INSTAT-it, por sidomos gjendja reale e biznesit dhe ekonomisë shqiptare janë shprehje e një qeverisjeje pa vizione të qarta për ta vendosur zhvillimin e vendit në kontekstin europian e më gjerë, situatë që bie ndesh me deklaratat e Kryeministrit dhe guvernatorit. Ky i fundit, më i paguari guvernator në gjithë botën pas atij të Anglisë, por i vendit më të varfër në Europë, në vend që të bëjë ekspozenë reale të ekonomisë, të problemeve të saj të lidhura me fuqinë e ulët të konsumit, kreditë e këqija, investimet private në rënie, inflacionin, deficitin apo borxhin qeveritar fare pranë kufirit të lejueshëm ligjor, del e ledhaton nëpër konferenca shtypi politikat e paqëndrueshme të ndjekura nga qeveria, edhe në rastet kur Fondi Monetar Ndërkombëtar i kundërshton hapur ato, me deklarata të artikuluara përbri ministrit të Financave. I referohem kryesisht rritjes ekonomike të pretenduar prej qeverisë, e cila ndryshon me 6 herë, nëse do të krahasonim me parashikimin e FMN-së për vitin 2012. Pa harruar pastaj prokurimet abuzive të titullarit të Bankës së Shqipërisë, në lidhje me shpenzime paradoksale e aspak të justifikueshme, që arrijnë në disa miliona euro, ndërkohë që vendi është i zhytur në varfëri e papunësi.


E megjithatë, shqiptarët s’mund të jenë aq naivë sa t’u besojnë dokrrave të tilla, as atyre të Kryetares së Parlamentit e cila thotë se Vlora i është dukur si Gjermania verën që sapo kaloi, apo të Kryeministrit, që e përshkruan Shqipërinë si “Zvicër të rrethuar me det”, “Norvegji të vogël” apo si një nga vendet më të dixhitalizuara të botës. Të gjithë e dimë se nuk jetojmë as në Londër, as në Berlin a Paris, por në këtë vend, ku shumë shpejt rrezik nuk do ketë më as pyje, as bregdet, as lumenj, as pasuri të nëntokës, asgjë nga e përbashkëta jonë. Pse? Sepse ata që fatkeqësisht na qeverisin, nuk kanë për qëllim shfrytëzimin e tyre në funksion të së mirës publike, por kanë për qëllim vetëpasurimin e shfrenuar. Aq marrëzisht duan të pasurohen këta mjeranë, sa nuk e kursejnë Shqipërinë as kur bëhet fjalë për importin e mbetjeve nga vende të huaja, as kur bëhen pazare për të shitur detin, as kur bëhet fjalë për të shitur “Albpetrolin” të vetmen pasuri publike më të madhe të shqiptarëve te klientët më të ngushtë të Kryeministrit, dhe as kur bëhet fjalë për tregti të monopolizuara armësh, nëpërmjet pazareve mafioze me eksponentë sërbo-boshnjakë, të listave të zeza të OKB-së. Për këtë skandal të fundit, ministri i Mbrojtjes del dhe aktron pa iu dridhur qerpiku në mënyrë diletante, duke bërë propagandë shterpë për kohën e komunizmit, ndërkohë që është i zhytur kokë e këmbë në shkelje flagrante të ligjit, për të cilat në një vend normal, sot do të ishte i ndjekur penalisht.


Ndërkohë, pasiguria për jetën ka arritur rekorde të frikshme, aq sa nuk guxon të ndjekësh qoftë edhe një edicion lajmesh, pasi dëgjon lloj-lloj krimesh që të ngjallin trishtim dhe frikë. Shqipëria është aktualisht vendi me numrin më të lartë të vrasjeve në Europë. Nuk ka sesi kjo situatë të ndryshojë, për sa kohë në drejtim të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit vendosen militantë të mirëfilltë dhe ndihet mungesa e profesionistëve.


Mungesa e profesionistëve ndihet edhe në drejtimin e Kulturës dhe Sporteve në vend. Ministri është i rrethuar me skandale, që dhunojnë gjurmët e shtetit 100-vjeçar duke filluar nga mungesa totale e respektit ndaj monumenteve dhe individëve shtetformues, siç është mosreagimi ndaj qëndrimit arbitrar të kryebashkiakut të Tiranës i cili prishi për interesa klienteliste rrethimin e Pallatit të Brigadave deri te pasiviteti ndaj prishjes së një tjetër monumenti historik në Korçë.


