Regjistrimi bëhet në sportelet e migracionit pranë zyrave të punës


Ministria e Punës në bashkërendim me zyrën e koordinimit vendor në Shqipëri të Ministrisë Italiane të Punës dhe Politikave Sociale, njoftoi dje shtyrjen e afatit të regjistrimeve për trajnim dhe punësim në Itali. Sipas informacionit zyrtar aplikimet shtyhen deri në datën 2 nëntor në orën 14:00.


Çelja e Fazës së dytë të përzgjedhjes së 190 kandidatëve u prezantua tri javë më parë nga ministri Ksera dhe ambasadori italian, Gaiani. Fituesit e fazës së përzgjedhjes, pas ndjekjes së kurseve intensive profesionale dhe të gjuhës, si dhe certifikimit të njohurive të marra, do të kenë mundësi të përfitojnë nga ofertat e punëdhënësve italianë në profesionet e përcaktuara paraprakisht dhe jo vetëm punësim të përkohshëm.


Aplikimi


Të interesuarit duhet t’u drejtohen sporteleve të migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit në qendrat e tyre të banimit për t’u regjistruar deri në 2 nëntor.


Thirrjet për aplikime bazohen në Memorandumin e Mirëkuptimit, nënshkruar në korrik të vitit të kaluar ndërmjet dy ministrive të Punës dhe në zbatimin e marrëveshjes së bashkëpunimit dypalësh në fushën e migracionit për arsye punësimi, të nënshkruar në 2 dhjetor 2008.


Kriteret për aplikantët janë: Mosha 18 vjeç e lart, të padënuar dhe në ngarkim të të cilëve nuk janë hapur procedime penale, nuk janë subjekt i një gjendjeje juridike që t’i pengojë lëshimin e vizës italiane, për arsye punësimi.


Po ashtu, aplikantët duhet të jenë të interesuar të punojnë në profesione e përcaktuara në Thirrje: punues metalesh (programues/ përgatitës makinerish me kontroll numerik të kompjuterizuar, saldatorë, montatorë mekanikë, operatorë makinerish me kontroll numerik të kompjuterizuar, elektricistë); shërbime për ndërmarrjet (Pastrues/e në industri); sekretari e përgjithshme/ tregtare dhe marangozë – montatorë stendash, për të cilat të përzgjedhurit do të marrin formim profesional përpara punësimit.


Fazat


Ata që do të përfundojnë me sukses formimin fitojnë të drejtën për të punuar në Itali në çdo moment që një punëdhënës kërkon profilin e tyre profesional.


Bëhet fjalë për kuota të veçanta që u rezervohen vetëm atyre që kalojnë nëpërmjet kësaj procedure. Në mungesë të Dekreteve të Flukseve kjo përbën, sot për sot, mënyrën e vetme për të hyrë në Itali si i punësuar josezonal. Për informacion më të detajuar, të interesuarit t’i drejtohen faqes zyrtare të Ministrisë së Punës, www.mpcs.gov.al te meny MIGRACIONI, ku mund të shkarkoni edhe formularin e aplikimit. Regjistrimi bëhet vetëm pranë sporteleve të migracionit që ndodhen në zyrat e punës pranë vendbanimit të të interesuarit. Lorina Mixha