Megjithëse shumë shtete kërkojnë disiplinë financiare, pesha e interesave nuk ndalet


Ndërsa Greqia dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë vijojnë bisedimet e tensionuara mbi uljen e deficitit buxhetor të këtij vendi, të dhëna të reja nga Bashkimi Europian vunë në dukje se këto masa po i ngjajnë më shumë mitit të Sizifit, njofton NYT.


Disa nga vendet që kanë bërë më shumë përpjekje për të reduktuar deficitin buxhetor, ku Greqia mund të konsiderohet kampion, kanë parë edhe se si borxhi i tyre i përgjithshëm është rritur më shumë në krahasim me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Një raport i kohëve të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, një nga kreditorët e Greqisë, arriti në konkluzione të ngjashme. Kjo ndihmon për të kuptuar se pse qëndrimi i FMN-së ka ndryshuar duke kërkuar më shumë tolerim ndaj Athinës dhe falje të borxheve të saj, ndërkohë që Gjermania vijon të këmbëngulë për vijë të ashpër dhe më shumë kursime.


Kritikët e masave të kursimit në Eurozonë kanë argumentuar se këto masa po japin efekte negative më shumë se sa efekte pozitive. Por të dhënat e reja e përforcojnë më shumë këtë argument. Vendet që kanë pranuar shpëtimin financiar në këmbim të disiplinës si Greqia, Irlanda dhe Portugalia kanë pësuar rritje më të madhe të borxheve këto kohë. Spanja, e cila ka pasur disiplinë të vetimponuar, ka ndjekur të njëjtën rrugë.


Ekonomitë e këtyre katër vendeve kanë rënë shpejt gjatë viteve të fundit. Ekonomia e Greqisë është 20 për qind më pak se sa në vitin 2009. Dhe ndërsa ekonomia bie, madhësia e borxhit në raport me PBB-në rritet, duke vënë të diskutim faktin nëse këto vende do të jenë ndonjëherë në gjendje të paguajnë borxhet e veta.


“Nëse dëshiron ta bësh ngarkesën e borxheve të përballueshme, do të duhet të bësh ndonjë falje borxhesh shumë shpejt”, thotë Jörg Krämer, një ekonomist gjerman. Greqia është aktualisht në bisedime të ethshme me kreditorët dhe i është kërkuar të kursejë 13.5 miliardë euro në këmbim të ndihmave prej 31 miliardë eurosh. Ministri i Financave Yannis Stournaras, tha se në rast se ndihma nuk vjen, kostoja do të jetë e stërmadhe. “Njerëzit në Greqi do të përfundojnë të uritur”.


Por shumë analistë mendojnë se reduktimi i deficitit buxhetor as që do të ndihmojë në uljen e barrës së borxheve, përkundrazi, do ta rrisë atë.


“Teoria se masat e kursimeve do të funksionojnë është shumë e dobët”, thotë Lee C. Buchheit një analist që ka punuar në të shkuarën në krizën e borxheve të vendeve latine.


Shkaqet e rritjes së borxheve janë të ndryshme. Borxhi i Greqisë është aktualisht 170 për qind e PBB-së, ndërsa Portugalia e ka 120 për qind. Në këto raste, borxhi është rritur, si pasojë e recesionit të thellë dhe interesave të larta. Por Irlanda, në anën tjetër, ku borxhi ka arritur në 117 për qind të PBB-së dhe Spanja, 90 për qind, kanë vënë borxhe vetëm për faktin se iu desh të shpëtonin nga falimenti bankat e tyre.