Përkundër përpjekjes për një bilanc shtetformues pozitiv në këtë jubile, duket se gjithë energjitë e Kryeministrit të Shqipërisë dhe marionetave të tij, janë të përqendruara tek uzurpimi i institucioneve të pavarura, duke filluar nga Presidenti, gjykatat, KLSH, KLD, SHISH e Prokuroria. Sigurisht jo për të garantuar mirëfunksionimin e shtetit dhe balancimin e pushteteve, siç ndodh në vende me demokraci reale, por vetëm për të ushtruar diktat kleptokrat te të gjithë ata, të cilët besojnë se Shqipëria meriton një qeverisje katërcipërisht të ndryshme; pa “Gërdece”, pa “21 Janare”, pa falje të hapësirave detare, pa vjedhje zgjedhjesh ditën për diell, pa zhvillime që na bëjnë të ndihemi me turp dhe që përdhosin rëndë edhe Flamurin edhe hijen e tij. Dhe këtu nuk e kam fjalën për flamurin kokëposhtë nëpër vizitat qeveritare të ministrit të Jashtëm, por për atë dykrenarësh që në çdo takim protokollar, meriton të qëndrojë kokëlart, si simbol i një shteti dinjitoz.


Pështjellimi që ka pësuar logjika e Kryeministrit prej delirit të madhështisë dhe qëndrimit të tejzgjatur në pushtet, e bën atë ta shohë realitetin e hidhur jo me sytë e një qytetari a fshatari të thjeshtë, as me sytë e një studenti pa perspektivë, as si një pensionist i pasigurt për mbijetesën, por me sytë e një lakmuesi, që dëshiron ta ketë gjithçka në këmbët e tij për sa kohë është gjallë, paçka kostove marramendëse që kjo sjell për vendin dhe të ardhmen. Aq shumë e ka humbur toruan, saqë ka filluar t’iu flasë edhe fëmijëve të fillores për politikën dhe statusin e vendit kandidat në BE, duke ushtruar “dhunë verbale” mbi ta.


Shqipëria, e përgjumur nga dogmat e qeverisë së dalë prej binarëve moralë e ligjorë, në shërbim të së cilës është vënë një makineri mediatike klienteliste, duron kur Kryeministri i vendit shpërblen me taksat tona, të gjithë ata që i shërbejnë verbërisht, për t’u ndier i gjithëpushtetshëm dhe neglizhon kujdesin për shtresat më në nevojë të shoqërisë. Harxhohen shuma marramendëse për reklama dhe rezidenca qeveritare, zyra luksi, pseudo-përmendore, në vend që ato të shpenzohen për të ndihmuar tetraplegjikët, ish të përndjekurit, që nga mospërfillja e shtetit hynë në grevë urie duke kryer deri akte vetëflijuese, për të evituar kushtet e këqija për minatorët e  Bulqizës, për përmirësimin e kushteve të spitaleve dhe qendrave shëndetësore në vend, për rehabilitimin e shkollave e kopshteve dhe plot nevoja të tjera që ka jeta sociale në vend.


Dëgjuam të flitej 24 orë për çështjen e imunitetit, a thua se korrupsioni do ndalet tani që ai u hoq. Qytetarët e dinë se drejtësia është e kapur nga politika, ashtu siç është i kapur Kryeministri nga e shkuara dhe e tashmja e tij korruptive. Një Kryeministër që bredh me jelek antiplumb në temperatura 40 gradë, i frikësuar nga “mielli dhe vezët” e qytetarëve të revoltuar, e përdor debatin për imunitetin thjesht si alibi dhe e bën këtë vetëm për të larguar vëmendjen nga prioritetet që i ka caktuar BE.


Marrja e statusit të “vendit kandidat” duke vendosur kushte, është një kambanë e fortë që shqiptarët të qartësohen mbi përgjegjësinë e madhe qytetare që kanë ndaj vetes, familjes, shoqërisë, për t’u orientuar kundër sistemit berishist, në emër të vlerave dhe reformimit europian të vendit, në emër të dëshirës dhe nevojës për mirëqenie.


Në Shqipëri është e domosdoshme, që më në fund, pas 100 vjetësh, të promovohet një rotacion i rregullt dhe i qetë pushteti, jo si kusht për të sjellë në drejtim domosdoshmërisht alternativën opozitare. Rotacioni duhet konsideruar si energji reformuese, me qëllim largimin e së keqes të mpiksur nga korrupsioni, mishëruar tek ata, që Atdheun e trajtojnë si pasuri që duhet vjedhur, rrënuar e tjetërsuar.


Në këtë jubile, me shumë të drejtë mund të krenohemi me shtetformuesit e 100 viteve përpara, po aq sa turpërohemi me shtetarët e sotëm, ndaj në një situatë të tillë qytetarët e vendit tim me siguri do t’ia prishin kësaj qeverie dhe këtij Kryeministri, ëndrrën për të thyer edhe “rekordin” e fundit, atë të jetëgjatësisë në pushtet.