Fiks Fare 


Rikonstruksioni i ambienteve të shtëpisë së të moshuarve në Tiranë është shkaku që prej gati 4 muajsh të moshuarit janë zhvendosur në një ndërtesë tjetër. Kjo e fundit prej disa vitesh ka shërbyer privatisht si shtëpi për të moshuarit dhe është pronë e një shoqate bamirësie. Është pikërisht kjo shoqatë që ka marrë përsipër strehimin e të moshuarve pa pagesë duke mbuluar shpenzimin e energjisë elektrike dhe ujit. Kushtet e ndërtesës ku janë vendosur përkohësisht të moshuarit janë në gjendje aspak të mirë. Disa prej dhomave janë improvizuar duke u ndarë ambientet me materiale plastike, të cilat nuk mund të quhen mure të një dhome, pasi janë të paputhitura me tavanin. Ndërkohë që jashtë kanë filluar shirat e vjeshtës në muret e ndërtesës kanë filluar të shfaqen hartat e para të lagështisë duke vështirësuar qëndrimin e të moshuarve nëpër dhoma. Numri i tualeteve është i limituar dhe 12 femra të moshuara detyrohen të ndajnë një tualet duke bërë një grafik për përdorimin e saj. Në tualete shpeshherë shqetësuese është bërë mungesa e ujit. Përpara kamerave të “Fiks Fare” të moshuarit janë shprehur se janë të kënaqur me kushtet që u janë ofruar nga shoqata dhe se nuk kanë asnjë ankesë. Kryeplaka ka thënë se shërbimi është mjaft i mirë dhe se punonjëset sociale u rrinë shumë afër. “Fiks Fare” ka mundur të flasë me të moshuarit larg kamerave dhe kësaj here rrëfimi i tyre ka qenë ndryshe. Vetë kryeplaka është shprehur se kushtet janë torturuese dhe se punonjëset nuk sillen mirë. Ajo thotë se të moshuarat që mbajnë bebelina i ndërrojnë vetëm një herë në ditë dhe nuk i lajnë, shpesh këtë ritual e bëjnë vetë plakat pasi nuk u përgjigjen punonjëset e institucionit. Kryeplaka shton se dhe ushqimi nuk është i mirë dhe shpesh punonjëset e kuzhinës u servirin për darkë çfarë ka mbetur nga dreka. Të moshuarit larg kamerave janë shprehur se nëse do të kalojnë dimrin në këto kushte atëherë do të vdesin aty. Drejtori i shtëpisë së të moshuarve Tiranë, z. Hysni Kuka është shprehur për “Fiks Fare” se strehimi i të moshuarve në këtë ndërtesë është parë si një mundësi e mirë pasi është pa qira. Sipas tij transporti i të moshuarve në qendrat e tjera rezidenciale apo në një tjetër godinë do të kishte dhe një kosto financiare të madhe. Sipas z. Kuka ka pasur disa ankesa nga banorët në lidhje me kushtet e godinës, por janë ankesa të papërfillshme. Ndërsa për ankesat e konstatuara nga “Fiks Fare” ku të moshuarit ankohen për shërbimin e punonjëseve dhe kushtet e godinës, drejtori shprehet se nuk janë të vërteta.


Fier


Situata në shtëpinë e të moshuarve Fier paraqitet edhe më alarmante. Godina ku jetojnë 57 të moshuarit është ndërtuar në vitin 1953. Restaurimi i fundit i saj është bërë në vitin 2004 dhe që prej asaj kohe e gjithë ndërtesa është lënë në mëshirë të fatit. Shirat e çdo viti kanë lënë nga një gjurmë në muret e ndërtesës duke e bërë edhe me të vështirë jetën e të moshuarve mbi të cilët rëndon barra e braktisjes. Katër banja funksionale ndahen me vështirësi mes 57 të moshuarve. Kushtet e tyre janë jashtë çdo standardi higjieno-sanitar. Punonjës të institucionit janë shprehur se shpeshherë u është vënë gjobë nga DSHP e Fierit, por mungesa e fondeve nuk i lejon të përmirësojnë kushtet. Të moshuarit janë shprehur se me kalimin e viteve çdo gjë po rëndohet. Duket se çdo pushtet që vjen ka harruar ekzistencën e tyre dhe askush nuk vë dorë. Çdo vit që kalon u heq një ushqim nga vakti i tyre, kuota ushqimore e pandryshuar që prej vitit 2009 nuk është e pamjaftueshme pas rritjes së vazhdueshme të çmimeve. Ushqimet që vijnë në institucion nuk janë cilësore, ndërsa frutat dhe ëmbëlsirat u serviren rrallë. Dimri që po afron i tremb edhe më shumë të moshuarit. Krahas lagështisë që sa vjen dhe shtohet në godinë mungon ngrohja. Disa vite më parë është instaluar kaldaja, por mungesa e fondeve ka bërë që të jetë i pamundur funksionimi i saj. Të moshuarit janë shprehur se i kalojnë ditët e dimrit të mbështjellë me batanije. Punonjësja e financës në shtëpinë e të moshuarve Fier është shprehur se me ardhjen e dimrit ndërhyrja në ndërtesë është emergjente. Sipas saj kushtet janë jashtë çdo standardi dhe fondet e pakta rrezikojnë të mos vënë në punë kaldajën për asnjë ditë. Me këmbëngulje ajo kërkon një rishikim të kuotës ushqimore, pasi është tepër e vogël për një të moshuar duke marrë parasysh çmimet që sa vijnë dhe rriten.