Zhvillimet


Palët bien dakord të negociojnë pozicionet në paketën aksionare


CEZ thotë zyrtarisht se nuk ka ndërmend të largohet nga Shqipëria dhe se planet e saj janë afatgjata, ndërsa ERE mendon për një zgjidhje pa shumë komplikacione. Të dyja palët janë ballafaquar edhe një herë dje, dhe duket se i kanë dhënë shans për diskutime të mëtejshme, si shans për zgjidhje të butë. Zyrtarë të ERE-s, thonë për gazetën “Shqip”, me ndihmën e negociatorëve ndërkombëtarë, duke pasur parasysh Bankën Botërore, do të gjendet një zgjidhje pa shumë ndikime financiare në dëm të palës shqiptare, duke nënkuptuar se pozicioni i CEZ në paketën aksionare të CEZ Shpërndarjes, do të rishikohet. Të tjera burime u shprehen dje për mediat, se kompanisë do t’i hiqen disa shërbime, por edhe këtu ka paqartësi.


Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, në periudhën e të cilit nisi edhe konflikti, u shpreh dje për “Vizion Plus”, se heqja e licencës nuk do të thotë asgjë për zgjidhjen e problemit, se sa mënyra e formatimit të paketës së aksioneve, duke qenë se CEZ i ka blerë për 102 milionë euro dhe nuk dihet se si qeveria mund t’ia rimarrë ato (një pjesë).


Mbledhja e ditës së djeshme u shty për një afat të papërcaktuar, kurse BB po qëndron midis palëve si “amortizator” për zgjidhje të butë. Drejtori juridik i ERE-s, Eduard Elezi, u shpreh dje në konferencë të posaçme për shtyp, se mbledhja u shty për t’i dhënë më shumë kohë palëve për verifikimin dhe analizimin më të saktë të të dhënave.


Tre operatorët energjetikë, CEZ Shpërndarje, OST-ja dhe KESH-i kanë paraqitur kërkesat e tyre për rishikim të çmimeve të energjisë dhe kostove operative, si edhe planet përkatëse të investimeve. Për çmimin e energjisë që paguan konsumatori familjar nuk mund të bëhet kërkesë rishikimi, pasi ERE ka marrë vendim për ruajtjen e këtyre tarifave deri në fund të vitit 2014. Kompanitë kërkojnë një harmonizim më të mirë të kostove për sa u përket operacioneve të përbashkëta dhe të tregut energjetik në përgjithësi.