Në fund të viteve ‘90 dhe në fillim të vitit 2000, fama e tij kishte arritur kulmin. Ishte repereri i parë pa ngjyrë, që tronditi botën e muzikës me këngët e tij. Ka pasur probleme me drogën, alkoolin, qetësuesit. Ka fituar gjithçka. Madje dhe një “Oscar”. U zhduk për 5 vjet dhe u kthye sërish. Epopeja e një djaloshi që lufton kundër vetvetes
Thonë se jeta fillon në moshën 40-vjeçare. Ndoshta është thjesht një mënyrë e mirë për t’u qetësuar përballë kohës që kalon. Kështu duhet të jetë edhe për Eminemin. Ai, reperi i bardhë që në fillim të viteve 2000 tronditi botën, sapo i ka mbushur të 40-at. Tani është protagonist i një jete të re, e nisur tre vjet më parë me rikthimin diskografik pas pesë vitesh pushim. Dy albume njëri pas tjetrit “Relapse” (2009) dhe “Recovery” (2010), shoqëruar me vendin e parë në klasifikim dhe të vlerësuar të dy me çmimet “Grammy” si albumet më të mira hip-hop të sezonit. Pastaj qershia mbi tortë ishte dueti i paharrueshëm me Rihanën në këngën “Love the way you lie” dhe një album i ri që pritet të dalë. Me pak fjalë, Eminem është aty, i zhytur në muzikën e tij, në aktivitetin si producent diskografik. Me më shumë se 60 milionë fansa në “Facebook”, dhe një jetë të re. Para ditëlindjes së tij të 40, “ekzistenca” e parë e Marshall Bruce Mathers III – emri i pagëzimit të Eminem – u mbyll në vitin 2004, me një album me titullin emblematik “Encore”. Në 2006 erdhi një tjetër album me një titull të veçantë “Curtain Call” ku përfshihen këngët e tij më të suksesshme. Pesë vitet “pushim” treguan se Eminem kishte nevojë për diçka tjetër, diçka më të veçantë. “Nuk kam bërë kurrë hip hop për të qenë i famshëm. Nuk ishte ai qëllimi im. Ajo që më bën vërtet lumtur është muzika. Nëse do të mundesha, do të botoja albume vit pas viti, pa bërë asgjë tjetër”, tregon ai. Porsa i përket lidhjes së tij me muzikën rrep, Eminem tregon se që në moshën 20-vjeçare ka nisur të “ndiejë” diçka për këtë muzikë. “Nisa të lidhesha shumë pas saj vetëm pas daljes së filmit autobiografik ‘8 Mile’ (2002), por duhet të ketë qenë viti 2005 kur u dashurova plotësisht me të, duke ndjekur me vëmendje gjithçka që kishte lidhje me atë muzikë. Që nga ajo ditë e deri më sot, nuk jam ndarë më”. Porsa i përket albumit të tij të preferuar, vlerëson “Recovery”, ndërsa atë që ka më pak për zemër është “Relapse”. Nga këngët, “Lose Yourself” renditet e para. “Nuk ka asnjë arsye të veçantë për këtë, por më pëlqen grinta, inati dhe fjalët e asaj kënge. Në më pak se pesë minuta aty mund të dëgjosh gjithë historinë e jetës sime”, tregon.
Drogat
“Merrja nga 10 deri në 20 ilaçe Vicodin çdo ditë. Pastaj vinin gjithë të tjerat, valiumi dhe ilaçet për të fjetur. Por vjen një pikë kur je i detyruar të thuash: në djall vafshin të gjitha. Për mua, kjo erdhi kur nisa të ndieja që talenti im po humbte dhe unë nuk mund të ecja më përpara kështu”.
Përvoja në klinikë i shërbeu shumë, por nuk e shëroi plotësisht. Që nga hera e parë, nuk kishte kaluar shumë kohë kur do të kthehej sërish. “Shtrimi në klinikë më ndihmoi shumë, sepse më dha atë për të cilën kisha nevojë. Më bëri të kuptoja shumë gjëra, por efekti nuk zgjati shumë. M’u desh të rikthehesha aty edhe për disa herë të tjera”. Tani thotë se nuk ka më probleme të tilla, se këto i përkasin së kaluarës. Eminem nuk ka dashur kurrë të flasë për dy vajzat e tij Hailie, e lindur nga martesa me Kimberly Scott, 16 vjeç, dhe Alaina, vajza e motrës së Kimberly, që ai e ka adoptuar e që tani është 19. Në autobiografinë e tij “The way I am” shkruan se shqetësohet për t’i mbrojtur gjithmonë. A ia ka arritur deri tani? “Nuk preferoj t’i përgjigjem kësaj pyetjeje”, ta pret shkurt.
Projektet për të ardhmen
Edhe pse shfaqet shumë rrallë në intervista, reperi më i dashur nga të gjithë, Eminem, thotë se është ende duke punuar. “Dua që ato që do të bëj, të jenë gjëra cilësore. Albumi i ri pritet të dalë në vitin 2013 dhe për këtë, kam rreth dy vjet që po merrem”, thotë ai. Edhe pse i shkëputur, Eminem mbetet një nga artistët më të pëlqyer në rrjetin social “Facebook”. Faqja e tij e internetit ka më shumë se 61 milionë fansa dhe deri pak kohë më parë, ishte e para ndër artistët më të preferuar deri sa vendin e tij e zuri Rihana. Billboard e ka kurorëzuar si artistin që ka shitur më shumë albume gjatë dekadës së fundit dhe me siguri, dueti i ardhshëm me Lady Gaga do t’i shtojë pa diskutim shitjet e këngëve të tij.