Ramazan Spahiu refuzon të shkojë në spital. Biturku: Do rrimë deri në momentin e fundit


Gjendja shëndetësore e gjashtë personave të mbetur në çadrat e grevës së urisë ndodhet në pikën më kritike për jetën. Mësohet se tre prej grevistëve refuzojnë që të shkojnë në spital, ndonëse kanë nevojë emergjente për trajtim të specializuar shëndetësor. Ramazan Spahiu, 72 vjeç, ndodhet në një gjendje vërtet të rëndë. Prej dy ditësh, ai ka refuzuar shërbimin spitalor, duke marrë parasysh edhe vdekjen, para kauzës së ish të përndjekurve politikë. Ndërkaq edhe Afrim Biturku, është rekomanduar që të shkojë në spital, sepse mungesa e ushqimit për një kohë kaq të gjatë, i ka provokuar një sërë sëmundjesh, por pavarësisht kësaj, refuzon që të shkojë në spital. Një i tretë, emri i të cilit nuk bëhet me dije, është shumë rëndë, sepse refuzon që të largohet nga çadrat. Shkak për këtë situatë, është bërë mungesa e garancisë, për rikthimin e tyre në ambientet e grevës. Ata pohojnë faktin se në çadrat e tyre, nuk janë lejuar që të futet trisoli (tabletë që tretet me ujë dhe merret në vend të serumit), ilaçe, çaj, sheqer, e të tjerë. Grevistët pohojnë se ndaj tyre po abuzohet dhe se te çadrat, lejohet vetëm uji, me idenë që gjendja shëndetësore e tyre të rëndohet dhe më pas të dërgohen në spital, për të mos u rikthyer më. Pavarësisht kësaj, ata nuk kanë pranuar që të lëvizin nga tendat, ndërsa pretendojnë se greva po zhvillohet në kushte terrori. Grevisti Agim Kollçaku, mbrëmjen e së shtunës u dërgua me urgjencë në qendrën spitalore ‘Nënë Tereza’, pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Mëngjesin e së dielës, ai ka kërkuar që të rikthehet në grevë, por nuk është lejuar nga policia, ndonëse pretendonte se kishte marrë garanci nga ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, për rikthimin e tij me shokët e tjerë. Koordinatori i grevës, Skënder Tufa, thotë se Kollçakun e kanë nxjerrë me dhunë nga ambulanca, duke quajtur veprimin e policisë si një veprim banditesk. Kjo situatë ka bërë që grevistët e mbetur të jenë edhe më këmbëngulës, për refuzimin e spitalit. “Edhe pse ministri i Shëndetësisë garantoi për rikthimin e Agim Kollçakut, në çadrat e grevës, ai nuk e mbajti premtimin. Kjo na detyron që të mos e braktisim grevën. Do rrimë këtu, derisa të marrim fund. Ky është vendimi ynë përfundimtar. Nuk ka rrugëzgjidhje tjetër. Çdo ditë, flemë me idenë se, Kryeministri do të nisë negociatat, por kur zgjohemi në mëngjes, përballemi me terrorin e policisë. I kërkoj Berishës që të ulet në negociata, sepse ne nuk dorëzohemi” është shprehur Afrim Biturku, një prej 6 grevistëve të mbetur. s.m