Pavarësia


Nënkryetari i bashkisë: Presim që Presidenti të ngrejë flamurin në qytetin tonë


Mikel Marsi


Vlora njeh vetëm një datë për Pavarësinë. Pikërisht më 28 Nëntor, në orën 10:00, presim që Presidenti i Republikës të ngrejë flamurin te Monumenti i Pavarësisë. Kështu shprehet nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Arben Beqiri, në lidhje me anashkalimin që pritet t’i bëhet Vlorës për 100-vjetorin e Pavarësisë, pavarësisht se ende nuk ka asnjë njoftim zyrtar për këtë çështje. Tentativat e qeverisë shqiptare për të shmangur qytetin e Vlorës nga festimi i 100-vjetorit të Pavarësisë më 28 Nëntor, ka ngjallur edhe reagimin e shumë qytetarëve vlonjatë. Madje, të moshuarit dhe veteranët vlonjatë janë shokuar nga ky informacion. “Shtetin e parë shqiptar pas 500 vjetësh robëri osmane e krijoi burri më i madh i kombit shqiptar pas Skënderbeut, diplomati i shquar, politikani progresist europian, shpirti i pamposhtur shqiptar, Ismail Qemal Vlora”, janë shprehur disa prej tyre në orët e para të ditës.


Bashkia


Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Arben Beqiri, është shprehur se nuk ka asnjë njoftim zyrtar nga protokolli se do të ndryshojë vendi i ngritjes së flamurit nga Vlora në Tiranë, por ai shprehet i bindur se qyteti bregdetar do të kryejë festimet, pikërisht më 28 Nëntor dhe jo më 27 nëntor, siç mendohet se ka menduar protokolli i shtetit. Duke u shprehur se Vlora njeh vetëm datën 28 Nëntor, ai ka shpjeguar se kjo është e sanksionuar edhe me vendim qeverie. Sipas tij, në VKM-në e datës 23 prill të vitit 2004, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 29, dt. 14 maj 2004, kapitulli shtatë, “Për ceremonitë zyrtare”, në pikën dy flitet për ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar. Në këtë pikë sqarohet se ceremonia e ngritjes së flamurit në Vlorë, më datë 28 Nëntor është ceremonia më solemne në Shqipëri, e cila organizohet në qytetin e Vlorës çdo pesë vjet. “Kjo daton me ngritjen e flamurit në datën 28 Nëntor. Pika tjetër thuhet se në këtë ceremoni marrin pjesë të ftuar, titullarë të Republikës së Shqipërisë, trupat diplomatike të akredituar në vendin tonë etj.”, shpjegon Beqiri. Më tej, ai ka treguar se ceremonia fillon në orën 10:00 te Monumenti i Pavarësisë, ku sipas protokollit, kryetari i bashkisë shoqërohet nga Presidenti, kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe prefekti i Qarkut të Vlorës. “Në orën 10:00, Presidenti kryen ritin e ngritjes së flamurit. Pika tjetër thotë se për nder të pjesëmarrësve, pushteti vendor shtron një drekë, ku kryetari i bashkisë ngre dolli dhe përshëndet të ftuarit. Kjo ceremoni mbyllet në orën 16:00”, citoi nga CKM-ja nënkryetari i bashkisë. Pra, sipas nënkryetarit, ky është vendimi në të cilin bazohet dhe çdo thashethemnajë, është vetëm një heqje e vëmendjes nga ato që po ndodhin në Tiranë. Gjithsesi, në fund të deklaratës, nënkryetari u shpreh se Vlora njeh vetëm një datë, atë të 28 Nëntorit dhe asnjë tjetër.


Përgatitjet


Në këtë përvjetor, shumë sheshe dhe rrugë në Vlorë kanë marrë ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, ku në banderola dhe fasada është edhe fotografia e plakut të urtë, Ismail Qemali. “Ismail Qemali ishte ai që i dha emrin Shqipërisë moderne, duke u kundërshtuar dhe penguar nga disa bejlerë, të cilët ishin gati të qëndronin përjetësisht nën robërinë osmane dhe të vendeve fqinje shoviniste, vetëm e vetëm që të ruanin ato privilegje dhe prona që kishin fituar. Është momenti që në këtë 100-vjetor të Pavarësisë të gjithë të mblidhemi në Vlorë më 28 Nëntor, duke dhënë mesazhin e bashkimit kombëtar shqiptar, pa mllefe dhe përçarje”, thonë të moshuarit në qytetin bregdetar. Për të parën herë në Vlorë, Shpëtim Gjika po zbaton tri nga projektet më madhore. Sheshi i Flamurit po shtrohet i gjithi me pllaka mermeri, nga më cilësoret. Gjithashtu, po rehabilitohet shatërvani i vjetër në qendër të tij dhe varri monumental i babait të kombit tonë, Ismail Qemal Vlora në lulishten e madhe, ish-pronë e familjes Vlora. Në Skelë, në sheshin “Pavarësia” po ndryshon gjithçka, pasi po ndërtohet një rrugë pedonale, mjedise të gjelbëruara dhe ndriçim modern, përballë bazamentit, ku pritet të vendoset shtatorja gjigante e themeluesit të shtetit të parë shqiptar në bronz. Në magjistralin Vlorë-Skelë, të quajtur bulevardi “Ismail Qemali”, veç asfaltimit dhe rehabilitimit të trotuareve, një seri e re dhe moderne ndriçuesish po montohet mes flamujve kuqezi që po vendosen ngado. Dekorimi i qytetit për 100-vjetorin e Pavarësisë është vetëm fillimi, shprehet nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, Arben Beqiri.


 


Beqiri


“Në prag të festës së madhe na bllokuan edhe fondet”


“Për Vlorën dhe Ismail Qemalin duhet të kërkohej interpelancë nga opozita me Kryeministrin dhe jo të heshtet. Asnjë qindarkë nuk është dhënë për 100-vjetorin e Pavarësisë dhe projektet e Bashkisë së Vlorës. Madje, në prag të 28 Nëntorit është bërë bllokim i fondeve, gjoja për shkak të CEZ-it. 28 Nëntori po afron dhe bashkë me të edhe dita e festës së madhe, që brezi ynë ka fatin të jetë në jetë për ta përjetuar. Më 28 Nëntor, në Sheshin e Flamurit dhe në të gjitha sheshet e Vlorës, do të gjëmojë historia dhe në mbrëmje fishekzjarrët do të flakërojnë”. Kështu shprehet nënkryetari i bashkisë, duke u treguar i bindur se 28 Nëntori do të festohet në Vlorë dhe përçmoi të gjithë ata që do të përpiqen ta zhbëjnë këtë datë, duke e zëvendësuar me një tjetër, me qëllim të shpërngulin festimet në Tiranë.