Banka Botërore


Raporti “Doing Business 2013” na zbret 3 vende. Mirë fqinjët, keq me taksat


ARD KOLA


Drejtoria e Pergjithshme e Tatimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve


Klima e të bërit biznes në Shqipëri ka ardhur duke u përkeqësuar. Pavarësisht tentativave të qeverisë për të rregulluar disa procedura, siç ishte heqja e pagës referencë, lehtësitë në aplikimin te QKR, afatet për lejet e ndërtimit apo reduktimi i inspektorateve, sërish ekspertët e huaj të Bankës Botërore, gjykojnë se vendi ynë ka ende probleme me klimën e biznesit. Në raportin e publikuar dje, “Doing Business 2013”, Shqipëria zbret tre vende në klasifikimin e përgjithshëm prej 185 vendesh, duke u renditur e 85-a, për shkak të ngecjes së reformave.


Janë 10 tregues mbi të cilin bazohet raporti dhe renditja finale, në 7 prej të cilëve Shqipëria rezulton me hapa mbrapa, kurse me 3 të tjera nuk ka asnjë ndryshim. Autorët e raportit përpiqen ta justifikojnë hapin mbrapa me faktin se vendet e rajonit kanë ecur më shpejt dhe duket sikur Shqipëria nuk është aty ku duhet, pavarësisht reformave të qeverisë gjatë 2012-s. Sa i takon renditjes me fqinjët, vendi ynë renditet poshtë atyre të rajonit, me të cilët kemi edhe shkëmbime tregtare.


Treguesit e përkeqësuar


Në vitin 2008, Shqipëria u shpall nga Banka Botërore një nga dhjetë ekonomitë më reformatore në botë për klimën e biznesit. Një paketë masash që përfshinte thjeshtimin e procedurave tatimore, lehtësimin e hapjes së një biznesi dhe rritjen e mbrojtjes ndaj investitorëve përmirësuan renditjen e Shqipërisë nga vendi i 135 në atë të 86-in brenda një viti të vetëm. Por që pas 2008-s, reformat për të lehtësuar biznesin dhe për të thjeshtuar burokracitë duket se kanë hyrë në ngërç.


Tabela me treguesit, ku përfshihet hapja e biznesit, procedura, pagesa e taksave, ndërtimi, marrja e kredive, respektimi i kontratave, tregtia, energjia elektrike (marrja dhe furnizimi), etj., paraqet një panoramë aspak të favorshme për vendin tonë. Goditja kryesore erdhi nga treguesi “pagesa e taksave”, ku Shqipëria kishte zbritur 5 vende, për shkak të burokracive, barrës fiskale, etj. Tek ky zë, renditemi në vend të 160, kurse tek elektriciteti në vendin e 154 (minus tre vende). Sipas autorëve, përdorimi i energjisë është një tregues që nuk nxit investitorët e huaj jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit. Keq paraqitet situata me lejet e ndërtimit, pasi renditemi të fundit. Tirana shikohet me shqetësim, pasi në tre vitet e fundit, sipas BB-së, nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi. Mbrojtja e investitorëve (vendi i 17-të) dhe marrja e kredisë (vendi 23), konsiderohen ndër treguesit më pozitivë, por në raport me një vit më parë nuk ka asnjë ndryshim.


Analiza e BB-së


Tea Trumbic, bashkautore e raportit vlerëson se, Shqipëria ka shënuar përparime në disa tregues të rëndësishëm, ndërsa ka vend për përmirësime, megjithatë ka ende punë për të bërë. Për treguesin e pagesës së taksave, një ndër autorët vlerëson se puna që po bën qeveria shqiptare për të lehtësuar procesin e pagesave të taksave është inkurajuese. “Një tregues tjetër ku Shqipëria duhet të bëjë përparim janë pagesat e taksave. Kjo është një fushë ku e dimë se qeveria po punon në mënyrë aktive. Vumë re miratimin e një reforme këtë vit që pakëson disi kohën e pagesës së taksave, për shkak të lehtësirave të propozuara për të paguar taksat online”. Ndër vendet e rajonit, Trumbic përmend Serbinë, që ka shënuar më shumë përparime në raportin e këtij viti, ndërsa Shqipëria paraqitet më mirë sesa Bosnjë-Hercegovina. Ajo thotë se gara mes vendeve të rajonit është e fortë.


