E bukura e të qenit çift, edhe në moshën 80-vjeçare
Janë Georges dhe Ann. Asnjë nuk dëshiron të ndahet nga protagonistët, pasi ka parë “Amour”, filmin e regjisorit Michael Haneke, fitues i “Palmës së Artë” në Festivalin e Kanës, që pritet të dalë së shpejti në kinematë europiane. Është lojë fëmijësh të identifikosh aktorët me personazhet, por regjisori austriak ua ka besuar çiftit të të moshuarve Emmanuelle Riva dhe Jean-Louis Trintignant. Ajo është 85 vjeçe, me mendje të kthjellët, e motivuar, me plot devotshmëri. Në kinema dhe teatër është shfaqur në 1959-n, kur shënoi debutimet e saj të para. “Jam shumë mbrapa teknologjikisht. Nuk kam as makinë, as kompjuter, as televizor”, thotë zonja e ëmbël, e cila ka qenë mikesha e Marguerite Duras. Por, në fakt, duket më e shëndetshme dhe më e informuar se ata që qëndrojnë 24 orë para televizorit. Ai 81 vjeç, ka pamjen e një njeriu të goditur nga dhimbja (e bija, Marie, u vra nga shoku i saj Bertrand Cantat në vitin 2003) dhe rikthehet në kinema pas 17 vitesh mungesë. “Tani merrem vetëm me poezinë, lexoj shumë por nuk mund t’i thoja jo Haneke-s, pasi pashë filmin e tij ‘Asgjë për të fshehur’”. Por çfarë ndodh kur vitet bëhen më të rënda, shtëpia një tempull kujtimesh dhe funeralet e miqve gjithmonë e më të shpeshta? Çfarë ndodh kur dashuria e jetës tënde sëmuret, ndërsa ti nuk ke më fuqi për t’i shërbyer? Janë pyetje që në filmin e Haneke-s gjejnë të gjitha përgjigje në mënyrë të shkëlqyer. “Është një film i fortë, i fuqishëm dhe në të njëjtën kohë i thjeshtë për t’u kuptuar”, thotë Riva. “Regjisori ka gjetur masat e duhura për të treguar një histori normale dhe të jashtëzakonshme, pa asnjë komplikim. Ndjenja të shprehura qartë çdo ditë, por të ndara nga mendja dhe shpirti”.
A ekziston ende dashuria e përjetshme?
Trintignant: Ekziston. Unë nuk isha me fat, por nëse do të kthehesha pas, do të doja të kisha vetëm një grua me të cilën të kaloja gjithë jetën. Mendojmë gjithmonë se dashuria është diku tjetër, në një tjetër person, në një tjetër jetë. Është një shprehje e Prevert që e adhuroj: duhet të përpiqemi, të jemi të lumtur, jo për gjë, por për të dhënë shembullin e mirë.
Riva: Një sëmundje e frikshme prek njërin nga të dy dhe papritur asgjë nuk është më si më parë, mund të ndodhë në çfarëdolloj moshe.
Trintignant: Për fat të keq, shpesh publiku nuk preferon të dëgjojë histori si këto. I duken të mërzitshme.
Riva: Ndonjëherë, të rinjtë nuk e kanë kapacitetin për të dëgjuar. Edukimi që marrin, i bën të jenë të shurdhër përballë një përditshmërie të jetuar jo në shëndet të mirë.
Jetojmë në një shoqëri hipokrite, që e ndërton gjithçka rreth idesë së rinisë së përjetshme dhe bukurisë…
Riva: Dikur drama si ajo e Georges dhe Ann konsumoheshin brenda familjeve të mëdha dhe protektive: për invalidin kujdeseshin të gjithë në familje me dashuri. Është shumë e trishtuar se si ky nivel komunikimi mes brezash është ndërprerë. “Amour” ngre shumë pyetje dhe të bën të reflektosh: një film i trishtuar po shumë i fuqishëm për të transmetuar forcë. Kishim nevojë për t’u rikthyer dhe për ta parë realitetin në sy, jeta po humb autenticitetin dhe kjo më bën të qaj. Jam vazhdimisht në kërkim të njerzillëkut, vlerë që e zbuloj në sytë e njerëzve të thjeshtë që ende nuk e kanë humbur sensin e dashurisë.
Të dy keni jetuar në periudhën e artë të kinemasë, duhet t’ju duken pa kuptim shumë histori që tregohen sot në ekranin e madh…
Trintignant: Sot, kinemaja italiane ka rënë shumë, nuk ka lidhje fare me atë të viteve ‘60, kur ishte më e mira, krahasuar edhe me atë franceze dhe amerikane.
Riva: Mendoj se talenti i Haneke-s, një regjisor që ndjek vizionet e tij në mënyrë rigoroze dhe kreative, është në gjendje të vendosë njëfarë vazhdimësie të asaj epoke.
Sa dramatike ka qenë për dy aktorë me moshë dhe mendësi të njëjtë të xhironin “Amour”?
Në fillim, kisha dyshime, sepse më dukej e trishtuar, shumë e trishtuar. I thashë Haneke-s: unë nuk do shkoja kurrë ta shihja një film të tillë. Më pas, ndryshova ide: e kam parë pesë herë dhe ende tani gjej të veçanta shumë interesante.
Riva: Unë nuk hezitova aspak përballë një historie që u përket të gjithëve. Do të kisha qenë e çmendur po të kisha refuzuar.
Trintignant, ju sapo keni publikuar një libër në formë interviste, nën titullin “Më në fund vendosa të jetoj”. Duket hapur që kishit dëshirë t’i tregonit publikut të njihej më mirë me historinë tuaja të viteve të fundit
Sigurisht, sidomos për krizën që kalova pas vdekjes së vajzës sime dhe mënyrën se si iu ktheva jetës sërish. Por sinqerisht nuk mendoj se jam një narrator interesant. Madje nuk kisha dëshirë as ta rilexoja atë që kisha shkruar.
Vetëm një grua
“Palma e Artë” – Regjisori Michael Haneke me “Palmën e Artë”, të fituar në Kanë bashkë me Emmanuelle Riva dhe Trintignant
Tapeti i kuq – Të dy aktorët në prezantimin e filmit në Kanë. Riva është 85 vjeçe, ndërsa Trintignant, 82
Dashuri e përjetshme – Një moment nga filmi “Amour”: Jeta në çift e dy të moshuarve që tronditet nga sëmundja e njërit prej tyre
Vetëm një grua – Unë nuk isha me fat, por nëse do të kthehesha pas, do të doja të kisha vetëm një grua, me të cilën të kaloja gjithë jetën. Mendojmë gjithmonë se dashuria është diku tjetër, në një tjetër person, në një tjetër jetë
I trishtë dhe i fuqishëm – “Amour” ngre shumë pyetje dhe të bën të reflektosh: një film i trishtë po shumë i fuqishëm për të transmetuar forcë. Kishim nevojë për t’u rikthyer dhe për të parë realitetin në sy, jeta po humb autenticitetin