Kredia me probleme


Shkaktare të krizës, bëjnë me faj gjykatat. Rrezikojnë mbi 1 miliard USD kredi


ARD KOLA


Ishin kohë të arta ato të para krizës, kur kreditimi rritej me 50 për qind çdo vit, ndërsa sot regjistrohen kuota minimale historike, 3-4 për qind. Ajo çfarë po ndodh me bankat dhe kreditë, pasojat e së cilës po ndihen tek individët dhe biznesi, nuk janë gjë tjetër vetëm efekte nga konkurrenca e ashpër, pa rregulla, për të maksimizuar fitimet tej moralit dhe normës ekonomike. Sot bankat ankohen se po rriten kreditë me probleme dhe se nevojitet ndërhyrje nga qeveria për të zgjidhur disa ngërçe të sistemit. Drejtues të bankave të nivelit të dytë, në jo pak raste shprehin shqetësimin se rreziku real i ekonomisë janë borxhet e pashlyera. Në dy javët e fundit, gazeta “Shqip” kontaktoi drejtues dhe menaxherë bankash, nga ku dukej qartë ndjenja e panikut për çfarë është duke përjetuar sistemi.


“Duhen marrë masa. Jo vetëm që nuk po shlyhen në kohë kreditë, por edhe ato prona të sekuestruara nga bankat kanë probleme me certifikatat, ndërsa vlerat nuk pasqyrojnë realitetin e tregut”, thotë drejtori i një prej bankave kryesore në vend.


Po vetë i shqetësuar është edhe guvernatori Ardian Fullani, i cili në takimet informale me gazetarë kërkon trajtim të kujdesshëm të çështjes, por vetëm kaq. Të gjithë duan zgjidhje dhe e presin nga qeveria, kurse nga media kërkojnë solidarizim dhe mbështetje. Bankat e kanë të gjithë potencialin dhe infrastrukturën për të shpjeguar fenomenet e krizës dhe pasojat e kredive me probleme, por çuditërisht nuk bëjnë asgjë. Në muajt e fundit kanë kërkuar tarifa më të ulëta për përmbaruesit privatë dhe vendimmarrje më të shpejtë nga gjyqësori, por kur vjen puna për ristrukturim kredish, diskutimi mbyllet.


Gjendja ekonomike e vendit ka prekur edhe bankat. Individët me të ardhurat që marrin, nuk blejnë po atë sasi malli si tre vjet më parë, kurse paraja është shtrënguar. Papunësia ndodhet në nivele shqetësuese. Bizneset e infrastrukturës publike nuk i kanë marrë ende detyrimet e shtetit. Këta faktorë kanë sjellë vonesa në shlyerjen e kredive.


Shifrat e frikshme


Sistemi bankar regjistron mbi 1 miliard dollarë kredi të “infektuar” nga kriza. E cilësuar si kredi me probleme, niveli i saj në muajin gusht arriti në rreth 22.4 për qind. Kjo kredi, në raport me totalin, është standardizuar te pjesa e riskut, aty ku grupohen huat me vonesa dhe të humbura (sipas periudhave). Të dhënat e Shoqatës së Bankave bënë të ditur se niveli i huas me probleme në gusht 2012 shënoi një ndër ritmet më të larta mujore të rritjes gjatë këtij viti, kur në korrik ishte rreth 21 për qind, kurse në janar, ky nivel ishte 18.9 për qind në raport me totalin. “Niveli i treguesit të huas me probleme reflekton vështirësitë, me të cilat përballet biznesi në kushtet aktuale ekonomike dhe ngadalësimin e ritmit të rritjes së kredisë”, thotë Shoqata e Bankave.


