INSTAT: Bie me 17% importi i makinerive dhe pajisjeve. Shanset, te heqja e TVSH-së


Bizneset gjithnjë e më shumë po marrin kredi për qarkullim paraje, pra për likuiditet të nevojshëm


ARD KOLA


Biznesi nuk po merr më kredi aq sa duhet dhe nuk po investon si një vit më parë. Faktet janë konkrete se kriza ekonomike dhe mungesa e likuiditeteve ka mbërthyer sektorin privat në vend. Shifrat e INSTAT tregojnë se, importi i makineri-pajisjeve u reduktua me rreth 5 për qind, duke shënuar një rënie më të theksuar gjatë muajit shtator, me afro 17 për qind. E shprehur me vlerë, në raport me vitin 2011, janë importuar 5 miliardë lekë më pak pajisje dhe makineri, shenjë kjo aspak pozitive për klimën e investimeve në vend. Ndikimin më të madh në uljen e importeve në tërësi e dhanë materialet e ndërtimit e metalet. As muajt e fundit nuk kanë shërbyer për rimëkëmbjen e aktivitetit të përpunuesve të çelikut. Sipas të dhënave të INSTAT, çeliku i papërpunuar zë peshën më të mëdha në importin, “materiale ndërtimi, metale”. Vlera e importit të këtij grupi mallrash ishte 50.62 miliardë lekë, ose rreth 22 për qind më pak se importet e të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.


Më pak import pajisjesh dhe makineri do të thotë më pak investime në vend, duke shkaktuar kështu pikënisjen e një krize zinxhir për aktivitetin ekonomik. Banka e Shqipërisë thotë se bizneset gjithnjë e më shumë po marrin kredi për qarkullim paraje, pra për likuiditet të nevojshëm për paga, shlyerje detyrimesh apo blerje malli në situata emergjente.


Sipas të dhënave të INSTAT, rënia e theksuar vazhdon të rëndojë në industrinë më të rëndësishme për sa i përket punësimit. Importi i veshje-këpucëve, të cilat përpunohen në vend, ra gati 5 për qind në nëntë muajt e këtij viti. Në kohë krize, biznesi po kërkon gjithnjë e më shumë stimulim nga qeveria dhe dy javë më parë u mor vendimi për heqjen e TVSH, taksë që aplikohet në shkallën 20 për qind për pajisjet dhe makineritë që importohen. Heqja përgjithnjë e kësaj takse pritet t’i japë më shumë hapësirë manovruese biznesit, por vendimi e kushtëzon me vlerën e investimit, i cili nuk duhet të jetë nën 50 milionë lekë. Duhet të presim edhe ca kohë për të parë efektet e ndryshimit të ligjit, pasi zbatimi nis në janar 2013.


Sa i takon tregtisë me jashtë, në tërësi shifrat paraqiten më të zbutura sa i takon deficitit, por gjithsesi konsiderohet me nivele shqetësuese. Kështu, në shtator 2012 u eksportuan 18,8 miliardë lekë mallra, me rritje 8.6 për qind në krahasim me gusht 2012 dhe rritje me 11.4 për qind në krahasim me shtatorin 2011. Sa u takon importeve, vlera e tyre arriti në 46,4 miliardë lekë mallra me rritje 1.8 për qind në krahasim me muajin gusht 2012 dhe rritje 2.5 për qind në krahasim me muajin shtator 2011. Kështu, deficiti tregtar i këtij muaji është 27,5 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 2.4 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 2.8 për qind krahasuar me shtatorin 2011.


Tregtia me vendet e BE është 63.4 për qind. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia. Tregtia me Italinë është 34.4 për qind, ndërsa me Greqinë është 7.1 për qind.


Krahasimi me muajin paraardhës për disa nga grup mallrat tregon se, eksporti i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 2.3 herë, “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u rrit 68.5 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 47.4 për qind etj. Eksporti i grupit “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” u ul 15.8 për qind. Importi i grupit “Lëkurë dhe artikujt prej tyre” u rrit 58 për qind, “Tekstile dhe këpucë” u rrit 36.7 për qind. “Produkte kimike dhe plastike” u rrit 31 për qind etj. Importi i grupit “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” u ul 17.1 për qind etj.


 


Energjia


KESH importon maksimalisht!


KESH është duke mbajtur gjallë furnizimin me energji elektrike të vendit, duke importuar sasi të konsiderueshme, tej kapacitetit financiar. Garancia-kredi e lëshuar nga qeveria me vlerë 50 milionë euro me shumë gjasa nuk do të mjaftojë, pasi shifrat e deritanishme tregojnë se korporatës po i shterojnë paratë dhe gjendja mjafton deri në fund të muajit. Të dhënat e fundit tregojnë se konsumi i energjisë në vend ka arritur në 19 milionë kilovatorë në ditë. Nga kjo kërkesë (konsum ditor) KESH arrin të prodhojë 7 milionë kilovat energji elektrike dhe pjesa tjetër importohet, pra blihet çdo ditë në tregun e huaj. Llogaritjet paraprake flasin për shifra blerje energjie në ditë me rreth 700 mijë euro. me këto ritme, KESH-it do t’i duhen të tjera para për muajin nëntor dhe dhjetor, kurse qeveria po mendon të marrë kredi 100 milionë dollarë nga Banka Botërore për të përballuar nevojat për import energji. Niveli i Fierzës ndodhet në kuotën e 254 metra mbi nivelin e detit, shumë pranë pikës kritike.