Ministria e Mbrojtjes ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit të PS, Taulant Balla lidhur me parregullsitë që ekzistojnë sipas tij në procesin e privatizimit të pronave të ushtrisë shqiptare. Përmes një deklarate të shtyp, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri ka sqaruar procedurat me të cilat ka vepruar Ministria e Mbrojtjes dhe titullari i saj, Arben Imami në lidhje me privatizimin e pronave të ushtrisë, ndërsa e ka cilësuar të turpshme fushatën e ndërmarrë nga ana e PS kundër Ministrisë së Mbrojtjes, e cila sipas tij ka vendosur interesat e veta mediokre dhe banale mbi ato kombëtare.


“Deputetit Taulant Balla, për herë të fundit dhe njëherë e mirë i themi se Ministria e Mbrojtjes NUK shet prona. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura pasi shqyrton listën e pronave që do t’i mbeten në përdorim Forcave të Armatosura në funksion të zbatimit të misionit kushtetues, i propozon ministrit të Mbrojtjes listën e pronave që si rrjedhojë dalin të tepërta nga Plani i Përhapjes. Ministri i Mbrojtjes i përcjell Presidentit të Republikës listën me pronat që dalin tepër, i cili i miraton ato me dekret.

Më konkretisht, ministri Imami ndër 1006 pronat që kanë dalë të lira në këto 20 vjet ka propozuar vetëm 67 të tilla për të dalë nga Plani i Përhapjes ose më saktë 6 % të tyre. Z. Balla duhet të kuptojë që shokët e tij socialist, ish-ministra të Mbrojtjes, kanë vepruar shumë mirë që kanë nxjerrë të tepërta me qindra prona. Do apo nuk do deputeti Balla, në tre vitet e fundit, pushtetit vendor dhe institucioneve të tjera u janë transferuar 71 prona në bazë të kërkesave të tyre. Ashtu sikurse nga 25 prona të tjetërsuara, 70 % të tyre i kanë përfituar ish-pronarët me të drejtë parablerje me procedurë ankandi pranë Ministrisë së Financave”, – theksoi Kulluri.


Ai iu referua edhe denoncimit pak ditë më parë nga ana e deputetit socialist të privatizimit të pronave në Dajt të cilat sipas tij janë përfituar nga familja e deputetit socialist Qefalia, ndërkohë që theksoi se kjo procedurë është realizuar në përputhje të plotë me ligjin, ashtu si në rastet e tjera.


“Sa për kujtesë, një nga ish-repartet ushtarake në zonën e Dajtit që gazetari i terrenit Taulant Balla demonstroi disa ditë më parë, është përfituar nga familja e deputetit socialist Qefalia. Kjo procedurë është realizuar në përputhje të plotë me ligjin ashtu si në rastet e tjera. I gjithë dokumentacioni i pronave të tepërta dhe trajtimit të tyre, i nënshtrohet shqyrtimit apo kontrollit ligjor, çka jo vetëm që nuk tremb askënd, por përkundrazi përbën një garanci më tepër për menaxhimin e deritanishëm në përputhje me ligjin”, theksohet në deklaratën për shtyp të sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

23 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)