“Fiks Fare”
Zbardhet korrespondenca mes kompanisë zvicerane dhe drejtorit të kombinatit në Poliçan
Fishekët, pasi nxirren nga kutitë e vjetra metalike, seleksionohen, pastrohen dhe paketon në arka të reja druri, me datë prodhimi 1 shtatorin 2012
“Fiks Fare” publikoi dje korrespondencën e përfaqësuesit të një kompanie zvicerane të licencuar për tregtimin e armëve me drejtorin e kombinatit mekanik të Poliçanit.
Në një letër drejtuar drejtorit të kombinatit të Poliçanit, përfaqësuesi i kompanisë zvicerane, z. Marius Joray AG i kërkon porosinë për fishekët tip 7,62X 39, por të mos jenë prodhim kinez dhe as rus.
Në këtë korrespondencë kuptohet qartë që përfaqësuesi i kompanisë zvicerane ka vizituar ambientet dhe magazinat e kombinatit të Poliçanit.
Në këtë korrespondencë, ai bën një kërkesë për 10,000 deri në 50,000 copë. Çmimi i shitjes duket se nuk është caktuar akoma, por porositësi kërkon të dijë nëse drejtori i kombinatit të Poliçanit e disponon apo jo këtë sasi fishekësh.
Në reagimin e tij për mediat, drejtori i kombinatit të Poliçanit sqaroi se pretendimi për shitje të paligjshme të fishekëve është absurd dhe procesi i ripaketimit të municioneve është praktikë normale pune.
“Në kuadër të shkatërrimit të municioneve të vjetra, ne bëjmë seleksionimin përpara djegies së tyre, në mënyrë që ato municione të vlefshme të mos shkatërrohen, por të përdoren për qëllime të ndryshme të ushtrisë”, ka sqaruar drejtori Gojka duke shtuar se procesi i ripaketimit është më se normal dhe se “pretendimi për shitjen e tyre si municione të reja është absurd dhe keqdashës”.
Në pamjet e publikuara nga “Fiks Fare” dallohet qartë që fishekët pasi nxirren nga kutitë e vjetra metalike, seleksionohen, pastrohen dhe paketon në arka të reja druri, me datë prodhimi 1 shtatorin 2012.
Ndërkohë që dokumentet e publikuara dëshmojnë për një korrespondencë me një kompani të licencuar zvicerane për blerjen e armëve, e cila bën një porosi pranë drejtorit të kombinatit të Poliçanit për fishekë arme kallashnikovi, por që të mos jenë prodhim rus dhe as kinez.