Arbër Selmani, JNK


Muzika elektronike po i lë vendin një menyje të përzier në Kosovë, shenjë se më pak para po qarkullon në vend, por ndoshta se po vjen edhe një periudhë e re e uritur për shumëllojshmëri.


Njihej si “Te Majmunët”, edhe pse më vonë u quajt “Underclub” dhe përfundoi në dyqan tapetesh. Ishte vendi ku dëgjohej muzikë elektronike pothuajse çdo ditë të vitit.


Bashkë me “Spray Club” dhe “Megaherc”, “Te Majmunët” ishte vend ku muzika elektronike nuk përzihej me zhanre të tjera, ku emrat si Toton, Likatek dhe Dardan Ramabaja sollën të parët shpirtin elektronik në kryeqytet.


Sipas Ramabajës, kur këto klube ishin në kulm të famës, muzika elektronike ishte e papërzier si asnjëherë tjetër dhe po krijoheshin tradita, jo trende.


“Në atë kohë, ndoshta në vitet ’90, njerëzit ishin të çmendur pas muzikës elektronike. Sot, nuk ndjekin traditën, por trende. Duket sikur ka periudha kur jemi të pasionuar pas diçkaje, por pastaj ajo ndjenjë zhduket aq shpejt sa dhe nisi”, tha Ramabaja, DJ që nga viti 1999. Problemi kryesor, tha ai, është mungesa e klubeve ku DJ-të luajnë vetëm muzikë elektronike.


“Disa vite më parë kishte vende ku luhej vetëm muzikë elektronike dhe njerëzit e dinin ku të shkonin”, thotë ai.


“Sot, shumë bare dhe klube nuk kanë stabilitet dhe kanë lloje të ndryshme muzike në programet e tyre”, thotë Ramabaja, duke u ankuar për rënien e skenës së muzikës elektronike në vitet e fundit.


Irmin Vandermeijden, një DJ nga Amsterdami, që tani jeton dhe bën muzikë në Prishtinë, thotë se muzika elektronike në Kosovë u rrit në popullaritet në fund të mileniumit, por tani e ka të vështirë.


“Nuk mendoj se ka vdekur, por mendoj se përfundimisht po vuan. Siç më thonë, kulmi ishte gjatë viteve të Çlirimit, në vitet 2001 dhe 2002, kur situata në Prishtinë ishte unike. Kishte shumë para, pikë së pari, dhe sigurisht arsye për të festuar. Shkoja shpesh në ‘Spray’ në vitin 2006, kohë kur shumë DJ të famshëm ftoheshin atje”.


“Tani është ndryshe sigurisht. Është e qartë se është e vështirë për menaxherët e klubeve të tërheqin turmat, nëse një DJ nuk ka emër, dhe ata performues janë të shtrenjtë, sigurisht. Vetëm një grup i vogël personash po ndjekin vërtet trendet e reja në muzikën elektronike”, tha Irmin.


Pagesat e ulëta gjithashtu po i mbajnë disa DJ larg, shpjegoi Vandermeijden.


“Pronarët e klubeve kanë një zakon shumë të çuditshëm që nuk tregojnë se sa do të paguajnë që në fillim. Thonë se kjo varet nga sa persona po vijnë, që shihet disi si përgjegjësi e DJ-ve. Kjo nuk është e drejtë. Unë dua të paguhem për muzikën që bëj, dhe jo për numrin e miqve që kam në ‘Facebook’”.


“Disa pronarë klubesh bien dakord për pagën që në fillim”, tha Vandermeijden. “Disa janë ndryshe; nuk paguajnë shumë, por të paktën është e qartë që nga fillimi. Në tërësi, kur bie fjala te paratë, skena ta shpif. S’ke çfarë të bësh”.


Shumë mendojnë se skena e muzikës elektronike në Kosovë po bie.


“Është e dhimbshme, por e vërtetë. Skena e muzikës elektronike në Kosovë është shumë e vogël, ose në fakt, as nuk ekziston. Edhe personat që njëherë e donin këtë lloj muzike kanë ngecur në trendet muzikore të vitit 2002”, thotë DJ Vegim, që konsiderohet një nga performuesit më të mirë të muzikës elektronike në Kosovë, që i ka rrënjët në skenën e muzikës së viteve 1990.


Sipas Vegimit, kosovarët mund të kapin muzikë “të vërtetë” elektronike në kryeqytet një herë në disa muaj.


“Kemi më shumë hapësira sesa në vitet 2000-2002, por më pak muzikë elektronike. Kemi një skenë të varfër”, ankohet Vegimi.


Ndërkohë Fatos Cetta, që është i ri në skenën e muzikës elektronike në Kosovë, thotë se muzika vazhdon të lulëzojë në vend.


“Ka shije për muzikë të mirë dhe vende ku krijohet atmosferë e mirë. Gjithashtu, disa prej nesh, ndoshta si talente të rinj në skenë, kemi vend për t’u promovuar”, tha Cetta.


Flekitza Fleki, një DJ i njohur në kryeqytet, thotë se nëse nuk ka entuziazëm për këtë lloj muzike në Kosovë, DJ-të kanë opsione të tjera.


“Shumë prej DJ-ve tanë janë të njohur në rajon më shumë se këtu. Duke performuar në qytete të ndryshme europiane po promovojnë kulturën e Kosovës më mirë se kushdo tjetër”, thotë Fleki.


Gentian Rizaj, menaxheri i “Spray Club”, thotë se muzika elektronike mbetet popullore në Kosovë, pjesërisht falë klubeve si “Spray”.


Nëse përmend fjalën “klub” në Kosovë, menjëherë mendon për “Spray”, thotë ai.


“‘Spray Club’ është një nga vendet që është i njohur në të gjithë botën për muzikën elektronike. Ende ka programin perfekt të kësaj muzike”, thotë Rizaj. Fatkeqësisht, shton ai, muzika komerciale tani dominon tregun muzikor.


“Ka disa klube, si ‘Spray’, që nuk po heqin dorë. Cilësia është shumë e dobët, dhe më vjen keq të them se njerëzit tani kanë preferenca të ndryshme”, tha Rizaj.


“Spray” është mbyllur dhe është kthyer në një lokal që quhet “Mjaltë”, por Gentian Rizaj, menaxheri tha se planifikon të hapë një klub të ri. “Nuk do të jetë në të njëjtin vend dhe do të ketë emër tjetër”, tha Rizaj.