Intervista


“Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, nuk e mbajti fjalën”


Agim Kollcaku

Agim Kollcaku


Grevisti nga Kavaja, Agim Kollçaku, është shprehur mjaft i indinjuar me policinë dhe mënyrën se si po zhvillohet greva e urisë. Ai është përballur mëngjesin e së shtunës me policinë, ku kjo e fundit nuk e ka lejuar që të rikthehet në çadra, në të cilën po zhvillohet greva. Kollçaku kishte pranuar mbrëmjen e së shtunës që të shkonte në spital, vetëm pas një garancie që kishte marrë nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, i cili do të lejonte që ai të rikthehej në grevë. Por mëngjesin e së dielës, pas përmirësimit të shëndetit, Agim Kollçaku nuk është lejuar që të futet në grevë, duke u përplasur me policinë. Ai thotë se ka pritur në ambulancë katër orë, për t’iu bashkuar grevës, por nuk e kanë lejuar. Mbrëmjen e së dielës, ai është kthyer pranë gjirit të familjes në Kavajë, duke thënë se nuk ka hequr dorë nga kauza e tij.


 


Si ndiheni pas faktit që dolët nga greva?


U detyrova që të shkoja në spital, sepse gjendja shëndetësore u rëndua shumë. Ilaçet na i hoqën dhe plagët që mora ditën në të cilën u dogj Lirak Bejko u përkeqësuan. Mungesa e ushqimit dhe e trisolit ndikuan mjaft në përkeqësimin e gjendjes sime shëndetësore. Kjo më detyroi që të shkëputesha nga greva, por gjithnjë pasi kisha marrë garanci nga Ministria e Shëndetësisë që do të rikthehesha sërish. Sot, në orët e para të mëngjesit, u përballa me forcat e shumta policore. Ata më lanë për më shumë se katër orë në ambulancë, duke më thënë se do të më lejonin të hyja sërish në grevë. Por siç duket, një urdhër i ardhur nga ‘lart’ nuk e mori parasysh garancinë e Tavos.


 


Çfarë rruge do të ndiqni për marrjen e dëmshpërblimit?


Unë nuk kam hequr dorë nga greva, pavarësisht se më larguan në një formë të tillë. Do të rikthehem nesër pranë ambienteve të grevës për të ndjekur nga afër situatën. I kërkoj Kryeministrit Sali Berisha që të ulet në negociata, në të kundërt unë do të vetëflijohem në forma nga më të ndryshmet. Unë do të digjem. Nuk e shtyj dot më. Nuk kam lekë për të mbajtur familjen. Nuk kam punë dhe tashmë jam i vdekur.


 


Ku ndodheni tani?


Jam duke shkuar pranë familjes sime. Ata më presin me gëzim, por kjo nuk do të thotë që unë do të heq dorë nga marrja e dëmshpërblimit, duke mos përjashtuar edhe vetëflijimin. Mjekët më kanë rekomanduar që të mjekohem vazhdimisht për plagët që kam në trup, sepse ato janë thelluar mjaftueshëm. Gjithsesi nesër do të jem sërish këtu, pavarësisht gjendjes së dobët shëndetësore dhe psikologjike.


 


Pse u futët në grevë?


Kushtet ekonomike i kam të rënda. Kam dy fëmijë për të rritur. Askush në familjen time nuk punon. Situata është shumë e rëndë. Madje edhe makinën që po më çon në shtëpi nuk kam para që ta paguaj. Jam zhytur në borxhe. Marrja e dëmshpërblimit do e ndihmonte mjaftueshëm anën time ekonomike. Nuk kam rrugëzgjidhje tjetër dhe do ta ndjek këtë kauzë deri në fund.


 


Sa përfitoni nga dëmshpërblimi për vitet e burgut?


Më takojnë 3 milionë lekë të reja, ndërkohë që nuk kam marrë asnjë këst. Gjatë gjithë këtyre viteve, Kryeministri Berisha ka premtuar marrjen e dëmshpërblimeve dhe deri më tani këtë premtim e ka zvarritur. Kreu i qeverisë duhet të na dëmshpërblejë me çdo kusht, sepse këtë premtim e ka vulosur me firmosjen e ligjit të dëmshpërblimeve. Ish të përndjekurit politikë kanë qenë shtylla kryesore e Partisë Demokratike dhe gjatë këtyre dekadave ai ka qëndruar në këmbë me votat tona. Tani kërkojmë që të na rikthejë borxhin që na ka, sepse ne nuk heqim dorë.


