Sipas policisë, Sokol Halili dhunonte gruan për shkak të divorcit


Sokol Halili e ka goditur me shqelma dhe grushte ish-gruan dhe më pas, e ka spërkatur me benzinë


Vali Qyrfyçi


Uragan dhune ndaj grave mund të cilësohen ngjarjet e fundit në Durrës, ku rasti i fundit është shënuar dje paradite. Ish-bashkëshorti ka tentuar të djegë të gjallë një 32-vjeçare, por një telefonatë e mbërritur në kohë e ka shpëtuar atë nga flakët, ndërkohë që më parë ishte dhunuar barbarisht me grushte dhe shqelma. Dhunimi i radhës për një grua nga Durrësi është kryer në Shkozet, lagjja 14 e qytetit bregdetar pas konflikteve të vazhdueshme që dy ish-bashkëshortët kishin mes njëri-tjetrit.


Spërkatja me benzinë


Sokol Halili, një 31-vjeçar, i lindur në Rrëshen dhe me banim në Durrës ka shkuar në parukerinë ku punonte ish-gruaja, nënë e dy fëmijëve të vegjël, dhe ka nisur ta dhunojë egërsisht, duke e goditur me grushte e shkelma. Në një moment, një nga klientet e gruas së re ka mundur t’i telefonojë policisë, po ndërkohë aktet e dhunshme ndaj 32-vjeçares kanë vijuar më tej. Halili e ka lyer atë dhe objektin ku ajo punon me benzinë dhe ka tentuar ta djegë. Mbërritja në kohë e policisë e ka shpëtuar gruan e re nga djegia e gjallë, ndërsa autori është arrestuar në flagrancë. “Menjëherë pas marrjes dijeni mbi veprimet e dhunshme, në vend kanë shkuar shërbime policie, të cilat kanë ndërhyrë duke parandaluar pasojat e mëtejshme të kësaj ngjarje. Materialet procedurale për veprën penale të ‘dhunës në familje’ i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit të Durrësit”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Durrësit.


Historia e dhunshme


A.Z. është nënë e dy fëmijëve të vegjël. Raporti i dhunshëm me bashkëshortin me origjinë nga Mirdita e çoi shpejt drejt divorcit dhe për të siguruar jetesën e vet dhe të fëmijëve, gruaja e re ka hapur një ambient të vogël, një parukeri ku ofron shërbime për gratë dhe vajzat. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, parukeria është e mbyllur dhe ka një shënim në derë. Parukierja jeton një kat më lart se vendi ku punon, që ndodhet në katin e parë të një prej pallateve të Shkozetit, jo larg shkollës 9-vjeçare “Hasan Koçi”. Gruaja e dhunuar afrohet në dritare dhe mban fëmijën e vogël në krah, po largohet shpejt prej andej, kur sheh se subjekti nuk është pjesë e klientelës së vet. Nuk pranon të flasë, pastaj ç’mund të thotë më shumë se ajo që i ngjau dhe që kërkon reagim të fortë shtetëror dhe shoqëror. Ajo nuk është e vetme. Shumë të tjera vuajnë histori të ngjashme dhune dhe pronësie nga bashkëshortët, ish-bashkëshortët a partnerët.


Rastet e fundit


Ngjarja e radhës, ajo e dhunës dhe djegies së gjallë të ish-gruas, vepër e mbetur në tentativë, ka krijuar një valë dhune dhe krimesh kundër grave në Durrës gjatë këtij muaji. Pas vrasjes së komisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, krimet që pasuan e përqendruan vëmendjen te vajzat dhe gratë dhe dhuna së cilës ato i nënshtrohen. Vrasja makabër me një plumb në kokë dhe më pas prerja e kokës së Ajshe Vatës në Xhafzotaj, u pasua nga masakrimi me çekiç i nënës së dy fëmijëve në Durrës dhe plagosja e rëndë e një nëne tjetër me sëpatë në Krujë. Pas këtyre ngjarjeve, vjen dhe ajo e Shkozetit, kur ish-bashkëshorti, pasi ka rrahur keqazi të shoqen, tenton t’i vërë flakën asaj dhe vendit ku ajo punonte.


 


 



Tre raste


Ajshe Vata – Vajza adoleshente, e cila sapo ishte regjistruar në universitet, u vra me plumb në kokë dhe më pas iu pre koka nga komshiu i saj


Lime Dedej – 41-vjeçarja u masakrua me çekiç në kokë nga ish-bashkëshorti i saj, Bujar Dedej, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes tyre


Flutura Zogu – 34-vjeçari Bashkim Zogu, pas një grindje për motive xhelozie, ka plagosur me sëpatë bashkëshorten e tij 21-vjeçare, Flutura Zogu


 


 


 


Berisha


“Burgim përjetë për vrasësit e bashkëshorteve dhe vajzave”


Kryeministri Berisha tha dje, se është i domosdoshëm forcimi i dënimeve për krimet në familje, kundër bashkëshortes dhe vajzës, duke vendosur dënimin me burg përjetë. Këtë qëndrim, Kryeministri e shprehu në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, i cili miratoi Konventën e Këshillit të Ministrave të Europës “Për parandalimin dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”. “E vërteta është se krimi në familje është rritur me shpejtësi të madhe. Në qoftë se vrasja e bashkëshortes pothuajse ka qenë inekzistente, sot, për fat të keq, kjo është jo e rrallë dhe është akt tmerrësisht i shëmtuar”, tha Kryeministri, duke e cilësuar vrasjen e bashkëshortes apo të vajzës si krimin më të shëmtuar. Kryeministri theksoi se krahas ratifikimit të kësaj Konvente, e cila u imponon shteteve anëtare standarde të reja në luftën kundër dhunës në familje, duhet të ashpërsohet dënimi për këtë vepër penale, sikundër edhe për veprën penale të vrasjes së policit dhe të vrasjes për hakmarrje.


Nisma – “Duhet të ashpërsohen edhe dënimet për vrasjet e policëve dhe për krimet që ndodhin për hakmarrje”