Borusia hedh Realin në tapet, Ajaksi mposht Sitin, Milani bie në Malaga, Shalke befason Arsenalin, fiton vetëm PSG


Në Grupin A, Paris Saint Germain mundi 0-2 Dinamon e Zagrebit në Kroaci. Francezëve u kanë mjaftuar 33 minuta, për të bërë të heshtë stadiumin e gjigantëve kroatë, me një gol të të zakonshmit Ibrahimoviç. Menez ka dyfishuar në minutën e 43-të. Në pjesën e dytë, vendasit nuk kanë mundur ta ndryshojnë dot fatin e humbjes. Ndërkohë që Porto ka fituar me shumë vështirësi 3-2 ndaj Dinamos së Kievit. Në Grupin B, Shalke befason Arsenalin në shtëpinë e këtij të fundit. Kjo ndeshje është zgjidhur vetëm pas minutës së 76-të, ku Huntelar zhbllokoi rezultatin, ndërsa Afelai vulosi fitoren 2-0. Në ndeshjen tjetër të po këtij grupi, Olimpiakos mposhti Montpelienë në Francë. Në Grupin C, Malaga nuk e mëshiron Milanin dhe e mund 1-0. Një ndeshje interesante është luajtur në Spanjë mes Malagës dhe Milanit. Të zotët e shtëpisë kanë qarkulluar më shumë topin, duke e vënë disa herë në vështirësi mbrojtjen me tre lojtarë të kuqezinjve, e cila gjithsesi ka rezistuar. Madje vendasit kanë humbur edhe një penallti në minutat e fundit të pjesës së parë me Hoakin, i cili shleu gabimin në pjesën e dytë, kur shënoi në minutën e 64-t. Përpjekjet e kuqezinjve nuk mjaftojnë dhe ndeshja mbyllet me humbjen 1-0 të Milanit dhe Alegrin që rrezikon shkarkimin. Në takimin tjetër, Zeniti kishte mundur më herët me rezultatin 1-0 Anderlehtin. Ndërsa në Grupin D vijnë dy surprizat e mëdha. Borusia e Dortmundit triumfon 2-1 ndaj Realit të Madridit në një ndeshje spektakolare. Një përballje shumë luftarake e me raste ishte ajo e luajtur në stadiumin “Westfalenstadion”, ku pjesa e parë është mbyllur në barazim, falë golit të talentit polak të gjermanëve, Levandovski, në minutën e 36-të dhe kundërpërgjigjes së yllit portugez të spanjollëve në minutën e 38-të. Verdhezinjtë jo vetëm që kanë treguar se nuk i tremben madhështisë së Realit, por janë shfaqur më të rrezikshëm. Ndërkohë që skuadra e Murinjos ka qarkulluar më shumë topin, por golin e ka gjetur vetëm falë një kundërsulmi të shpejtë. Borusia ushtron presion mbi mbrojtjen e madrilenëve dhe Shmelcer rikthen avantazhin e gjermanëve në minutën e 64-t. Reali tenton barazimin deri në fund, por nuk gjen hapësira në mbrojtjen e Dortmundit, që merr kështu një fitore të madhe në shtëpi. Mançester Siti pëson një tjetër humbje në fushën e Ajaksit. Anglezët kaluan të parët në avantazh me Nasri (22’), por në fundin e pjesës së parë barazoi Ajaksi me De Jong (45’). Ndërsa në pjesën e dytë, Ajaksi kalon në avantazh me dy gola të Moisander (57’) dhe Eriksen (68’).


 


Supersfida


Në një ndeshje spektakolare, Borusia feston fitoren e madhe 2-1 kundër Realit të Madridit. Goli i Ronaldos nuk u mjafton mbretërorëve për të shmangur humbjen


 


 


 


Champions League


DJE


 


Grupi A


Dinamo Z.-Paris S.G. 0-2


Ibrahimoviç 33’, Menez 43’


Porto-Dinamo Kiev    3-2 


Varela 15’, Martinez 36’, 78’ / Gusev 21’, Ideje 72’


 


Grupi B


Arsenal-Shalke  0-2


Huntelar 76’, Afelai 86’


Montpelie-Olimpiakos 1-2


Karbonier 49’ / Torosidis 73’, Mitroglu 90’


 


Grupi C


Zenit-Anderleht 1-0


Kerzhakov 72 (11-m)


Malaga-Milan    1-0


Hoakin 64’


 


Grupi D


Ajaks-Mançester S.   3-1


De Jong 45’, Moisander 57’, Eriksen 68’ / Nasri 22’


Borusia D.-Real Madrid     2-1


Levandovski 36’, Shmelcer 64’ / Ronaldo 38’