Zgjedhjet amerikane
Dikush duket se po përpiqet të çorientojë votuesit, për të mos i lejuar të votojnë
“Reuters”
Në Florida, Virxhinia dhe Indiana, shumë votues kanë marrë telefonata që i kanë thënë se nuk kanë nevojë të hedhin një votë personalisht në ditën e zgjedhjeve, sepse ata mund të votojnë përmes telefonit.
Në Ohajo dhe Uiskonsin, tabelat e reklamave në zonat përgjithësisht të varfra dhe të banuara nga minoritetet, paraqesin njerëz prapa hekurave të burgut dhe japin kërcënime për përndjekje penale në rastet e manipulimit të votave – një përpjekje që sipas grupimeve për të drejtën e votës, janë dizajnuar për të frikësuar votuesit mes të varfërve.
Nëpër të gjithë kombin, disa punëdhënës, mes tyre edhe miliarderët David dhe Charles Kock që financojnë grupimin konservator të Amerikanëve për Mirëqenie, i kanë nxitur punonjësit e tyre të votojnë për republikanin Mitt Romney.
Dy javë para asaj që mund të jetë gara presidenciale më e ngushtë në historinë e SHBA-së, përpjekjet për të keqinformuar, frikësuar apo bërë presion mbi votuesit po rriten në pjesën më të madhe të panoramës politike. Analistët thonë se këto taktika zakonisht shfaqen në pak ditë para zgjedhjeve, por kësaj here janë shfaqur shumë më herët.
“Ne kemi vërejtur një rritje të shpejtë të taktikave mënjanuese e frikësuese të krijuara për të ndaluar amerikanët me të drejtë vote nga ushtrimi i të drejtës së tyre”, thotë Eric Marshall nga Komiteti i Juristëve për të Drejtat Civile, i cili menaxhon një koalicion që ka krijuar një linjë telefonike për të marrë informacion mbi rastet e frikësimit të votuesve.
Demokratët e kanë ngritur zërin më shpesh kundër këtyre fenomeneve. Ata deklarojnë se janë disa grupime të lidhura me lëvizjen konservatore “Tea Party”, të cilat po trajnojnë dhjetëra mijëra njerëz për të monitoruar qendrat e votimit, me synimin e deklaruar të ndalimit të manipulimeve elektorale, por që në fakt, sipas demokratëve, synojnë të frikësojnë votuesit.
Por edhe republikanët janë ankuar në disa raste, të përqendruara në tetë shtete, ku gara pritet të jetë veçanërisht e ashpër.
Kurtis Killian, një republikan në Florida, është një nga ata që ka marrë telefonata që e nxisin të votojnë përmes telefonit dhe që rrjedhimisht i sugjerojnë se nuk ka nevojë të shkojë te qendra e votimit. Ai thotë se mori një telefonatë nga një njeri që u identifikua si zyrtar i administratës zgjedhore.
“Unë e di se nuk ka asgjë të tillë si votimi përmes telefonit”, tha Killian. Por “shumë të tjerë mund të gënjehen lehtë”, përfshirë të moshuarit dhe njerëzit me paaftësi. Komisioni i Zgjedhjeve të Virxhinias, një shtet tjetër i luhatshëm, mori dhjetë njoftime nga njerëz përgjithësisht të moshuar, të cilët thanë se kishin marrë këto lloj telefonatash. Në Indiana është hapur sakaq një hetim.
Ndërkohë, në Uiskonsin dhe Ohajo, demokratët po kërkojnë heqjen e disa reklamave në rrugë, të cilat konsiderohen si kërcënuese dhe frikësuese për minorancat dhe të varfrit, të cilët mund të qëndrojnë larg kutive të votimit nga dëshira për të mos i hapur probleme vetes. Reklamat kërcënojnë çdokënd që i sheh se mund të burgosen, në rast se manipulojnë votat. “Manipulimi i votave është një krim që dënohet me 3.5 vjet burg dhe 10 mijë dollarë gjobë”, thuhet në reklamë.
“Ne jemi të shqetësuar se reklama të tilla mund të frikësojnë ata që kanë një të shkuar me vepra kriminale”, thotë një zyrtar demokrat, i cili shton se amullia është e madhe, edhe pse disa shtete ua ndalojnë të dënuarve për vepra penale të drejtën e votës. Në një shtet që ka miliona të dënuar me burg njëkohësisht, numrat nuk janë të vegjël.
Pronarët në aksion
Problemi tjetër i rëndë për aktivistët e të drejtave të njeriut, është presioni që punëdhënësit po bëjnë ndaj punëtorëve të tyre, duke i kërkuar të votojnë një kandidat të caktuar. Këta punëdhënës po përfitojnë nga një vendim i Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi ligjet që i ndalonin punëdhënësit të deklaronin preferencat e tyre para punëtorëve. Shumë kompani u kanë dërguar letra punonjësve, duke i sugjeruar të votojnë për Romney-n. Vëllezërit Koch, të cilët kanë dhënë miliona dollarë për republikanët, janë vendosur nën kritika për “paketën informuese” që kanë dërguar te 45 mijë punonjësit e kompanive të veta.
Një paketë e tillë, që ra në duart e medias, jep një listë me kandidatët që mbështeten nga kompania, ku Romney është në krye të listës. Ajo ka edhe një letër nga presidenti i kompanive, David Robertson, ku thuhet se “shumë nga 50 mijë punonjësit tanë mund të vuajnë pasojat” nëse votuesit zgjedhin një kandidat që rrit rregullimet dhe ndalon tregtinë e lirë, një aludim i dukshëm ky për Obamën.
Prokurori i Përgjithshëm, Garry King, një demokrat, thotë se zyra e tij ka marrë shumë ankesa, të cilat sugjerojnë se bëhet fjalë për një përpjekje të organizuar për të ndaluar meksikanët nga ushtrimi i të drejtës së votës.