Edhe pas mbylljes së grevës nuk ndalen akuzat personale
“Ajo ishte një grevë e paguar, shoqëruar me akte të mirëfillta terroriste”
Kryeministri Berisha zgjeroi dje gamën e akuzave ndaj grupit të ish të përndjekurve politikë, të cilët prej një muaji mbajtën një grevë urie si pasojë e nevojës për të marrë pa vonesa dëmshpërblimin e tyre. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë Kryeministri theksoi se ish i përndjekuri, Lirak Bejko, që i vendosi flakën vetes ishte një trafikant droge, i cili ishte liruar nga ndërhyrjet politike që ishin bërë pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Nga ana tjetër, kreu i qeverisë përsëriti dhe akuzat ndaj koordinatorit të grevës, Skënder Tufa, si trafikant femrash. “Në një akt urrejtje ndaj të përndjekurve politikë, organizatorët dhe paguesit e grevës përzgjodhën figura kryekëput të inkriminuara, trafikantin e vajzave e grave shqiptare Tufa, i cili padyshim që i ndan trofetë e trafiqeve me politikanë. Bejko, që vendosi të bëhej theror, ishte arrestuar me 30 kilogramë drogë, nga policia e Durrësit dhe për të cilin, organi i akuzës kërkoi 9 vjet, por që, natyrisht, e liruan tabakët e KLD-së, me ndërhyrje të fortë”, deklaroi Berisha, duke e quajtur këta persona të përzgjedhur nga ana e kryesocialistit Edi Rama. Tashmë që greva e urisë ka përfunduar, Berisha theksoi se donte të falënderonte të përndjekurit politikë të këtij vendi, të cilët me mençuri dhe fisnikëri të madhe përcollën me përçmim grevën e paguar të një grupi të vogël, i cili në thelb përfaqësonte strikt botën e krimit. Berisha theksoi se aktet e vetëflijimit në këtë grevë kishin qenë terroriste dhe ishin të orkestruara për të ndodhur në ditën kur në Bruksel, KE rekomandoi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. “Ajo ishte një grevë e paguar, shoqëruar me akte të mirëfillta terroriste. Natyrisht, në këtë kat terrorist nuk u përdor dinamiti, por u përdor benzina, për të djegur të gjallë një njeri me probleme serioze mendore, i cili, ndonëse ka bërë përpjekje të vazhdueshme për vetëvrasje, nuk ka kryer vetëvrasje. Meqenëse ky person ishte i kësaj tendence, duhej t’i vihej zjarri ditën që Komisioni Europian do të rekomandonte statusin e vendit kandidat për Shqipërinë. Nuk kishte akt më të shëmtuar!”, deklaroi Berisha duke e akuzuar Ramën se ai i kishte ndihmuar të përndjekurit në grevë të ushqeheshin.
F.Mejdini
Premtimi
“Dëmshpërblimi në vitin 2017”
Kryeministri Berisha deklaroi dje se qeveria e tij kërkonte dhe një tjetër mandat për të realizuar dëmshpërblimin e plotë të ish të përndjekurve politikë. “Jam këtu për të garantuar të përndjekurit politikë se, pavarësisht nga këto shtesa, brenda vitit 2017 do të jetë realizuar plotësisht dëmshpërblimi i tyre”, deklaroi Berisha, duke shtuar se shtresa e të përndjekurve që do të dëmshpërbleheshin do të zgjerohej. Berisha deklaroi se qeveria e tij zbatonte vetëm ligjin dhe nuk negocionte për pushtet.