Sa u takon lejeve të ndërtimit, ekspertja thotë se, “për tri vitet e fundit nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi në Tiranë. KKRT ishte autoriteti kryesor që autorizonte lejet e ndërtimit dhe kishte zyrtarë të lartë të përfshirë në të. Procesi sigurisht që merrte shumë kohë edhe më parë. Tani ka një ligj të ri, që supozohej të zbatohej që vitin e kaluar e që ia kalon këtë autoritet bashkive. Por, për shkak të problemeve me zbatimin e ligjit nuk janë dhënë leje ndërtimi. Pra në këtë pikë as që mund ta klasifikojmë Shqipërinë, pasi nuk ka asnjë aktivitet”, ka theksuar Trumbic. Disa raporte resht na kanë renditur ndër vendet e fundit edhe për sa i përket pagesës së taksave, (procedurat, koha e shpenzuar për të paguar ato dhe pesha e taksave mbi fitimet).


 


Dy reformat – Sipas BB, vetëm dy reforma ka ndërmarrë Shqipëria në 2012-n: ajo e lehtësimit të procedurave për hapjen e një biznesi, duke e bërë noterizimin e dokumenteve të themelimit të ndërmarrjeve opsionale; dhe pagesa e taksave përmes disa hapave të ndërmarrë që inkurajojnë pagimin elektronik të tyre, por të cilat nuk mjaftojnë


Përgënjeshtrimi – Ashtu si vitin e kaluar, me drejtorin e QKR-së dhe me zv.ministrin e Ekonomisë, edhe tani pritet një reagim nga qeveria, për të “sqaruar” keqkuptimet e BB-së lidhur me disa tregues që “nuk janë lexuar drejtë”.


 


 


Treguesit


Europa Lindore dhe Azia, aktive në përmirësimin e klimës


Një raport i ri i IFC dhe Bankës Botërore tregon se që nga viti 2005, rajoni i Europës Lindore dhe Azisë Qendrore udhëheqin globin në përmirësimin e klimës së biznesit për firmat vendore. Rajoni kapërceu Azinë Lindore dhe Paqësorin për t’u bërë rajoni i dytë më miqësor për biznesin në botë, pas ekonomive me të ardhura të larta të OECD-së. Raporti e sheh Poloninë në vendin e parë në botë, si përmirësuesi i vitit të kaluar. Ajo përmirësoi lehtësimin e të bërit biznes nëpërmjet katër reformave institucionale apo rregullatore, duke e bërë më të lehtë regjistrimin e pronës, pagimin e taksave, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e falimentimit. Europa Lindore dhe Azia Qendrore kanë zbatuar pothuajse 400 reforma institucionale apo rregullatore që nga viti 2005, më shumë se çdo rajon tjetër në botë. “Ne jemi shumë të inkurajuar nga ritmi i shpejtë i reformave në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore”, tha Augusto Lopez-Claros, Drejtor, Treguesit dhe Analiza Globale, Grupi i Bankës Botërore. “Shumë nga këto reforma janë zbatuar në kontekstin e negociatave të integrimit në BE. Integrimi ekonomik dhe dëshira për t’iu afruar partnerëve më të përparuar ka qenë një stimul i fuqishëm për të nxitur axhendat e reformave ambicioze”. Raporti nxjerr në pah Gjeorgjinë që i bashkohet 10 ekonomive të para në renditjen për lehtësimin e përgjithshëm të të bërit biznes. Gjeorgjia zbatoi reforma në gjashtë fusha, më shumë se çdo ekonomi tjetër në rajon. Ajo ka bërë përmirësime në marrjen e kredive, pagimin e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave, zgjidhjen e falimentimit dhe marrjen e energjisë elektrike. Në nivel global, Singapori ruan vendin e tij të parë në renditjen globale për lehtësinë e të bërit biznes për vitin e shtatë me radhë. Së bashku me të, në listën e 10 ekonomive me rregulloret më miqësore për biznesin janë Hong Kongu, Kina, Zelanda e Re, Shtetet e Bashkuara, Danimarka, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Republika e Koresë, Gjeorgjia dhe Australia. Një studim rasti në raportin e këtij viti paraqet Letoninë, duke theksuar axhendën e vendit në reformën rregullatore dhe arritjet në fushat e matura nga “Të Bërit Biznes”.


