Ministri serb
Ish-këshilltari i Qosiç: Të krijojmë baza për bashkëpunim më të mirë
Ylli Pata
Mbërrin nesër për një vizitë zyrtare dyditore shefi i diplomacisë serbe, Ivan Mrkiç. Diplomati veteran 57-vjeçar, i emëruar në korrik të këtij viti në krye të Ministrisë së Jashtme, nga qeveria nacionaliste e koalicionit ndërmjet partisë së Nikoliçit dhe asaj të Daçiç, vjen në Tiranë në një vizitë të cilën e ka kërkuar ai vetë para disa kohësh. Burime në Ministrinë e Jashtme theksojnë se Mrkiç mbërrin sot në kryeqytetin shqiptar, ndërsa takimet me qeveritarët e Tiranës do t’i zhvillojë ditën e nesërme. Ministria e Jashtme shqiptare ende nuk ka dhënë një axhendë të takimeve, po një komunikatë zyrtare pritet të dalë ditën e sotme. Burime nga MPJ bëjnë të ditur se gjatë takimit me homologun e tij serb, Panariti do të firmosë një marrëveshje për njohjen e diplomave të marrë në Shqipëri, që do të favorizojë studentët shqiptarë nga Lugina e Preshevës. Këto burime bëjnë të ditur se nuk do të jetë Kosova pjesë e negociatave, por siç mësohet pritet të përshëndetet takimi Thaçi-Daçi që u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin e baroneshës Ashton.

Qosiç – Ishte njeriu që hartoi planin kundër Kosovës. Në vitin 1993 u thirr në Beograd, ku shërbeu si shef kabineti i famëkeqit, Dobrica Qosiç
Megjithatë, mediat serbe bëjnë të ditur se në takim Mrkiç pritet të rinxjerrë edhe njëherë në skenë çështjen e “pakicave” serbe në Shqipëri, të cilën e ka përmendur paraardhësi i tij, Jeremiç, gjatë vizitës që zhvilloi ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Ilir Meta, dy vjet më parë në Beograd. Gjithsesi, megjithëse një vizitë e rëndësishme, pasi bëhet fjalë për një vend që ka probleme të mëdha me Shqipërinë dhe është vizita e parë para shumë vitesh në Tiranë. Ministria e Jashtme Shqiptare, ende nuk jep një kuadër të qartë të axhendës së bisedimeve dhe të dokumenteve që do të firmosen. Burimet bëjnë të ditur se Mrkiç do të ketë takime në ambasadën serbe në Tiranë edhe me pjesëtarë të së ashtuquajturës “pakicë” serbe në Shqipëri, takime që do të zhvillohen gjatë ditës së sotme. Në një prononcim për gazetën “Politika” të Beogradit, Mrkiç deklaroi se “”Nesër(sot) do të shkoj në Tiranë. Shumë vjet atje nuk ka shkuar asnjë ministër serb i Jashtëm. Me siguri do të krijojmë bazat për bashkëpunim më të mirë”.
Karriera
Ivan Mrkiç, është një diplomat karriere, që u emërua në qeverinë e Kryeministrit Iciva Daçic, si një “ekspert i pavarur”, por i pëlqyer nga Partia Progresiste e Presidentit Nikoliç, e cila zotëron mazhorancën në Parlamentin serb. Shefi aktual i diplomacisë serbe, ka një karrierë të gjatë në Ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë së dikurshme. Ka shërbyer disa vjet në selinë diplomatike jugosllave në OKB deri në vitin 1986, por pas vitit 1990 shërbeu në misionin jugosllav në Bruksel. Ka marrë pjesë në konferencat e zhvilluara në Hagë dhe Bruksel për ish-Jugosllavinë, por më pas në vitin 1993 u thirr në Beograd, ku shërbeu si shef kabineti i famëkeqit, Dobrica Qosiç, i cili u zgjodh si presidenti i Federatës Jugosllave, e cila gjendej në gjendje kome dhe territori i saj ndodhej në një luftë të provokuar nga makineria ushtarake e Sllobodan Milosheviçit, në atë kohë njeriu i fortë i Beogradit. Mrkiç më vonë shërbeu në të ashtuquajturën Ministri të Jashtme të përbashkët mes Serbisë dhe Malit të Zi dhe në vitin 2006 u emërua ambasador i Serbisë në Tokio. Pasi përfundoi mandatin në Japoni, Ivan Mrkiç u emërua sekretar i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Serbisë, në kohën kur ky dikaster drejtohej nga Vuk Jeremiç. Me përmbysjen e papritur në zgjedhjet e kësaj vere, qeveria e re emëroi diplomatin e stërvitur në shkollën e vjetër të Jugosllavisë si ministër i ri i Punëve të Jashtme.
