EDUART GJOKUTAJ
Oferta politike për ulje (heqje) të shkallëve tatimore është edhe një përpjekje për të zgjeruar bazën e tatueshme. Pritshmëria është një përfshirje e atyre sipërmarrësve (evadorë të djeshëm), të cilët nxiten të hyjnë dhe integrohen për herë të parë në sistemin tatimor. Një politikë e tillë sadopak mund të reduktojë numrin e atyre që veprojnë të fshehur dhe kjo do të ishte një ndihmë në luftën ndaj evazionit dhe informalitetit. Por ulje (heqje) e tarifave tatimore duhet të ketë parasysh ambientin e lodhshëm fiskal dhe ekonomik për grupe të shumta tatimpaguesish, mbi të cilët ka rënë më fort barra e zbatimit të legjislacionit tatimor.
Në sistemin aktual ka segmente dhe grupe të ndryshme tatimpaguesish “të lodhur” nga barra më e lartë që mbajnë (mbajtur gjithashtu) në raport me grupe të tjera, për tatime të caktuara dhe sipas qarkullimit që realizojnë. Kjo pabarazi brenda të njëjtit segment dhe tatim është krijuar nga ndërthurja e politikave fiskale me politika për zhvillimin ekonomik që nuk kanë qenë reflektuese të ndryshimeve reale, nga ndërhyrje të caktuara klienteliste të grupeve politike të sponsorizuar nga monopolistë, si dhe ndërhyrjet e vetë grupimeve të fuqishme të sistemit financiar, që të gjitha së bashku kanë formatuar një administrim tatimor qendror dhe lokal, që ka pësuar deformime vende-vende në këto 20 vite.
Është e rëndësishme të përmend, që të ardhurat buxhetore për këto 20 vite janë bazuar te tatimet mbi konsumin. Edhe në vitin më të fundit ky raport nuk ka ndryshuar. Po kështu, barra më e lartë në tatimin mbi të ardhurat është mbajtur nga tatimi mbi fitimin, dhe vetëm 3 vitet e fundit tatimi mbi të ardhurat personale ka arritur të mbajë peshën kryesore te tatimi mbi të ardhurat. Si rrjedhojë, përveç ngulmimit për diskutimin mbi tatimin e të ardhurave, në kuadër edhe të diskutimit mbi efektet nga hyrja e mundshme e ligjit të ri të TVSH-së, unë ngulmoj te finalizimi dhe transparenca e diskutimit teknik lidhur me bazën e TVSH-së, mënyrat e taksimit të përshtatura për Shqipërinë, si dhe përfshirja e përvojave të mira të administrimit. Për një ruajtje të barazisë ligji duhet të përfshijë, si ato biznese që janë baza e TVSH-së aktuale, po ashtu dhe pjesën e bizneseve që janë të përjashtuar nga TVSH-ja dhe konkretisht adresimi është për sektorin agrar dhe shërbimet financiare, por pa harruar përjashtimet e shërbimeve, të sektorit të edukimit, të sektorit mediatik, si dhe përjashtime të ndryshme lidhur me skema të veçanta administrimi. Një shembull: Ata që janë të përjashtuar nga TVSH-ja nuk paguajnë TVSH, ndërsa furnitorët e tyre po. Ndërkohë, klientët e të përjashtuarve paguajnë TVSH kur mallrat e tyre i shesin në treg. Kjo mënyrë aplikimi krijon problem të madh administrimi, pasi gati të gjithë tatimpaguesit e TVSH-së janë objekt i kreditimit të pjesshëm të TVSH-së, por që për arsye të ndryshme e pasqyrojnë në vlera të ndryshme.
Lodhja e një pjese të bazës tatimore, që mban barrën kryesore të buxhetit (kompenson edhe barrën që u takon evazionistëve) ka ardhur edhe nga vetë shkalla standarde e aplikuar prej 20%. Kjo do të thotë, se në kushtet kur buxheti plotësohet në pjesën më të madhe nga tatimet e konsumit (pjesa kryesore në doganë), politika fiskale ka pasur një efekt jo të plotë në krijimin e kushteve të barabarta në administrimin fiskal të TVSH-së dhe akcizës lidhur me barrën fiskale që duhet të mbajnë tatimpaguesit importues, tregtarë, prodhues nëpër zinxhirin e qarkullimit të mallrave. Sipas llogaritjeve, nëse analizojmë një tregtar pakice (biznesi i vogël aktual) me një normë fitimi para tatimit deri 20%, ai përfiton nga shmangia e TVSH-së afër 1% të fitimit. Natyrshëm që ai është i interesuar të mos jetë pjesë e skemës së TVSH-së. Por kjo është një arsye e fortë, pse ata që janë të përjashtuar nga skema e TVSH-së duhet të jenë pjesë integrale në skemën e saj dhe të përdorin kreditimin e TVSH-së së faturave të blerjes, si pjesë e një sistemi kompleks që ka nevojë për çdo pjesë të mekanizmit të tij, që të funksionojë në harmoni me tjetrën. Sipas mundësive që ofron sistemi aktual tatimor, duke marrë parasysh edhe përjashtimet tatimore (përjashtimet nga tatimi mbi të ardhurat, TVSH-ja, akciza) përllogaritjet nxjerrin përfundimin se shkalla tatimore standarde optimale e TVSH-së do të ishte 15%, të paktën 5% më e lartë se tatimi mbi fitimin dhe TAP. Natyrisht që një shkallë të tillë nuk e përmendim si pjesë e një mendimi apriori, por e përllogaritur sipas praktikës së administrimit tatimor.
