Kampionët në fuqi morën fitore pas 5 vjetësh në Durrës kundër Teutës
Altin Manallari
Tirana frenon në shtëpi te një barazim 0-0 përballë Kastriotit, gjë që i jep mundësinë të arratiset Skënderbeut, i cili mori një fitore të merituar 2-0 në Durrës ndaj Teutës. Vllaznia i fal një pikë Tomorit pas barazimit 1-1, ndërsa Laçi mundi 1-0 Apoloninë.
Sfida më interesante e ditës së djeshme ishte ajo në “Niko Dovana” mes Teutës dhe Skënderbeut. Në atë takim u prodhua një luftë e fortë sportive në fushë, pati raste të shumta për shënim, dhe dy gola për kampionët në fuqi në minutën e 19 me Pejiç (golashënuesi më i mirë i superiores me 6 gola) dhe në të 70-n me Tomiç. Goli i këtij të fundi i shoi përfundimisht shpresat e durrsakëve, ndërsa miqtë tronditën edhe një shtyllë. Me këtë fitore, Skënderbeu kryeson renditjen me 17 pikë, +3 nga ndjekësja më e afërt, që është Besa në kuotën e 14 pikëve. Tirana ka bërë një tjetër hap fals në fushën e saj në këtë javë të Superiores, duke lënë dy pikë të çmuara, që i kanë kushtuar edhe humbjen e vendit të dytë në klasifikim, që tashmë i takon Besës së Ilir Dajës. Bardheblutë u ndalën në “Qemal Stafa” nga Kastrioti i Krujës në një përballje që përfundoi në barazimi 0-0. Në stolin e krutanëve ishte ulur Dallaku, i cili ka zënë vendin e Mergjyshit të shkarkuar, por trajneri “de facto” është Ramadan Ndreu. Pjesa e parë e ndeshjes ishte shumë e zbehtë dhe ekipi i trajnerit Lekbello u kujtua të luante vetëm në 20 minutat e fundit. Rastet nuk munguan për të dyja palët, me Tiranën që goditi shtyllën dhe provoi më shumë drejt portës krutane, por edhe me një Kastriot që rrezikoi seriozisht në fund dhe që mund ta kishte shënuar golin e fitores. Ky barazim bën që Tirana të mbetet në kuotën e 13 pikëve pas 7 javëve, sasi pikësh që nuk i ngroh tifozët e saj. Në Berat pati më shumë emocione, pasi pati 4 gola. Tomori e Vllaznia barazuan 2-2 dhe më të humburit në këtë përballje dolën shkodranët, pasi kryesuan 2-0 jashtë fushe. Sulmuesi Vilfor Hysa shënoi që në minutën e parë për skuadrën mike, ndërsa në vazhdim lufta ishte e ashpër në një terren mjaft të përshtatshëm për futboll. Në fillim të pjesës së dytë, Vllaznia shënoi edhe golin e dytë, me anë të kapitenit Smajli, që ekzekutoi saktë një 11-metërsh të dhënë në favor të ekipit të tij. Tomori arriti të shkurtonte diferencën shumë shpejt, që në minutën e 51, duke pasur shpresë për barazimin. Autor i golit ishte Ofoje, ndërsa në vazhdim presioni i vendasve ishte i madh, por goli erdhi tepër vonë. Vetëm në minutën e parë shtesë Hysko arriti ta dërgonte topin në rrjetë. Laçi sfidoi dhe mundi minimalisht në fushën e vet Apoloninë e problemeve të shumta, sidomos me rrogat dhe rezultatet negative. Goli që vlen tri pikë për kurbinasit mban autorësinë e shqiptaro-maqedonasit Emurllai, i cili e kishte ndëshkuar skuadrën fierake edhe në sezonin e shkuar.
Hapi fals – Tirana ka bërë një tjetër hap fals në fushën e saj në këtë javë të Superiores, duke lënë dy pikë të çmuara ndaj Kastriotit pas barazimit 0-0 në “Qemal Stafa”
Zhgënjimi – Shumë emocione dhe 4 gola në barazimin 2-2 mes Tomorit e Vllaznisë në Berat, por shkodranët kanë mbetur të zhgënjyer, sepse nuk ruajtën dot avantazhin e 2 golave
Fiton Laçi – Laçi fitoi 1-0 ndaj Apolonisë në fushën e tij. Ky sukses u arrit falë golit të shënuar nga i zakonshmi Emurllai 3 minuta para përfundimit të pjesës së parë