Sherri në “Facebook”
Vajza 13-vjeçare ka goditur me thikë në bark Anxhela Rreckën, duke e plagosur rëndë
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugicën që lidh shkollat e dy protagonisteve në Tepelenë
E mitura tregoi ngjarjen në prani të gjyshes, me të cilën jeton, pasi prindërit i ka të ndarë
Sherri në rrjetin social “Facebook” për një djalë mes dy adoleshenteve, njëra në klasën e tetë dhe tjetra maturante ka sjellë plagosjen me thikë të vajzës në moshë më të madhe. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Tepelenë, kur dy vajzat kishin lënë takim në rrugicën që lidh shkollat, ku ato studionin. Adoleshentja e plagosur është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shqetësimi për përdorimin e rrjeteve sociale në moshë të mitur është ngritur edhe nga studiues të ndryshëm, ndërkohë që në vendin tonë, nuk është hera e parë që prej tyre kanë lindur konflikte të rënda, duke sjellë edhe viktima, pavarësisht se në rastin e djeshëm, e dëmtuara ka shpëtuar mrekullisht nga ndonjë plagë vdekjeprurëse.
Plagosja me thikë
Drejtoria e Policisë Gjirokastrës bëri të ditur se një nxënëse e klasës së tetë ka plagosur me thikë një maturante. Ngjarja është shënuar rreth orës 13.00 në Tepelenë, në rrugën që lidh shkollën 9-vjeçare “7 marsi” me gjimnazin “Abaz Shehu”. Sipas policisë, A. L., 13 vjeçe, nxënëse në klasën e tetë, ka goditur me thikë për motive të dobëta maturanten në këtë gjimnaz, Anxhela Rrecka, në pjesën e barkut. Kjo e fundit, e cila është parë e gjakosur nga kalimtarët dhe nxënësit e tjerë, është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Gjirokastrës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia tha se menjëherë pas ngjarjes ka shoqëruar 13-vjeçaren, e cila rezulton se jeton me gjyshen, pasi prindërit e saj janë të divorcuar. Ajo është shoqëruar në polici dhe është marrë në pyetje në praninë e mësuesit kujdestar, gjyshes së saj dhe një psikologu.
Dëshmia e të miturës
Gjatë intervistimit, ajo ka rrëfyer se me Anxhelën njihej prej kohësh dhe shkonte shumë mirë. Por, para pak kohësh ishin zënë për shkak të një djali, por policia nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me këtë fakt. Më pas, ato kishin komunikuar në “Facebook” për këtë problem, por mes tyre kishte filluar një debat pa zgjidhje. Gjatë debatit në rrjetin social në internet, teksa komunikonin nëpërmjet linjave online në celularët përkatës, pavarësisht se ishin në orë të mësimit, e mitura ka treguar se ato janë ofenduar me njëra-tjetrën, derisa kanë vendosur që të takohen për t’u sqaruar. Kështu, vajza e vogël është nisur nga njëra shkollë, ndërsa maturantja nga shkolla tjetër, për t’u takuar në rrugicën që lidh dy institucionet arsimore. 13-vjeçarja ka treguar në prani të psikologes se rrugës ka gjetur një thikë të vogël, të cilën e ka fshehur poshtë mëngës së bluzës. Në rrugicë, dy vajzat, që më parë kanë qenë shoqe, kanë filluar të ofendohen sërish. Vajza e klasës së tetë ka treguar se nga frika se ajo do e rrihte, pasi kanë filluar të përleshen, ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur në pjesën e barkut, duke e lënë të gjakosur. Më pas, ajo shpjegon se ka hedhur thikën dhe është larguar duke bërtitur, ndërkohë që janë afruar persona të tjerë, duke i dhënë ndihmën e menjëhershme të plagosurës. Policia shpjegoi se e mitura është mbajtur e shoqëruar deri në orët e vona të natës, pasi nuk ishte vendosur nëse ajo do të procedohej në gjendje të lirë apo do të ndalohej për “plagosje të rëndë me dashje”. Red. Akt.