Të tjera vonesa për interkonjeksionin 400 kv. Vendi, peng i linjave malazeze dhe greke
Mediat kosovare hedhin dyshime se mbrapa zvarritjes së projektit qëndrojnë tregtarë serbë të energjisë
Të tjera mistere dhe paqartësi rrethojnë projektin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, pra ndërtimi i linjave elektrike me kapacitet 400 kilovolt. Në prag të njëvjetorit të tenderit 75 milionë eurosh që solli përplasjen e madhe mes qeverisë shqiptare dhe bankës gjermane, KfW, duket se palët po shkojnë drejt një fundi pa fund. E thënë ndryshe, në letrën-përgjigje të OST-së, drejtuar KfW-së, pala shqiptare pranon të anulojë tenderin, por duke u angazhuar se do të plotësojë kushtet e bankës gjermane.
Pavarësisht paralajmërimeve të bankës gjermane se anulimi i tenderit do të shkaktojë pasojë të forta financiare, pala shqiptare vendos ta çojë deri në fund planin e ribërjes nga e para. Kështu, linja me Kosovën do të vonohet edhe për dy vjet të tjera, ndërsa Shqipëria do të qëndrojë e varur nga linjat me Malin e Zi dhe ato greke.
“Top Channel” zotëron një dokument zyrtar, ku Operatori i Sistemit të Transmetimit njofton zyrtarisht bankën gjermane KfW, si financuese e projektit, se pala shqiptare ka vendosur anulimin e tenderit dhe ribërjen e tij. Në një letër të dërguar në shtator, banka gjermane, ndonëse rikëshillon qeverinë të mos e anulojë tenderin, e ka paralajmëruar atë që në rast ritenderimi, duhet t’u përmbahet tri kushteve të panegociueshme për të mos humbur financimin. Sipas letrës, KfW do të vazhdojë financimin e projektit nëse tenderi i ri do të ndahet në dy pjesë të veçanta mes Shqipërisë dhe Kosovës. Po kështu, një tjetër kusht i vendosur nga KfW është mbajtja e standardeve të larta teknike si kritere në tender, ndërsa kushti i fundit është ai që pala shqiptare të pranojë rezultatin e tenderit, cilido qoftë ai për të shmangur një ngërç të dytë.
Nuk ka vonuar përgjigjja e palës shqiptare, që pak ditë më vonë, përmes OST-së njofton zyrtarisht bankën gjermane për anulimin e tenderit dhe vendimin e ribërjes së tij. Në letër, kreu i OST-së, premton se institucioni që ai drejton do i përmbushë tri kushtet e vendosura nga KfW, por nuk garanton se të njëjtën gjë do e bëjë edhe Ministria shqiptare e Financave.
“Duke mbajtur parasysh komunikimet me Ministrinë e Financave, na lejoni t’ju informojmë se kjo ministri nuk mund të përfshihet si palë në procesin e ritenderimit”, thuhet në letrën që OST-ja i dërgon bankës gjermane.
Pra, OST-ja pranon kushtet, por nuk garanton qëndrimin e Financave, pasi ribërja nga e para e tenderit do të thotë nisje e negociatave të reja për kushtet e kredisë, me vlerë 42 milionë euro. Drejtori i KfW-së për Shqipërinë, tha për gazetën “Shqip”, tri ditë më parë se, vonesa prej një viti dhe si zvarritjet e ardhshme mund të shkaktojnë kosto të dyfishtë, si në aspektin e pagesës shtesë për konsulentin, ashtu edhe për negocimin e kontratës së kredisë me termat aktuale të tregut, që do të thotë të tjera interesa huaje, ndoshta më të larta.
Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate “Dalekovod”. Por qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve, duke u shprehur se çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dytë, duke kërkuar ritenderimin. Gjithçka nisi pasi qeveria shqiptare ka ndryshuar gjatë rrugës fituesit e tenderit për linjën e interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në një shkrim të saj, e përditshmja e Prishtinës “Zëri”, në prillin e këtij viti, theksonte se qeveria shqiptare ka prishur tenderin me kompaninë kroate “Dalekovod” në favor të boshnjakes “Energo Invest”. Sipas “Zërit”, lobues për këtë manovër ka qenë Damir Fazlliç, i cili ka lidhje me qeverinë shqiptare dhe ka bërë biznes me biznesmenin e njohur serb Vuk Jamoviç, i cili përfitonte nga kjo çështje, pasi Serbia do të mbante monopolin e furnizimit me energji të Shqipërisë dhe Kosovës.
A.K.
Qëndrimi
Opozita: Favorizim interesave serbe
Opozita e konsideron si jo të rastësishëm anulimin e tenderit për linjën me Kosovën, duke akuzuar qeverinë se po shkel interesat kombëtare. “Në ditën kur Berisha derdhte lot patriotizmi në Kosovë, ish-truproja e tij, Arben Ibro, si drejtor i OST-të në Shqipëri, i kërkonte bankës gjermane anulimin e tenderit për ndërtimin e linjës 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës”, thotë deputeti socialist, Artan Gaçe. Sipas deputeti Gaçe, zvarritja e ndërtimit të linjës po bëhet me qëllim për të ruajtur monopolet serbe në energji. “Është shumë e qartë ajo që ne kemi thënë që në fillim, që zvarritja dhe anulimi i këtij tenderi kanë si qëllim të vetëm, mosbërjen e kësaj linje për të mbajtur të varur si Shqipërinë po ashtu edhe Kosovën nga linjat e transmetimit të serbëve, në të cilat aktualisht funksionon gjithë rrjeti energjetik shqiptar”, tha Gaçe.