Opozita
Ende nuk është përcaktuar vendi i zhvillimit të tubimit. Akuzohet MPJ se e mbajti të fshehtë
Aleanca Kuqezi: Do ta presim me protesta. Vizitën e përgatiti Fazlliç
Aleanca Kuqezi e ka cilësuar vizitën në Tiranë të ministrit të Jashtëm serb, si “të fshehtë”, pasi nuk është bërë e ditur nga qeveria shqiptare. Në një deklaratë të publikuar dje, bëhet e ditur se “Aleanca Kuqezi shpreh shqetësimin e saj të thellë për mënyrën e organizimit të kësaj vizite dhe mungesën e transparencës të disa takimeve radhazi të shtetasit Berisha me diplomacinë rajonale. AK denoncon para opinionit publik se ka disa të dhëna që negociatat për vizitën e ministrit të Jashtëm serb, Ivan Mrkic, janë kryer nga pazarxhiu i Ballkanit, Damir Fazlliç. Aleanca Kuqezi e konsideron të patolerueshëm faktin që marrëdhëniet Shqipëri-Serbi janë të pakushtëzuara nga pala shqiptare, pavarësisht faktit se Serbia nuk njeh shtetin e Kosovës, nuk respekton të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe nuk kanë kërkuar ende falje për gjenocidin e kryer dhe krimet kundër popullatës shqiptare”. Aleanca Kuqezi bën të ditur se “do ta presë ministrin e Jashtëm serb, Ivan Mrkiç, me protesta”.
Bujqësia
Kreu i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, ka avancuar një akuzë të re të rëndë ndaj Kryeministrit shqiptar për “tradhti” në lidhje me lënien e bujqësisë shqiptare në mëshirë të fatit dhe mosfavorizimit të prodhimit vendas. Gjatë një tryeze për bujqësinë, Kreshnik Spahiu, theksoi: “Fshati shqiptar ka qenë dhe mbetet më i varfri në rajon dhe Europë. Regjimi Berisha, i cili rri në pushtet me votat e fshatit ka ndjekur strategjinë se: sa më e mjeruar të jetë popullsia aq më i lehtë është për t’u mbajtur pushteti”. Më tej zoti Spahiu shtoi se 47% e popullsisë fshatare është lënë në mëshirën e fatit, pasi qeveria ka lokuar vetëm 0.5% të buxhetit për fshatin. “Ne premtojmë që do ta trefishojmë këtë shifër. Ne denoncojmë shkatërrimin që i është bërë tokës bujqësore nëpërmjet tradhtisë kombëtare të materializuar në ligjin 7501. Ne do të zhvillojmë agroturizmin, do të hapim Bankën Bujqësore, do të ngremë një sistem të ri sigurimesh, një nivel tjetër pensionesh për të nxjerrë fshatin shqiptar nga mjerimi”, deklaroi Spahiu. Shqipëria ka popullsinë në fshat si një rast i paprecedentë të jetesës mesjetare e ku banorët banojnë jo disa dekada, por disa shekuj larg fshatit perëndimor”. Tryeza për çështjen e bujqësisë së Aleancës Kuqezi u mbyll me thirrjen e kryetarit Kreshnik Spahiu që “banorët e zonave rurale duhet ta dënojnë me 0 votë shtetasin Berisha në zgjedhjet e vitit 2013”.
Akuzat – “Aleanca Kuqezi e konsideron të patolerueshëm faktin që marrëdhëniet Shqipëri-Serbi janë të pakushtëzuara nga pala shqiptare, pavarësisht faktit se Serbia nuk njeh shtetin e Kosovës, nuk respekton të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe nuk kanë kërkuar ende falje për gjenocidin e kryer dhe krimet kundër popullatës shqiptare”.
Mediat serbe
Hillary Clinton, vizitë në Kosovë e Serbi më 30-31 tetor
Mediat serbe bëjnë të ditur se sekretarja e Shtetit e SHBA-së, Hillary Clinton, pritet të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin më 30 dhe 31 tetor. Siç bën të ditur agjencia serbe, Tanjug, e cituar dhe nga e përditshmja “Politika”, zonja Klinton do të kryejë një tur në Ballkanin Perëndimor, por deri tani si kryeqytete të ndalimit të sekretares përmenden vetëm Prishtina dhe Beogradi.
Tanjug, duke cituar një burim në Departamentin Amerikan të Shtetit thekson se detajet e tjera të vizitës së sekretares Clinton janë ende në fazën e përgatitjes. Zonja Clinton do të qëndrojë në Ballkanin Perëndimor për një vizitë të kërkuar nga sekretarja, e cila ka bërë të ditur se pas zgjedhjeve të nëntorit nuk do të qëndrojë më në detyrë edhe nëse zoti Obama do të fitojë një mandat të dytë për President të SHBA-së. Kryeministri serb, Ivica Daçiç, ka bërë të ditur të shtunën se “shumë shpejt” funksionarë të lartë të SHBA do të vizitojnë Beogradin, por pa dhënë emra. Daçiç ka konfirmuar se në Serbi do të qëndrojë për vizitë dhe shefi i diplomacisë së Mbretërisë së Bashkuar, William Hague, duke shtuar se ka një erë të re diplomatike për Serbinë. Gjithçka po ndodh pas takimit të nivelit të lartë që Daçiç zhvilloi në Bruksel me Hashim Thaçin, të premten e shkuar. Burime qeveritare shqiptare, theksuan se nuk kanë dijeni nëse zonja Clinton do të vizitojë Shqipërinë gjatë turit të saj ballkanik.
Y.P