Neritan Tabaku dhe dy anëtarët që liruan vrasësin e Tahirajt, dëshmi për vonesën e zbardhjes së vendimit 


Ligji e parashikon qartë çështjen e zbardhjes së vendimit, që nuk i kalon më shumë se 30 ditë


Kolegji Penal i Gjykatës së Durrësit, që dha vendimin për të liruar Ilir Xhaken, vrasësin e kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, është thirrur për dëshmi në Prokurorinë e Tiranës. Neritan Tabaku, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, do të japin shpjegime se përse nuk e kanë zbardhur vendimin, që liroi nga burgu Ilir Xhaken në kohën e duhur, por e kanë zbardhur 20 muaj më pas, disa ditë pasi kishte ndodhur vrasja në Katund Sukth, ku një funksionar policie është vrarë në mënyrë makabre nga një person i pandëshkuar prej drejtësisë.


Hetimet


Objekti i hetimit në Prokurorinë e Tiranës nuk është vendimmarrja, por vonesa e zbardhjes së vendimit, pasi ka informacione se zyrtarët e Gjykatës së Durrësit i kanë kërkuar disa herë këtij kolegji, veçanërisht gjyqtarit Tabaku, të arsyetojë vendimin dhe ta dorëzojë në sekretari. Megjithatë, urdhrat shkresore dhe verbale nuk janë marrë në konsideratë dhe për rrjedhojë, personi që ishte shpallur i pafajshëm dhe drejtësia nuk e kishte gjykuar në apel, ndërmori një tjetër akt të rëndë.


Burimet nga Prokuroria e Tiranës konfirmojnë se gjyqtari Tabaku do të pyetet si person nën hetim, ndërsa dy anëtarët e Kolegjit Penal, Fejzo Hysi dhe Ndue Gjura, do të pyeten në cilësinë e personit në dijeni për faktet, që janë edhe objekt verifikimesh nga njësia Task-Forcë.


“Hetimet po përqendrohen te vonesa në zbardhjen e vendimit. Ligji e parashikon qartë zbardhjen e vendimit, që nuk i kalon më shumë se 30 ditë. Në rastin konkret, zbardhja e vendimit ka ndodhur 20 muaj më vonë. Madje, edhe vendimi i zbardhur ka probleme të theksuara, pasi është bërë në shpejtësi e sipër”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Tiranës. Sipas tyre, ka dyshime se zbardhja e këtij vendimi është bërë pas datës 13 shtator, ku u vra kryekomisar Adem Tahiraj.


Imuniteti


Hetimet për gjyqtarin Neritan Tabaku po ecin me ritme tepër të ngadalta. Prokuroria ka ngurruar të kërkojë me shpejtësi imunitetin e këtij gjyqtari, i cili, para 13 shtatorit, gëzonte mburojë ligjorë. Megjithëse u miratua ligji për heqjen e imunitetit, prokuroria vijoi ta hetojë me ligjin e mëparshëm, duke bërë të njëjta procedura, pasi ligji i ri nuk ka fuqi prapavepruese. Kërkesa u dorëzua në KLD në fillim të muajit tetor. Këshilli, pas diskutoi çështjen në tërësi, vendosi në unanimitet t’i heqë mburojën ligjore Tabakut dhe i dha aprovimin Prokurorisë së Përgjithshme. Shkresat, sa në njërin institucion dhe tjetrin, janë vonuar së tepërmi dhe hetimet, për rrjedhojë, janë zvarritur artificialisht. Akuza nuk mund të kryente asnjë veprim për marrjen e dëshmive, madje edhe me sekuestrimin e dokumenteve. Edhe KLD-ja, ashtu si edhe prokuroria, vonoi të zbardhë vendimin që i hiqte imunitetin Tabakut. Shkresa zyrtare vonoi disa javë para se të shkonte në Prokurorinë e Tiranës, për t’iu bashkëngjitur dosjes hetimore. Drejtësia po e vonon së tepërmi “kryqëzimin” e Tabakut, pasi në këtë mënyrë do të krijonte një precedent të rrezikshëm, ku shumica e gjyqtarëve mund të viheshin nën akuzë për moszbardhje të vendimeve në kohë. Kur kanë kaluar disa javë nga nisja e hetimeve, ende veprimet për këtë dosje janë në vendnumëro, megjithëse të gjitha institucionet u angazhuan të zbardhnin ngjarjen e rëndë të vrasjes së një oficeri të lartë të policisë në krye të detyrës. s.ç.


 


Vonesa – Në rastin e lirimit të Xhakes, zbardhja e vendimit ka ndodhur 20 muaj më vonë. Vendimi i zbardhur ka probleme të theksuara, u bë në shpejtësi e sipër