Ndikimi i ofertës politike te të ardhurat e buxhetit
Po flitet mbi politika të reja fiskale që bazohen në idetë e shpallura me një nxitim të pajustifikuar për një politikë të mirë dhe të qëndrueshme në kohë. Në ndihmë të një debati efektiv do të përmend temën mbi efektet nga aplikimi i shkallëve tatimore për secilin tatim të sistemit tatimor, të lidhur me zhvillimet industriale, demografike dhe kulturore, në funksion të arkëtimit të të ardhurave të mundshme optimale buxhetore, por duke mos dëmtuar ekonominë dhe kursimet e individëve. Çdo ndryshim i shkallës tatimore ka një efekt të dukshëm edhe në shpërndarjen e të ardhurave sipas klasave shoqërore. Nëse kemi parasysh të ardhurat sipas klasave shoqërore, nuk mund të përjashtohet tatimi mbi të ardhurat.
Po të bazojmë logjikën e skemës aktuale të taksimit të të ardhurave personale, por me një shkallë tatimore prej 15% (pra 5% më lart se shkalla aktuale) dhe ta llogaritim atë në raport me të ardhurat që merr çdo grup shoqëror (si masë matëse), atëherë individët e varfër (sektori bujqësor) do të kishin një ndikim në të ardhurat nga 3% deri 5%. Ndërsa individët e klasës së mesme do të kishin një ndikim në të ardhurat në nivelin nga 2% deri 4%. Ndërkaq, individët e klasës së pasur do të përjetonin ndikim në të ardhurat deri në nivelin e 10%. Ky efekt do të ishte më i dukshëm, nëse neutraliteti i të ardhurave do të arrihej nëpërmjet aplikimit të përjashtimeve sa më të pakta. Por, nëse shkallëzimi ngjitës i tatimit të të ardhurave personale do të zbatohej me një prag më të lartë përjashtues nga tatimi se deri më sot, atëherë do të kishte një përpjesëtim më të drejtë të tatimit të individëve dhe bizneseve me të ardhura deri në kufijtë e të ardhurave normale të jetesës dhe kursimeve, si dhe një barrë më të madhe në vlerë, por në përpjesëtim të drejtë me të ardhurat për individët që realizojnë të ardhura mbi kufijtë, p.sh. 100 milionë lekëve.
Nëse mbajmë parasysh të ardhurat e shpërndara sipas brezave të shoqërisë, propozimi për të zhvendosur barrën tatimore nga tatimi mbi konsumin drejt tatimit mbi të ardhurat do ta kalonte këtë barrë në fakt në më shumë shtresa dhe grupime të ndryshme shoqërore. Barra tatimore do të zhvendosej me ngadalë nga konsumi individual te paga dhe kapitali. Duke qenë se individët e pasuruar rishtazi zotërojnë tashmë kapitale, barra do të tentojë të zhvendoset mbi këta individë.
Atëherë…
Ka një mendim të përbashkët se një tatim është “i mirë” kur ai mbulon një numër sa më të gjerë tatimpaguesish dhe aktivitetesh apo thënë ndryshe është një piramidë me bazë sa më të gjerë. TVSH dhe TAP kanë të nevojshme të vazhdojnë të administrohen fuqishëm, duke rritur përdorimin e kapaciteteve në dispozicion dhe luftuar sëmundjen që po zhvillohet: korrupsionin. E kundërta mund t’i degjenerojë këto tatime në deformuese të sistemit tatimor, që frenojnë rritjen e ekonomisë dhe specializimin e sektorëve të saj, duke i kthyer në një peshë mbi zinxhirin e qarkullimit, duke bllokuar qarkullimin normal. E gjithë shoqëria, pavarësisht ylberit politik ku është përfshirë, duhet që t’i shikojë agjencitë e të ardhurave si një aset i vendit, që duhet të promovohet. E kundërta nuk vlen.
Çdo hap i administrimit është një distancë e shkurtuar drejt të mirave publike.
Më mirë parandalimi, sesa kurimi që ka kosto dhe nuk garantohet rezultati pozitiv.