Përplasjet sektare vijojnë prej dy ditësh me shumë viktima në republikën e vogël
Ushtria e Libanit u kërkoi udhëheqësve politikë të vendit të tregojnë kujdes kur japin opinionet e veta në përpjekje për të qetësuar tensionet e forta sektare. Ushtria po përpiqet të ndajë grupimet e religjioneve të ndryshme nga përplasjet që kanë ndodhur në të gjithë vendin dhe që janë një ekstension i konfliktit ushtarak në Sirinë fqinje. Tensioni u shtua kur një makinë bombë të premten e kaluar vrau një zyrtar të lartë të shërbimeve sekrete, i cili po punonte për të luftuar agjentët e Damaskut, që duket se po kërkojnë të destabilizojnë këtë vend.
Së paku tre njerëz u vranë në qytetin e Tripolit në veri të kryeqytetit Bejrut, si pasojë e konfrontimeve mes myslimanëve suni dhe atyre shia. Ushtria ka vendosur trupa në kryeqytet, ku janë shënuar gjithashtu përplasje sektare. Në një deklaratë, ushtria deklaroi se “është provuar përtej çdo dyshimi se vendi po shkon drejt një faze kritike dhe se tensioni në disa rajone po arrin në nivel të paprecedent”. Ushtria u kërkoi udhëheqësve politikë të bëjnë kujdes në deklaratat e tyre pasi “fati i kombit është në rrezik”.
Korrespondentët e huaj thonë se ushtria në Liban është një institucion gjerësisht i respektuar, që shpesh është vendosur në mes të grupimeve të ndryshme fetare e politike në vendit. Por pas disa ditë përplasjesh fizike, deklarata e ushtrisë nuk është asgjë tjetër veçse një paralajmërim se situata mund të përkeqësohet më tej.
Përplasjet në rrugë filluan pas funeralit të gjeneralit Wissam al-Hassan, një mysliman suni, i cili drejtonte degën e shërbimit sekret të brendshëm. Ai u vra me një makinë bombë, së bashku me truprojën e tij dhe së paku një kalimtar. Politikanët e opozitës akuzuan Sirinë si përgjegjëse për sulmin.
Bashkësitë fetare të Libanit janë të ndara mes atyre që mbështesin qeverinë e Sirisë, përfshirë shumë shia dhe ata që mbështesin rebelët. Gjenerali Hassan ishte një kritik i ashpër i presidentit të Sirisë Bashar al-Assad.
Kryeministri Najim Mikati, një suni, ofroi dorëheqjen, por u refuzua nga presidenti. Të hënën, dhjetëra njerëz krijuan një kamp para zyrave të Mikatit, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Në qeveri, lëvizja Hezbollah, e cila mbështet Al–Assad, është një forcë e rëndësishme. Përpjekjet e Libanit aktualisht janë që ky vend të mbetet jashtë konfliktit të Sirisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se do të ndihmojnë Libanin në hetimin e atentatit me bombë. Ushtria e Sirisë e mbajti të pushtuar Libanin për 29 vjet dhe u largua vetëm në vitin 2005.