ANDREA STEFANI


[email protected]


Çfarë do të ndodhë nëse tri kushtet që i janë vënë aktualisht Tiranës nuk plotësohen ose plotësohen vetëm pjesërisht? Kjo ishte pyetja që iu bë europarlamentarit Eduard Kukan nga një pjesëmarrëse, gjatë një takimi me temë “Shqiptarët në Europë”. Një pyetje e ngarkuar me shqetësimin se çdo të ndodhë me projektin e integrimit europian nëse politikanët shqiptarë do të bëjnë përsëri atë që kanë bërë në këto 20 e kusur vjet tranzicion. Por Kukan vendosi të shfaqë një optimizëm të verbër, që neglizhon shkaqet që qëndrojnë prapa vijave të konsoliduara të sjelljes së politikanëve, përgjithësisht, dhe qeverisë së zotit Berisha veçanërisht. Kukan iu përgjigj pyetjes: “Po të isha në vendin tuaj nuk do ta kisha bërë një pyetje të tillë. Unë mendoj se ju duhet të mendoni sesi këto tri kushte duhen përmbushur, e jo se ‘çfarë do të ndodhte nëse ne nuk i përmbushim’. Unë refuzoj të mendoj një mundësi të tillë”. Një optimizëm alarmues, sepse të jep të kuptosh që Kukan nuk kupton, ose nuk e kanë informuar si duhet për të kuptuar se konflikti politik në Shqipëri nuk bëhet për probleme konvencionale, pra lehtësisht të kapërcyeshme, se në Shqipëri kanë lindur forca dhe pushtete që nuk janë fare të interesuara për përmbushjen pikërisht edhe të atyre tri kushteve për marrjen e statusit.


***


Reforma parlamentare, reforma në gjyqësor dhe reforma në administratën publike, janë tri kushtet që duhet të plotësohen deri në nëntor të këtij viti nga Shqipëria. Kërkohet të reformohen tri rrafshe të veprimtarisë shtetërore, ku për fat të keq, pushteti autokratik i Sali Berishës ka derdhur kolonat e veta mbajtëse. Kërkohet të reformohet rregullorja si funksionon Kuvendi. Por ndërkaq, për këdo që është i informuar sadopak mbi zhvillimet në Tiranë, është e qartë se do të jetë e vështirë që PD-ja të pranojë rifutjen e votimit të fshehtë dhe barazimin e kohëzgjatjes së fjalës së Kryeministrit me atë të kreut të grupit parlamentar të opozitës. Sepse kjo do të thoshte që PD-ja të mos mund të ushtronte dot atë tirani shumice që po ushtron prej vitesh në Kuvend. Reformimi i gjyqësorit për ta bërë atë më të pavarur nga politika pra, dhe më të efektshëm në luftën kundër korrupsionit qeveritar dhe krimit? Përsëri është lehtësisht e kuptueshme që një qeveri e përmbytur nga skandalet korruptive si kjo e Berishës, nuk do të pranonte të bënte reforma vetëvrasëse që do të çonin në ndëshkimin e korrupsionit që ajo vetë ka kryer. Depolitizimi i administratës publike? E si mund të pranojë një gjë të tillë një qeveri që e ka shndërruar administratën publike në çiflig të shpërblimit të militantëve partiakë, të pasurimit të saj dhe në një nga motorët kryesorë për manipulimin e zgjedhjeve? Qeveria “Berisha” nuk mund të pranojë ndryshime thelbësore në këto tri sfera të veprimtarisë shtetërore, pa vënë në rrezik vetveten. Nuk është një rastësi që të tria këto çështje kanë mbetur pa u zgjidhur. Por as edhe opozita nuk mund të tërhiqet siç ka bërë, për shembull, me çështjen e imuniteteve, pa rrezikuar të mbesë nën thundrën permanente të tiranisë së shumicës berishiste. Një vëzhgim realist i situatës të jep të kuptosh se hapësirat për konsensus në këto tri rrafshe janë ngushtuar shumë dhe që ato të rikrijohen duhet ose qeveria të tërhiqet nga ngasja autokratike për të kontrolluar të gjitha pushtetet (pra edhe Kuvendin, gjykatat dhe administratën publike), ose opozita duhet të tërhiqet nga pozicioni i mbrojtjes se ndarjes së pushteteve duke iu nënshtruar gjakimit të qeverisë. Është ky raport forcash dhe interesash që e bën përmbushjen deri në nëntor të tri kushteve tepër të vështirë, në mos të pamundur.


***


Nuk është e para herë në historinë e Shqipërisë kur krijohen forca dhe pushtete që kundërshtojnë reformat, pra ndryshimin. Vetë pushteti komunist, në fillim të viteve ’90, ishte kundër ndryshimeve dhe reformave thelbësore, sepse kjo do të sillte fundin e tij. Sikundër edhe ndodhi. Por më herët ka pasur momente kur pushteti ka bllokuar me sukses dhe për shumë dekada, reformat që mund të sillnin ndryshim. Një i tillë është momenti i denoncimit të kultit të Stalinit nga Nikita Hrushovi në vitet ‘60. Mbi atë kult ishin themeluar edhe jo pak pushtete në Europën Lindore e Juglindore, ndër të cilat, edhe pushteti i Enver Hoxhës në Shqipëri. Prandaj ky i fundit, koshient se kritika ndaj kultit të Hrushovit do çonte në kritikën e kultit të tij, refuzoi t’u bashkohej reformave liberalizuese hrushoviane. Ai vendosi të shkojë “Me Stalinin”. Të gjithë ata që u solidarizuan me reformën hrushoviane në Konferencën e Tiranës e pësuan keq dhe përfunduan të persekutuar ose burgjeve të komunizmit. Dhe të besoje në atë kohë se “hrushovianët” e Konferencës së Tiranës do të mund të arrinin një konsensus për reformën me enverianët, do të ishte një naivitet dhe optimizëm i papërligjur, që nuk bazohet në analizën e kujdesshme të interesave që janë në lojën politike, një optimizëm i verbër që bazohet më shumë te dëshira e mirë, por jo tek analiza e mirë. Tamam si optimizmi që shfaq sot Kukan, kur bëhet fjalë për disa reforma që rrezikojnë seriozisht një kapje institucionesh, ku e ka bazuar Berisha gjakimin për ta bërë të pafuqishme demokracinë dhe rotacionin që ajo imponon, para pushtetit të tij pa mbarim. Ora e së vërtetës po afron…