India dhe Kina

Konflikti i ngrirë në çatinë e botës

Pesëdhjetë vjet pas luftës së përgjakshme të Himalajave, kufiri mbetet ende i papërcaktuar

The Economist

I nderuari Lobsang Norbu, murgu 77-vjeçar i cili udhëheq disa manastire të budizmit tibetian të vendosura në majat e larta të Arunakal Pradeshit në Indinë Verilindore, rikujton luftën “e tmerrshme” që Kina kreu 50 vjet më parë këtë javë. Në fillim u shfaqën zjarret që ndriçuan natën dhe më pas shpërthyen bombat dhe armët. Fshatarët e terrorizuar dhe murgjit u arratisën përmes pyjeve të pishës për te shteti i Butanit. Shumë nga ushtarët indianë të keqpërgatitur e keqpajisur u zunë nga paniku dhe vrapuan po aq shpejt.

Banorët e tjerë kujtojnë shfaqjen e papritur të ushtarëve të Kinës, të cilët Mao Tsedung i pati dërguar fillimisht për të shtypur kryengritjen në Tibet. Sulmuesit kapërcyen kufirin e pacaktuar në lartësitë e Himalajës. Ata pushtuan me shpejtësi qytetin manastir të Tauang që është pikërisht poshtë Tibetit.

Karma Uangçuk punonte në atë kohë për shërbimin sekret të Indisë. Ai thotë se u fsheh mes barit të lartë dhe numëroi ushtarët që po kalonin aty, “disa mbanin kapele të bardha”. Kur numëroi më shumë se 500 vetë, u dallua dhe i qëlluan. Vrapoi për të shpëtuar jetën në rrafshnaltat e Indisë poshtë malit. Disa banorë të tjerë, të cilët janë të etnisë Monpa dhe kanë një gjuhë të ngjashme me atë të Tibetit, tregojnë se ushtarët kinezë në fund u sollën mirë me civilët. Megjithatë, ata nuk kishin dyshim se qenë dhe dëshironin të mbeteshin pjesë e Indisë.

Gazetat e Indisë e përkujtuan 50-vjetorin e asaj lufte ndërsa zyrtarët në Delhit e injoruan kujtimin e asaj disfate poshtëruese për kombin. “Pati shumë pak krenari”, në ngjarjet e vitit 1962, tregon Ajai Shukla, autor i një libri ende të pabotuar mbi luftën kufitare sino-indiane.

Tensioni ishte rritur në fund të viteve ‘50 mbi kufirin e pacaktuar, i cili është 3380 kilometra i gjatë. Në atë kohë, India ishte informuar për një rrugë që kinezët po ndërtonin drejt kufirit të tyre. Rajoni i zbrazur pretendohej nga India, si pjesë e shtetit Ladakh, por për kinezët, ajo zonë ishte dhe vijon të mbetet një lidhje strategjike mes Tibetit dhe Xinjiang. Gjeneralët e Indisë qenë shumë të bindur se kinezët nuk kishin as dëshirën dhe as aftësinë për të filluar një luftë dhe nuk u kujdesën shumë për kufirin. Udhëheqësit komunistë të Kinës kishin gjithsesi ide të tjera. Ata qenë veçanërisht të zemëruar nga vendimi i Indisë për t’i dhënë Dalai Lamës statusin e emigrantit. Ata përqendruan trupa në male dhe u përgatitën për luftë.

Agresorët zbritën në jug dhe lufta shkaktoi rreth 4500 viktima deri sa Kina, në mënyrë të njëanshme, e deklaroi atë të fituar dhe u largua vetë. Kinezët ekspozuan dobësitë e ushtrisë së Indisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve mbetën gjithsesi të acaruara që nga ajo kohë. Ata janë qetësuar disi gjatë dy dekadave të fundit dhe që nga viti 1993 nuk është shënuar asnjë e shtënë arme përgjatë kufirit. Megjithatë, çështja mbetet e pazgjidhur.

