Në mars të 2013-s hyn në fuqi ligji i ri, kush nuk derdh kontribute ka falas vetëm urgjencën
Lorina Mixha
Në mars të vitit 2013 të gjithë të pasiguruarit do të paguajnë shërbimet shëndetësore me para në dorë. Ligji i ri që hyn në fuqi vitin e ardhshëm parashikon që shërbimi shëndetësor për të gjithë ata që nuk derdhin kontribute të paguhet me para në dorë. Për konsulta, vizita, ekzaminime, operime, ndërhyrje, por edhe ditëqëndrimi në spital do të kenë kostot e tyre.
Fatura për to do të paguhet në sportelin e spitalit dhe të gjitha paratë që do të jenë të ardhura dytësore të spitalit do të mbahen për llogari të spitalit. Sipas ekspertëve të shëndetësisë, të cilët konsultuan ligjin dhe ndryshimet dy vjet më parë, sqaruan se në 2013-n pritet që të shtohet numri i kontribuuesve në skemën e sigurimeve shëndetësore.
Kështu të gjithë ata që bëjnë sigurim vullnetar do të kenë mundësi që me ato para që depozitojnë në arkën e sigurimeve në formën e kontributeve t’i përdorin në rast se do të drejtohen në spital për probleme shëndetësore. Për t’u siguruar vullnetarisht në skemën e sigurimeve shëndetësore duhet të paguash 8500 lekë të reja në vit. Ndërkohë që nëse paguan vullnetarisht sigurimet shoqërore atëherë të gjitha bashkë kanë koston e 3500 lekëve të reja në muaj.
Ndryshimet
Ligji i ri për “Krijimin e fondit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor”, hyn në fuqi në mars të vitit të ardhshëm. Sipas këtij ligji të pasiguruarit do të kenë falas vetëm shërbimin e urgjencës, në rast se kanë një emergjencë do t’i drejtohen shërbimit falas. Ndërkohë që nëse do të duan një shërbim shëndetësor apo një operacion të planifikuar qytetarët e pasiguruar do të duhet të paguajnë çdo gjë me para në dorë apo me kartë krediti, nëse e kanë një të tillë.
Qytetarët e tjerë që janë të siguruar dhe derdhin kontribute shëndetësore do të mund të kenë falas shërbimin shëndetësor në shtet, por edhe shërbime të caktuara në spitalet private. Për ata qytetarë që derdhin një masë sigurimesh të nivelit mesatar shërbimet që do të përfitojnë në spitalet private janë të konsiderueshme duke i dhënë mundësinë që për koston shtesë ata ta paguajnë në dorë, përveç masës që paguhet nëpërmjet sigurimeve.
Sigurimet
Masa e sigurimeve shëndetësore është 3.4 për qind e pagesës për secilin të punësuar. Po ashtu edhe pas janarit të vitit të ardhshëm kjo masë do të mbetet e pandryshueshme. Ligji i ri përcakton masën e kontributeve që do paguajnë qytetarët, 3,4% e bazës së vlerësueshme. Të ndodhur para një “presioni’ ku shërbimi shëndetësor do të paguhet në dorë, qytetarët do të duhet të sigurohen vullnetarisht. Subvencionim do të bëhet vetëm për ata persona që parashikohen në ligj, të cilët nuk kanë të ardhura dhe mundësi. Gjendja e tyre do të vërtetohet me dokumente nga gjendja civile apo institucione të tjera sociale.
Sakaq, fondi që pritet të mblidhet nga të gjitha pagesat e të pasiguruarave do të administrohet nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Këto para do të shërbejnë për rehabilitim infrastrukture, për shpërblime, por edhe për sistemimin e problematikave e shqetësimeve profesionale dhe teknike.