Krimi me çekiç
Avokati: I biri i ka treguar të atit në një lokal, personat që kishin lidhje me Limen
Vali Qyrfyçi
“E shoqja ishte imorale dhe autori është viktimë e situatës së krijuar e nxitur prej saj”. Në sallën e gjyqit, avokati mbrojtës është munduar ta paraqesë njeriun që në fundjavë masakroi me çekiç nënën e dy fëmijëve të tij, si viktimën e vërtetë të ngjarjes. Një ditë më parë, Gjykata e Durrësit ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat për Bujar Dedej, burrin që natën e së premtes vrau me çekiç ish-bashkëshorten në shtëpinë ku jetonin të dy pas divorcit.
Prokurori i çështjes, Kujtim Basha, ka ndërtuar gjatë seancës për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë së Dedejt të gjithë skenën e krimit, duke e akuzuar Bujar Dedejn për vrasje me paramendim, pasi e ka goditur kur viktima ishte në gjumë dhe e pazonja për të reaguar ndaj goditjeve që kanë shkaktuar traumë te dy fëmijët, të cilëve autori u ka thënë pas vrasjes, të lajmërojnë fqinjët dhe është larguar nga banesa.
I arrestuari Bujar Dedej nuk ka folur në sallën e gjyqit, ndërsa mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Flamur Gjuzi ka tentuar të lehtësojë klientin e tij, duke thënë se ai e ka kryer krimin në gjaknxehtësi e sipër dhe se ishte një burrë që vuante dhunën dhe tradhtitë e ish-gruas që po cenonin dhe jetën e fëmijëve të tyre.
“Bujar Dedej kishte edhe dy urdhra mbrojtjeje të lëshuar nga Gjykata e Durrësit më parë, urdhra të cilët duhet të merren parasysh. Ashtu si duhet të merret parasysh dhe ajo që dëshmon lidhur me fëmijët dhe reagimin e djalit të tij”, tha avokati mbrojtës, Gjuzi, i cili duke iu referuar komunikimit me të arrestuarin, tha se i biri i viktimës dhe autorit e ka dërguar të atin në një lokal ku, sipas tij, u ka treguar disa persona, të cilët kishin lidhje me të ëmën.
Deklarata duket e çuditshme, pasi flitet për një fëmijë në fillore, ndërkohë që pas divorcit me Limen ish-bashkëshorti nuk kishte pse të xhelozonte mbi lidhjet e saj, edhe sikur këto të ishin reale. Fqinjët e Limes dhe Bujar Dedejt tregojnë se Bujari nuk e linte as të punonte dhe as të dilte në derë, jo më të kishte “një ushtri të dashurish”, siç pretendon autori i këtij krimi. Ndërkohë, zyrtarisht zëdhënësja e policisë së qarkut, dy ditë më parë tha për gazetën se, gjykata kishte lëshuar urdhër-mbrojtjeje kohët e fundit për viktimën Lime Dedej.
Marrëdhënia e çiftit vitet e fundit ka qenë mjaft e rënduar dhe në komisariatin e policisë janë bërë disa denoncime nga të dy për dhunë fizike dhe psikologjike në familje. Ndërkaq, në seancën gjyqësore për vlerësimin dhe caktimin e masës së sigurisë, gjyqtarja Arjana Liço, pasi ka dëgjuar të dyja palët, e ka vlerësuar të ligjshëm arrestin në flagrancë dhe ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorit të çështjes për arrest në burg. Bujar Dedej, i punësuar si hidraulik në Shoqërinë Ujësjellës-Kanalizime Durrës, vrau ish-bashkëshorten e tij, pak kohë pas divorcit, duke deklaruar në polici se krimin e kreu pasi nuk duronte dot imoralitetin e së shoqes, gjë që i çoi drejt divorcit e më pas drejt krimit.
