Përplasja


Raporti I – Në mars 2012, ministri i Drejtësisë paraqiti raportin në Kuvend ku anatemonte Prokurorinë dhe e akuzonte për shkelje të Kushtetutës


Raporti II – Pa kaluar gjashtë muaj, Halimi pritet të hartojë një raport të dytë dhe t’ia paraqesë Komisionit Parlamentar të Ligjeve


21 janari – Halimi ishte kryetari i Komisionit Hetimor të 21 janarit. Ai ka akuzuar edhe Prokurorinë e Përgjithshme për hetimet e kësaj ngjarjeje


Kuvendi


Mazhoranca bën gati manovrën për shkurtimin e mandatit. Përsëritet precedenti “Sollaku”


BLEDAR HOTI


Mazhoranca përgatit ndëshkimin e kryeprokurores Ina Rama përpara nisjes së procedurës së shkarkimit të saj. Sipas burimeve, mësohet se Ministria e Drejtësisë po përgatit një raport për punën e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila pritet të fokusohet në punën e saj për vitin 2011 dhe këtë aktualin. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Drejtësisë, ministri Eduard Halimi pritet ta paraqesë së shpejti atë pranë Komisionit Parlamentar të Ligjeve.


Njësoj si pesë vite më parë me ish-Kryeprokurorin, Theodhori Sollaku, mazhoranca përgatit një “pretencë” parlamentare që pritet t’i paraprijë veprimit final, i cili është në dorën e Presidentit të republikës, pra shkarkimit të Prokurorit të Përgjithshëm. Ky pritet të jetë raporti i dytë brenda vitit nga ana e ministrit Halimi për punën e prokurorisë. Në muajin mars të këtij viti ministri i Drejtësisë, depozitoi në Kuvend një raport paralel për punën e Prokurorisë së Përgjithshme. Neni 54 i ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë” parashikon që “1. Çdo vit, jo më vonë se data 31 mars, ministri i Drejtësisë, në emër të Këshillit të Ministrave, i përcjell Prokurorit të Përgjithshëm rekomandimet që duhet të mbahen parasysh për vitin në vazhdim në luftën kundër kriminalitetit. 2. Prokurori i Përgjithshëm ua bën të njohura rekomandimet e Këshillit të Ministrave drejtuesve të prokurorive të të gjitha shkallëve në një mbledhje të përbashkët, ku merr pjesë edhe ministri i Drejtësisë, jo më vonë se muaji prill. Rekomandimet e analizuara në mbledhje bëhen publike.


3. Në marrëdhëniet e Prokurorit të Përgjithshëm me Këshillin e Ministrave ndalohen rekomandimet për të proceduar ose jo për çështje konkrete”. Ndërsa neni 53 i po këtij ligji përcakton se “1. Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend ose komisionet parlamentare të paktën një herë në gjashtë muaj ose sa herë që kërkohet prej tyre. Raportimi përmban të dhëna dhe shpjegime për numrin, llojet, shtrirjen territoriale, intensitetin dhe format e kriminalitetit në Republikën e Shqipërisë, si dhe drejtimet dhe përparësitë në luftën ndaj kriminalitetit. 2. Nuk lejohet njoftimi për çështje konkrete, me përjashtim të çështjeve të dërguara me vendim të Kuvendit”. Gazeta “Shqip” kontaktoi me zëdhënësin e prokurorisë, Plator Nesturin, lidhur me faktin nëse nga Kuvendi ka pasur ndonjë kërkesë për të paraqitur një raport nga organi i akuzës në zbatim të nenit 53 të ligjit. “Nuk ka asnjë kërkesë nga Kuvendi për të paraqitur një raport të tillë”, tha Nesturi për gazetën “Shqip”.


Tre krerët e shtetit në negociata për emrin e ri



Pas zgjedhjes së Presidentit të ri, Bujar Nishani, mazhoranca po harton strategjinë e shkarkimit të kryeprokurores Ina Rama. Tre krerët e lartë të shtetit, Nishani, Topalli dhe Berisha ka zhvilluar disa konsulta së bashku për të përcaktuar pasardhësin e Ina Ramës. Mes tyre ka pasur disa takime të përbashkëta për të diskutuar për emërimin e kryeprokurorit të ri, i cili sipas tyre duhet të realizohet brenda muajit nëntor. Ata e bazojnë një nismë të tillë në Kushtetutën shqiptare, ku dispozita përcakton se mandati i kryeprokurores është 5-vjeçar. Kushtetuta nuk ka një dispozitë tranzitore për mandatin aktual të kryeprokurores, e cila skadon në maj të vitit të ardhshëm. Një qëndrim të tillë ka mbajtur dhe ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth, i cili ka deklaruar se mandati i kryeprokurores skadon në maj të vitit 2013. Mazhoranca aktuale synon të bëjë shkarkimin e Ina Ramës para zgjedhjeve parlamentare, të cilat pritet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Konflikti ndërmjet mazhorancës dhe kryeprokurores Ina Rama kapën kulmin pas ngjarjeve të 21 janarit të vitit 2011. Mazhoranca akuzoi ashpër kryeprokuroren për përfshirje në këtë ngjarje.


 


Mandati – Për mandatin e Ina Ramës ka përplasje me kohën se kur i mbaron ai. PD pretendon mbaron në nëntor, por mendimi tjetër është maj i 2013-s


Wollfarth – Ambasadori i OSBE-së i ka dhënë sinjal të qartë PD-së se mandati i kryeprokurores mbaron jo në nëntor, por në maj të 2013-s


Nishani – Presidenti i vendit ka deklaruar se çështjen e mandatit të Prokurores së Përgjithshme e ka në tryezën e tavolinës


Kushtetuesja – Një ide është se për kohën e mbarimit të mandatit palët e interesuara mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim