Ceremonia


Një indiane Amerike dhe gjashtë të tjerë u shpallën shenjtorë nga Papa Benedikti XVI në përpjekje për të rigjallëruar besimin e krishterë, njofton BBC. Papa lexoi emrat e shtatë shenjtorëve të rinj në sheshin e Shën Pjetrit dhe njoftoi fillimin e “vitit të besimit”.


Kateri Tekakuitha, e cila jetoi në shekullin e shtatëmbëdhjetë, u la mbresa misionarëve me spiritualizmin e saj të thellë. Shenjtorët e tjerë të rinj përfshijnë një murgeshë që u kujdes për një koloni lebrozësh në Hauai dhe një misionare franceze e vrarë në Madagaskar.


Në Kishën Katolike Romane, një shenjtor është një person që njihet zyrtarisht se është në parajsë dhe bën mrekulli.


Ndërsa dielli u ngrit mbi Shën Pjetër të dielën në mëngjes, pelegrinët nga indianët e Amerikës me veshjet e tyre tradicionale dhe kapelat me pupla kënduan për shenjtoren. Gjatë viteve të fundit, një mrekulli iu atribuua Tekauithas, e cila pati lindur në atë që sot është Shteti i Nju Jorkut dhe vdiq në Kanadanë e sotme. Vatikani beson se ajo shpëtoi jetën e një fëmije indian Amerike, i cili po vuante nga një bakterie mishngrënëse. Sipas kishës, kjo qe mrekullia e fundit e kërkuar për t’u kualifikuar si shenjtore. Por vlerësohet gjithashtu që besimtarët katolikë mes indianëve të Amerikës do të frymëzohen më shumë nga ky veprim i Papës. Katolikët mes indianëve kritikohen nga shokët e tyre, të cilët besojnë se kjo fe është imponim nga kolonizatorët europianë dhe për rrjedhojë, duhet të refuzohet.


Tekakuitha, e cila në disa raste njihet si Zambaku i Mohakëve, vdiq në moshën 24-vjeçare.


Shenjtorët e tjerë të shpallur janë:


Maria Anna Cope, një murgeshë françeskane gjermane e njohur si Nënë Mariana e Molokait, për shkak se u kujdes për lebrozët në Arkipelagun e Hauait;


Jacques Berthieu, një jezuit francez që u ekzekutua nga rebelët më 1896 në Madagaskar;


Pedro Calungsod, një seminarist i ri që u vra në ishullin e Guamit, ndërsa po vizitonte një prift jezuit për pagëzimin e një vajze;


Predikuesja gjermane, Maria Schaeffer, e cila vdiq më 1925;


Prifti italian, Giovanni Battista Piamarta, i cili në shekullin e 19 ia përkushtoi jetën ndihmesës së të rinjve gjatë revolucionit industrial si dhe; murgesha spanjolle, Maria del Carmen, e cila themeloi kongregacionin dhe punoi për të ndihmuar gratë e varfra në shekullin e 19-të.