 


Sa vite burg keni bërë në kohën e diktaturës?


Jam arrestuar në Kukës bashkë me një grup shokësh. Isha nisur drejt Perëndimit. Kisha dëgjuar që andej jeta ishte shumë herë më e bukur se kjo që na afronte komunizmi. Kështu, në vitin 1986 vendosa të braktis familjen time për të kërkuar lirinë, por sigurimi arriti të më arrestonte shumë pranë realizimit të ëndrrës sime. U dënova me 15 vite burg dhe nga kjo masë dënimi kam kryer vetëm pesë vite burg në Qafë-Barë. Bisedoi: S.Muça


 


Reagimet


Tufa: Policia, akte barbare Ndreca: Do të flijohem sërish


Koordinatori i grevës së urisë, Skënder Tufa, u është përgjigjur pretendimeve të ngritura nga Policia e Tiranës, duke thënë se uniformat blu po ushtrojnë terror mbi grevistët. Sipas tij, prej tri ditësh policia nuk ka lejuar që grevistët të takohen me të afërmit e tyre. Tufa thotë se heqja e çajit, trisolit dhe medikamenteve, janë bërë me qëllimin e vetëm, që greva të përfundojë sa më shpejt. Ai hedh akuza se, në ambientet e çadrave po kryhen shkelje të rënda dhe grevistët po përjetojnë dhunë psikologjike. Në një prononcim për mediat, kreu i grevës i ka kërkuar policisë që të lejojë futjen e çajit, sheqerit dhe ilaçeve, sepse po rrezikon jetën e 6 personave. “Grevistët nuk janë në grevë etjeje. Policia nuk ka asnjë lloj të drejte që të futet në ambientet e grevës, për të sekuestruar lëngjet dhe medikamentet. I kërkoj që të ndërgjegjësohet dhe të lejojë grevistët të marrin ilaçet dhe çajin. Gjendja shëndetësore e tyre është mjaft e rëndë. Këtë fakt e vërtetojnë edhe raportet mjekësore, të cilat shprehin qartë se secili prej grevistëve ka të listuar një seri sëmundjesh”, është shprehur Tufa. Sipas tij, skema e qeverisë, për të shuar grevën me anë të dërgimit të ish të përndjekurve politikë, drejt në spital, nuk do të përmbushet. “Greva nuk do të përfundojë, pavarësisht se çfarë ndodh. Ne nuk do e mbyllim grevën deri në njeriun e fundit”, ka vijuar ai.


Mënyra se si po trajtohen grevistët, ka rebeluar tej mase Gjergj Ndrecën. Ai ka kërkuar urgjentisht që policia të lejojë marrjen e shërbimit mjekësor dhe më pas të rikthehen sërish pranë çadrave. Ndreca kërcënon se do të marrë një tjetër akt vetëflijimi, nëse kërkesa e tij bie në vesh të shurdhët.


 


 


Reagimi


Erjon Braçe, për arrestimin e Patriotit: Ky është Berisha!


Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, ka komentuar arrestimin e koordinatorit të grevës së urisë së të përndjekurve politikë, Asllan Patrioti. Në rrjetin social “Facebook”, deputeti shkruan se “ky është Sali Berisha dhe banda e tij në Policinë e Shtetit, kryesuar nga Agron Kuliçi!!”. Më tej vijon se “kurthi për Patriotin është e njëjta skemë si ajo e Sigurimit të Shtetit:


gjej një bashkëpunëtor dhe detyroje t’i fusë në xhep lekë atij që është shënjestra jote politike”. Thotë se kjo skemë ka ndodhur në mes të Tiranës, ku një italian me shumë para dhe vendimmarrje fut në kurth Patriotin. “Ky quhet operacion i ligjshëm!! Kjo është diferenca në padrejtësi!”, pohon deputeti.


 


 


Kronologjia


Paradite – Grevistët kanë vijuar të denoncojnë veprimet e dhunshme të policisë, që u kanë marrë sheqerin, lëngjet dhe ilaçet


Mesditë – Përfaqësues të Avokatit të Popullit u dolën në grah grevistëve, akuzuan policinë se po torturon ish të përndjekurit


Pasdite – Gjendja shëndetësore vijon të jetë e rënduar. Tre grevistë refuzojnë të shkojnë në spital, thonë se do i shkojnë deri në fund