Shteti i vogël rikujton luftën e përgjakshme civile të së shkuarës dhe paqen delikate
Mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Bejrutit dje për të marrë pjesë në funeralin e një zyrtari të lartë të shërbimeve sekrete që mbeti i vrarë në një sulm me bombë pak ditë më parë. Shumë prej protestuesve, akuzuan qeverinë e Sirisë si përgjegjëse për vrasjen dhe kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Najim Mikati. Ky i fundit e ka ofruar menjëherë dorëheqjen e tij, por i është kërkuar nga Presidenti të mbajë postin për të mos shkaktuar më shumë probleme.
Trupat ushtarake të armatosura bënë rojë ndërsa njerëzit hynë te Sheshi i Martirëve në qendër të kryeqytetit.
Shumë prej protestuesve valëvisnin flamurin e kaltër të partisë opozitare me bazë sunite “Për të ardhmen”. Një prej parullave shkruante “Ik, Najib, Ik”.
Gjeneral Brigade Wissam al-Hassan u vra nga një makinë bombë të premten. Ai qe një mysliman suni pranë klanit politik të familjes Hariri dhe pati ndihmuar në të shkuarën në zbulimin e një plani për sulm me bomba. Në gushtin e kaluar, një ministër pro-Damaskut përfundoi në burg për këtë shkak.
Ai pati udhëhequr gjithashtu edhe hetimin që identifikoi Sirinë dhe aleatin e vet në Liban, lëvizjen Hezbollah, si përgjegjëse për vrasjen e ish-kryeministrit Rafik al-Hariri më 2005.
Politikanët e Libanit e kanë akuzuar Sirinë si përgjegjëse në vrasjen e fundit, vrasje që riktheu frikën për një luftë të re civile në këtë vend. Protestuesit në funeral kishin të njëjtin mendim.
“Ne akuzojmë Bashar al-Assad, Presidentin e Sirisë”, thotë Assmaa Diab, 14 vjeçe, nga qyteti i Tripolit, vendlindja e të vrarit. Ajo qe në shesh nën shoqërinë e motrës dhe babait të vet.
“Ai është përgjegjës për të gjitha – në të shkuarën dhe tani dhe nëse nuk e ndalojmë, edhe në të ardhmen”, thotë ajo.
Kryeministri është gjithashtu nën sulm, pasi konsiderohet si tepër pranë popullatës shia dhe rrjedhimisht, Assad-it.
“Ne jemi këtu për t’i thënë mikatit se ne nuk kemi më nevojë për të dhe për t’i thënë Hezbollaut se ne nuk i duam më lojërat e tyre”, thotë Hamsa Akhrass, një student 22-vjeçar.
Mikati pati deklaruar menjëherë pas vrasjes gatishmërinë për të dorëzuar postin dhe për të krijuar një qeveri të unitetit kombëtar, në përpjekje për të shmangur një luftë të re civile. Atij i është kërkuar të qëndrojë në zyrë derisa të gjendet një zgjidhje politike.
Kryengritja 19-mujore në Siri kundër Assad ka rigjallëruar tensionet e mëdha sektare në Liban, vend që ra në një luftë civile të gjatë mes viteve 1975 dhe 1990.
Rebelët, të cilët janë përgjithësisht myslimanë suni, po luftojnë për të rrëzuar Presidentin Assad, i cili i përket minorancës Alavite, një degë e islamit Shia. Bashkësitë fetare në Liban janë gjithashtu të ndara mes atyre që mbështesin Assad-in dhe atyre që mbështesin rebelët.
Lufta civile në Liban vendosi përballë njëri-tjetrit sunitë, shiat dhe kristianët, ndërkohë që Izraeli pati pushtuar jugun e vendit dhe Siria pushtoi pjesën tjetër. Aleancat qenë të shumta dhe ndërrimi i krahut qe i shpeshtë.
Samir Gaegea, një udhëheqës politik kristian dhe kritik i Assad, kërkoi që Libani të pezullojë të gjitha marrëveshjet ushtarake me Damaskun dhe të përzërë ambasadorin e këtij vendi.
Në Paris, ministri i Jashtëm i Francës, Laurent Fabius, tha: Ne nuk e dimë ekzaktësisht se kush qëndron pas sulmit, por duket se kjo është një zgjatim i tragjedisë në Siri”. Sipas tij, kjo ngjarje tregon se rrëzimi i Assad është një problem urgjent.
Pas makinës bombë, në të gjithë Libanin ka pasur përleshje të dhunshme ndërsektare, ku nuk munguan të plagosurit dhe të vrarët. Diplomatët e huaj kanë frikë se një fushatë bombash mund të ndezë republikën e vogël, e cila njihet si një qendër e rëndësishme tregtare në Mesdhe. Hassan konsiderohej si një pikë e fortë për garantimin e sigurisë në vend dhe vrasja e tij rrezikon të godasë stabilitetin e vendit.