Kërkesa
Skënder Tufa i shkruan kreut të qeverisë: Ju drejtohemi institucionalisht
Ish të përndjekurit politikë, të cilët nuk arritën ta ulnin Kryeministrin Berisha në bisedime përmes mbajtjes së grevës së urisë, tani kërkojnë që të negociojnë me kreun e qeverisë në mënyrë të qetë. Dje kreu i një prej shoqatave të ish të burgosurve politikë, Skënder Tufa, ish-koordinator i ka dorëzuar në Kryeministri një kërkesë për dialog me qeverinë për zgjidhjen e problemeve të ish të përndjekurve politikë. “Pa presione në mënyrë institucionale i drejtohemi Kryeministrit me një kërkesë për të bërë një takim institucional të burgosurit me Kryeministrin për problemet që janë shtruar për këtë shtresë. Shpresojmë që tani në mënyrë institucionale ai nuk do të thotë më që po i bëhet presion, sepse ne i kërkojmë të ulemi në tavolinë si qytetarë”, theksoi dje Skënder Tufa në lidhje me këtë kërkesë. Ai i konsideroi të pavërteta akuzat e bëra nga Kryeministri Berisha në drejtim të tij dhe grevistëve të tjerë. Sipas tij, Berisha kërkon vetëm t’i shfrytëzojë të përndjekurit për interesa elektorale dhe nuk ngurron të hedhë baltë ndaj ndokujt i cili i zbulon qëllimet e vërteta të tij. “Çdo person që del kundërshtar i Kryeministrit do të ketë një etiketim, ai do të ketë fyerje edhe në sallën e Parlamentit, aty ku janë fyer me familje njerëzit. Ne kemi vetëm një problem. Zgjidhja e problemit tonë nuk do të presë 2017 apo 2018. Ne kërkojmë zgjidhje të menjëhershme dhe kjo ka mundësi të realizohet”, theksoi Tufa, duke i quajtur akuzat politike, në një kohë kur problemi i të përndjekurve është vetëm ekonomik.
Opozita
Kreu i grupit të PS-së për ish të përndjekurit
Bazhdari: Shqiptarët s’e meritojnë të ushqehen me helmin e urrejtjes
Kryetarja e Grupit të Punës për ish të Përndjekurit pranë Partisë Socialiste, Keti Bazhdari, iu përgjigj deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha në lidhje me grevën e ish të përndjekurve. Ajo tha se Berisha flet me gjuhën e urrejtjes së Partisë së Punës. “S’do t’i kthej përgjigje Kryeministrit për lumin e ndyrë të sharjeve dhe shpifjeve, por dua t’u drejtohem atyre shqiptarëve që ende i dëgjojnë sharjet dhe shpifjet e tij. Si ka mundësi që në mes të Europës të flitet si në mejhane dhe jo në tavolinën e qeverisë? Si ka mundësi që në mes të Europës një kryetar qeverie ta përbuzë dinjitetin e popullit të vet duke turpëruar përditë vendin e vet. Si ka mundësi që në mes të Europës një qeveri të mbajë peng një popull të tërë me përralla ndërkohë që kryen hajni të pashembullta. Si ka mundësi që në mes të Europës një Kryeministër të shpërfillë varfërinë, papunësinë, problemet sociale dhe ta rrënojë përditë vendin me fjalë dhe vepra të ulëta. A me të vërtetë shqiptarët e meritojnë këtë turp?! A me të vërtetë shqiptarët e meritojnë të ushqehen përditë me helmin e urrejtjes së Kryeministrit të tyre për popullin që s’mendon si ai? A me të vërtetë shqiptarët e meritojnë të shikojnë përditë shfaqjen e ulët të një kryetari qeverie që flet për të burgosurit politikë me gjuhën e urrejtjes klasore të partisë së punës?!” tha Bazhdari.