Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë (KVV), duke vlerësuar zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe duke iu uruar sukses në përmbushjen e detyrës së tyre, iu bën thirrje që të mblidhen sa më parë për t’i paraprirë në kohë detyrimeve dhe afateve që parashikon ligji zgjedhor.


Nëpërmjet një deklaratë për mediat, koalicioni tërheq vëmendjen në veçanti në lidhje me marrjen sa më parë të masave për realizimin e teknologjisë së re informative në Zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013, të cilat sipas afateve të përcaktuara në Kodin Zgjedhor duhet të kishin filluar jo me vonë se në datën 1 tetor 2012.


Gjithashtu, duke synuar realizimin e një procesi zgjedhor sa më të arrirë, Koalicioni i bën thirrje Presidentit të Republikës z. Bujar Nishani, që në zbatim të Nenit 9 të Kodit Zgjedhor, të marrë në shqyrtim dhe të dekretojë sa më parë datën e Zgjedhjeve të Ardhshme Parlamentare.


“Pavarësisht limitit të parashikuar nga ligji i cili është data 7 dhjetor 2012, dekretimi sa më parë i datës së zgjedhjeve do të sigurojë kohë të mjaftueshme në dispozicion të institucioneve përkatëse për nisjen e një sërë procesesh të rëndësishme të ndërtimit të infrastrukturës zgjedhore si: përgatitja e listës së zgjedhësve, caktimi dhe shpërndarja e Qendrave të Votimit (neni 62/5), miratimi i anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor etj., afatet e nisjes se të cilave kushtëzohen nga dekretimi i datës se zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e këtij komisioni.


23 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)