 


Shoqata të ndryshme ankohen për ligjet tatimore dhe doganore


Biznesi: Shtet gjobash, po na shtohen kostot


Përfaqësuesit e shoqatave më të mëdha të biznesit ankohen njëzëri se administrata tatimore ka nisur një fushatë të gjerë represioni përmes vendosjes së gjobave masive. “Dhoma Amerikane e Tregtisë përfaqëson shqetësimet e mbi 200 anëtarëve, të cilët na kanë prezantuar ne si një çështje serioze klimën aktuale në mbledhjen e taksave. Anëtarët tanë ndjejnë se ka një keqinterpretim të Ligjeve Tatimore dhe në fakt mund të ketë edhe abuzime nga inspektorët e Tatimeve që kontrollojnë edhe regjistrimet e viteve të mëparshme tatimore”, u shpreh David Anderson, president i Dhomës Amerikane të Tregtisë.


“Përveç kontrolleve rutinore normale, ka një tendencë për të gjobitur sipërmarrjet private. Duke qenë se përgjithësisht taksat në Shqipëri janë të ulëta, na duket sikur kjo fushatë rrit në mënyrë reale taksat e biznesit. Pra, taksa të ulëta dhe gjoba të larta. Kjo nuk është normale”, tha Luan Bregasi, nga “Biznes Albania”.


Edhe Nikolin Jaka, i cili drejton Dhomën e Tregtisë së Tiranës thotë se problemi kryesor nuk është sistemi fiskal po administrimi i tij, që e lë biznesin të pambrojtur ndaj abuzimit të tatimorëve. “Duke vlerësuar sistemin fiskal që sot është në Shqipëri, me taksën e sheshtë kemi kërkuar përmirësimin e sistemit të administrimit fiskal, pasi në përgjithësi, precedencat janë që administrata tatimore dhe doganore operojnë nëpërmjet vendosjes së gjobave, apo penaliteteve mbase edhe më të ashpra nga ato që parashikon ligji”, tha Jaka.


Gjobat e vendosura edhe në rast se janë të padrejta kanë pasoja jo të vogla financiare për biznesin. “Për ta ankimuar këtë gjobë duhet të paguash afërsisht gjysmën e detyrimit, gjysmën e gjobës, çka e rëndon në mënyrë artificiale koston e sipërmarrjes private”, thotë Bregasi. Marrëdhëniet mes administratës dhe biznesit duken të rënduara. Presidenti i Dhomës Amerikane thotë madje se po krijohet perceptimi i një klime jomiqësore. “Sipas deklaratave dhe dëshmive që kemi nga anëtarët tanë, ata janë të shqetësuar se politikat tatimore nuk janë të ndershme dhe po i vendosin në vështirësi financiare. Ndaj është shumë e rëndësishme që të kemi dialog me administratën dhe të arrijmë në një zgjidhje”, u shpreh Anderson. Pak ditë më parë, në Parlament opozita i kërkoi qeverisë të ndalë represionin tatimor ndaj bizneseve, duke akuzuar se Drejtori i Tatimeve ka dalë jashtë kontrollit të Ministrisë së Financave.