Zgjedhjet 2013
Drejtohet nga Flamur Noka, zëvendës Ristani, Poni e Ndoka. Ndihmojnë Teliti dhe Shehu
Një nga ministritë që po fuqizohet së tepërmi në vitin zgjedhor është Ministria e Brendshme, e cila ka të gjithë tagrin që të përgatisë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Lëvizjet e fundit në këtë dikaster kanë krijuar një superministri, pasi mazhoranca ka emëruar njerëzit më të besuar, të cilët do të kenë të gjitha fuqitë për t’u marrë me përgatitjet e listave, dhënien e kartave të identitetit, të certifikatave, pasaportave, me rendin dhe kalkulimet juridike për çdo fazë.
Gazeta “Shqip” ka kryer një vëzhgim të përgjithshëm te drejtuesit kryesorë të kësaj ministrie, të cilët janë atakuar ashpër nga opozita në të kaluarën, madje edhe për organizimin e zgjedhjeve.
Precedentët flasin për lëvizje të dyshimta të kësaj ministrie në prag të zgjedhjeve, madje edhe të drejtuesve të saj, pasi krahas Drejtorisë së Gjendjes Civile, ka nën vete edhe Policinë e Shtetit, dy institucione që, nëse politizohen, mund të ndryshojnë ekuilibrat e zgjedhjeve.
Drejtimi
Mazhoranca ka emëruar në krye të Ministrisë së Brendshme Flamur Nokën, një emër jo fort i njohur për menaxhimin e institucioneve shtetërore. Megjithëse ka qenë deputet prej shumë kohësh, nuk ka qenë me poste të larta. Deputeti i Qarkut Kukës ka qenë sekretar organizativ në Partinë Demokratike dhe është emëruar si ministër në momentin që paraardhësi i tij u zgjodh President i vendit. Madje, në momentin e zgjedhjes në këtë post, lëshoi një deklaratë befasuese, pasi tha se “policia ka nën kontroll të gjithë territorin e vendit”. Ishte koha kur në vend sapo kishin filluar ngjarjet kriminale, në fund të muajit korrik. Nuk kaluan shumë kohë dhe Shqipëria mbërthehet nga ngjarje tepër të rënda kriminale, me dhjetëra të vrarë e të plagosur, ndërsa u shtuan edhe aksidentet automobilistike.
Sipas Partisë Demokratike, Noka, në kohën që ka qenë sekretar organizativ, është marrë me organizimin e festave të mazhorancës, sjelljen e njerëzve nga rrethet në Tiranë, madje duke i detyruar të gjithë nëpunësit e administratës të dalin në shesh.
Një drejtues i ri i Ministrisë së Brendshme, që ka marrë detyrën e zëvendësministrit, është Arben Ristani, ish-kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Roli i tij në zgjedhjet e fundit lokale njihet nga të gjithë, pasi ligjëroi një proces të numërimit të votave të dyshimtë, madje ktheu rezultatin për kreun e Bashkisë së Tiranës.
Drejtuesi i radhës në këtë ministri është Ferdinand Poni, një emër i akuzuar fuqishëm nga opozita për prodhime në masë të kartave të identitetit. Jo më kot njihet si “mjeshtri i kartave të identitetit”, pasi opozita ka pretenduar se Poni ka pajisur persona të veçantë me dy karta, një në Tiranë dhe një në rrethe. Krahas postit të zëvendësministrit të Brendshëm, është edhe kryetari i këshilltarëve të grupit të PD-së në Bashkinë e Tiranës. Madje, gjatë kohës që ka qenë Rama kryebashkiak, është njohur si “rrëmujaxhiu” dhe personi që organizonte protestat në këshill.
Zëvendësministri i tretë në Ministrinë e Brendshme u takon aleatëve. Nard Ndoka, kreu i Demokristianëve, ka kaluar djathtas dhe si shpërblim ka marrë këtë post. Ndoka më parë ka qenë ministër i Shëndetësisë dhe nuk është njohur për aftësi të mirë në menaxhim.
Mbështetësit
Krahas drejtuesve, Ministria e Brendshme ka në varësi institucione të veçanta që mund të vendosin fatin e zgjedhjeve, nëse politizohen. Drejtoria e Gjendjes Civile, Policia e Shtetit, Garda e Republikës apo Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm janë disa nga institucionet në varësi të Nokës, të cilat mund edhe të përdoren për zgjedhje. Drejtues në Gjendjen Civile është Armand Teliti, një emër i njohur për opozitën dhe prokurorinë. Kjo e fundit i ka ngritur akuzë për shpërdorim detyre, në lidhje me abuzimet gjatë ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Ndërkohë, si drejtor i Gjendjes Civile është atakuar disa herë nga opozita për lëvizje të dyshimta të qindra mijëra personave nga një vend në tjetrin.
Policia e Shtetit drejtohet nga Hysni Burgaj, që ka pesë zëvendës, midis tyre Agron Kuliçajn, ish-trupoja i Kryeministrit Berisha. Kryepolici ka urdhëruar së fundmi një reformë të thellë. Të gjithë drejtorët e policisë në qarqe janë ndërruar, ndërsa lëvizje ka edhe në postet e ulëta. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm drejtohet nga Bashkim Shehu, truproja i deputetëve të Partisë Demokratike. Garda e Republikës, megjithëse varet indirekt nga Policia e Shtetit, drejtuesit i emëron ministri. Kreu i saj vazhdon të jetë i komanduar Artan Hoxha, në pritje të vendimit të gjykatës për Ndrea Prendin, i akuzuar për vrasje gjatë demonstratës së 21 janarit. Red.Akt.
Drejtuesit e ministrisë
Ministri – Flamur Noka ka qenë më parë sekretar organizativ në PD. Ka sjellë nëpunësit e administratës në rrethe për festat e mazhorancës në Tiranës
Zv.ministrat – I fundit është emëruar Arben Ristani, ish-kreu i KQZ-zë. Ferdinand Poni ka qenë në këtë ministri. Ardhje e re është edhe Nard Ndoka
Drejtorët – Armand Teliti drejton prej kohësh Gjendjen Civile, ndërsa ministria ka në varësi edhe policinë, Gardën e SHKB-në