Bankat nuk po mundin të frenojnë fenomenin e rritjes së kredive me probleme, sikurse duhet theksuar se ky raport zgjerohet sa herë regjistrohet kreditim i ulët për ekonominë. Sipas të dhënave të detajuara nga Banka e Shqipërisë, deri në fund të qershorit ka vijuar shtimi i huave të humbura (mbi 365 ditë vonesë, kur banka nuk ka më shpresa se mund ta marrë huan, për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar). Ky tregues është zgjeruar në 6.58 për qind, nga 5.7 për qind, që ishte në fund të 2011-s. Nga ana tjetër, të dhënat e Bankës së Shqipërisë pohojnë se ritmet e rritjes së kredisë në total kanë qenë shumë të ulëta këtë vit. Në gusht të 2012-s, stoku i kredisë për ekonominë arriti në 552 miliardë lekë, me një rënie prej 0.2 për qind në krahasim me korrikun 2012.


Çështja e kredive me probleme po trajtohet ngushtësisht edhe nga rangjet e politikës. E majta është treguar më e ashpër në qëndrimet e saj, duke rekomanduar një ngrirje të kreditimit nga ato banka që paraqiten me probleme në bilance.


Kushtet e kreditimit


Bizneset, që kërkojnë kredi, janë përballuar me kërkesa më të rrepta nga bankat gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, si zgjerimi i marzhit mesatar, rritja e komisioneve, ulja e madhësisë së huas, rritja e madhësisë së kolaterali në raport me madhësinë e huas, si dhe zvogëlimi i maturitetit. Sipas vrojtimit të aktivitetit kreditues të tremujorit të tretë 2012, publikuar nga Banka e Shqipërisë, bankat kanë shtrënguar në të njëjtën shkallë kredinë dhënë bizneseve sipas madhësisë (SME dhe korporatave të mëdha) dhe sipas qëllimit (financim i kapitalit qarkullues dhe i investimeve). Për kredinë dhënë konsumatorëve, bankat vijuan të mbajnë të pandryshuara standardet, për të dytin tremujor rresht, si për blerje banese, ashtu edhe për financim të konsumit. Faktorët kryesorë që shpjegojnë shtrëngimin e standardeve të kredisë për biznese janë problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata e kredive me probleme dhe situata e përgjithshme makroekonomike. Gjatë dy tremujorëve të fundit, mjaftueshmëria e kapitalit është vlerësuar si një faktor tjetër që ka dhënë kontribut në shtrëngimin e standardeve. Në lidhje me kredinë dhënë individëve, gjendja financiare e individëve, kreditë me probleme dhe tregu i pasurive të paluajtshme kanë kontribuar në shtrëngimin e standardeve, ndërsa likuiditeti dhe konkurrenca janë faktorë, të cilët kanë dhënë kontribut për lehtësimin e tyre.


Kërkesa neto për kredi, bazuar në perceptimin e ekspertëve pranë bankave, është zvogëluar edhe gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012, si për bizneset ashtu edhe për individët, por me ritëm më të vogël në krahasim me tremujorin e dytë.


 


Shkaqet


Pse shtrëngohen kushtet?


Faktorët kryesorë, të cilët shpjegojnë shtrëngimin e standardeve të kredisë për bizneset gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 ishin: problemet specifike të sektorit ku zhvillon aktivitetin ndërmarrja, gjendja e huave me probleme në sistemin bankar, situata makroekonomike në vend dhe, mjaftueshmëria e kapitalit. Nga ana tjetër, konkurrenca në sistemin bankar, gjendja e likuiditetit dhe vendimet e marra nga Banka e Shqipërisë gjatë këtij tremujori kanë ndikuar pak në lehtësimin e standardeve të kredidhënies për bizneset. Politika shtrënguese e bankave gjatë tremujorit të tretë të vitit 2012 është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së komisioneve, si dhe zgjerimit të marzhit mesatar. Bankat kanë përdorur si kushte për të shtrënguar standardet e kredisë gjithashtu; zgjerimin e marzhit për kreditë me rrezik, rritjen e kërkesës për kolateral dhe uljen e maturitetit të kredive. Më pak ka ndikuar ulja e madhësisë së huas.