Denoncimet


Psikologët: Kriza ekonomike ka sjellë rritje të dhunës në familje


Dy gra nga Durrësi, përkatësisht 40 dhe 29 vjeçe, kanë deklaruar se janë rrahur nga bashkëshortët


Rasti i tretë i përket një 73-vjeçari, i cili ka denoncuar djalin e tij 45-vjeçar për dhunë ndaj tij


Askush nuk duhet t’i nënshtrohet dhunës, por ndodh. Brenda së njëjtës ditë, në Policinë e Durrësit janë regjistruar edhe tre denoncime të tjera për dhunë brenda familjes, për të cilat autoriteti policor ka plotësuar kërkesëpaditë përkatëse për Lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes së Menjëhershme. Denoncimet kanë qenë të dy grave nga Durrësi, përkatësisht 40 dhe 29-vjeçare të cilat janë rrahur nga bashkëshortët e tyre, përkatësisht 54 dhe 45 vjeç, ndërsa rasti i tretë i përket një të moshuari 73-vjeçar që është detyruar të denoncojë djalin e tij 45-vjeçar për ushtrim të dhunës fizike dhe psikologjike. Vera që sapo lamë pas, si dhe kjo vjeshtë kanë qenë të nxehta jo vetëm në temperatura, por edhe në ngjarje kriminale. Dhunë në rrugë dhe brenda familjes. Nevoja për ashpërsim të politikave penale ndaj saj është kthyer në domosdoshmëri, bashkë me përhapjen e frikshme të agresivitetit ndaj vajzave dhe grave. Është shekulli XXI dhe nuk duhet toleruar më. Rrethi duhet thyer dhe viktimat të ndihmohen, ndërkohë që pushtetet vendore dhe qendrore ende nuk kanë buxhete të veçanta për dhunën familjare dhe as të ndihmojnë me përparësi në strehim e punësim viktimat e saj.


Rastet në rritje


Psikologë dhe sociologë në Durrës thonë për gazetën se kur stresi në shtëpi shtohet për shkak të papunësisë, mungesës së të ardhurave dhe problemeve të tjera, dhuna familjare raportohet në rritje. Në çdo komunikim ditor të policisë lokale raportohen raste të saj. Viktimat kërkojnë ndihmë. Herë duke denoncuar dhe herë në heshtje. Shumica e tyre ndjehen dhe janë të izoluara. Jetojnë të pasigurta brenda mureve të shtëpisë e ëmbla/e hidhura shtëpi. Kriza ekonomike dhe përballë saj deklarimi shtetëror për rritje ekonomike kanë ndikuar edhe në këtë dukuri. Ekonomia e dobët, ulja e të ardhurave brenda familjes kundrejt çmimeve të larta të produkteve të shportës së konsumit dhe pasiguria që ofron tregu i punës çojnë në uljen e burimeve të vlefshme për viktimat, ndërkohë që donatorët dhe shërbimet sociale shtetërore kanë reduktuar ndjeshëm programet e asistencës dhe parandalimit. Shumë gra të dhunuara, si dhe anëtarë të tjerë të dhunuar të familjes pohojnë se vazhdojnë të qëndrojnë në marrëdhënie abuzive për shkak se nuk kanë ku të shkojnë dhe nuk e përballojnë dot ikjen. Në pjesën dërrmuese të rasteve që denoncohen pranë Qendrës Sociale të Grave dhe Vajzave në Durrës, në polici dhe në qendrën komunitare “Sot për të ardhmen”, dhuna e ushtruar është diktuar apo acaruar më tej nga probleme ekonomiko-financiare. Mundësitë e pakta ekonomike krijojnë varësi financiare të viktimave, numri i të cilave duhet pohuar se ka ardhur në rritje progresive gjatë viteve të fundit.


V. Qyrfyçi