Indianët e zakonshëm kanë paguar çmimin e këtij konflikti të pazgjidhur. Frika nga Kina ka bërë që India të mos investojë për ndërtimin e hidrocentraleve, rrugëve, urave dhe hekurudhave dhe zona mbetet e varfër dhe në rënie.

Kina është aktualisht partneri kryesor tregtar i Indisë dhe shkëmbimi i mallrave ka një volum prej 74 miliardë dollarësh në vit. Megjithatë, shumica dërrmuese e mallrave shkëmbehen nga deti. Për rrjedhojë, India verilindore mbetet e prapambetur, një tokë e harruar mes Bangladeshit, Maimarit dhe Kinës. Në kohët e vjetra, furnizimet për kryeqytetin e Tibetit, Lasa, kryheshin përmes kësaj zone nga Kalkuta. Dhe në vend të tregtisë, rajoni po sheh rritje të vazhdueshme të forcave ushtarake. Të shqetësuar nga ndërtimi i një hekurudhe dhe një rruge për të gjitha stinët në rrafshnaltën e Tibetit gjatë dekadës së fundit, India po zhvillon forcat e veta ushtarake në zonën kufitare. Sot, nevojiten dy ditë rrugë me makinë për të shkuar deri te kufiri kinez, i cili gjendet aq lartë në male sa nuk ka pemë, por vetëm bar të lartë. India po ndërton një rrugë e cila do të shërbejë para së gjithash për të lëvizur një ushtri në rast lufte. Ajo po krijon edhe katër divizione të reja me 70 mijë ushtarë, si dhe po ndërton baza të reja më të mirëpajisura. Rreth gjysmë milion njerëz po qëndrojnë aktualisht përballë njëri-tjetrit me sy hapur në gatishmëri për t’u përballur me armikun, për një hapësirë të pabanuar në lartësi malesh të frikshme. Shumë i druhen ndonjë konflikti aksidental.

Një marrëveshje është propozuar prej vitesh. Kina kërkon të mbajë një zonë të quajtur Aksai Çin në perëndim, ndërsa Indisë i bie të mbajë 80 mijë kilometrat katrore të Arunakal Pradeshit. Pekini ka dhënë sinjale se është i gatshëm për një kompromis të tillë, por politikanët në Indi besojnë se votuesit nuk do ta tolerojnë humbjen e një territori, edhe në rastet kur në këtë territor nuk ka realisht popullsi.

Edhe Kina mund të tregohet kokëfortë. Ajo shkaktoi tensione pak kohë më parë kur qëllimisht vendosi viza për banorët e Arunakal Pradeshit mbi copa letre dhe jo mbi pasaportat e tyre, duke sugjeruar se nuk e njeh autoritetin e Indisë mbi këtë shtet.

Marrëdhëniet kufitare janë përmirësuar gjatë viteve të fundit, megjithëse nuk ka pasur progres në vetëzgjidhjen e problemit. Në disa raste, njoftohen plane për stërvitje të përbashkëta, të cilat harrohen më vonë. Gjithsej 16 takime janë zhvilluar për të zgjidhur mosmarrëveshjen mes dy vendeve, por pa sukses.

Me kalimin e viteve, Kina po bëhet më pak e interesuar në këtë kufi të qetë, por vëzhguesit shqetësohen për faktin se ndonjë gjeneral kinez apo ndonjë grupim nacionalist mund të nxisë një konflikt verbal, të cilin diplomatët e Kinës do ta kenë të vështirë ta përmbajnë.

Ndërkohë në luginën Tauang, Dorjee Khandu Thongdok, një politikan, bën fushatë për të rritur ndërgjegjësimin për “vuajtjet e pësuara gjatë agresionit kinez” të vitit 1962. Ai nuk ka besim se bisedimet me Kinën mund të sjellin një zgjidhje, megjithëse asnjë luftë nuk është një opsion i mirë. Por ai beson se kinezët mund të sulmojnë sërish zonën dhe India do të jetë sërish e humbur.

 

Autor te 23 Tetor 2012. Ndryshe. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry