28 Nëntori – Kjo shifër e alokuar dje është më pak se gjysma e shumës që qeveria shqiptare ka miratuar për të festuar në publik heqjen e vizave nga Bashkimi Europian për qytetarët e Republikës së Shqipërisë


Festa e 100-vjetorit


Fatjona Mejdini


Qeveria e Shqipërisë ka marrë dje vendimin për të shpenzuar rreth 300 mijë euro për dekorin që do të kryhet me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së vendit. Vendimi u mor dje në formën e një shtese fondi për Ministrinë e Kulturës, e cila është dhe organizatorja kryesore e aktiviteteve me rastin e jubileut shekullor të shtetit shqiptar. Ajo që bie në sy në këtë vendim lidhet me shumën relativisht të vogël që po akordohet për dekorin e njërës prej ngjarjeve më të madhe për shqiptarët për sa i përket jo vetëm simbolikës. Kjo shifër e alokuar dje është më pak se gjysma e shumës që qeveria shqiptare ka miratuar për të festuar në publik heqjen e vizave nga Bashkimi Europian për qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Dy vite më parë, qeveria shqiptare akordoi një buxhet prej rreth 700 mijë eurosh për dekorin, publicitet dhe festat në shesh, por edhe në ambiente zyrtare. Që do të thotë, fishekzjarrë, postera, spote dhe materiale propagandistike. Vendimi i djeshëm për fondet e 100-vjetorit duket se ka ardhur si pasojë e problemeve financiare me të cilat qeveria po përballet në fund të këtij viti. Po kështu, vendimi i djeshëm duket se është marrë në limitet e fundit kohore, vetëm një muaj përpara se festa për përvjetorin e 100 të pavarësisë të jetë në kulmin e saj. Nuk dihet ende nëse koha do të mjaftojë për të zhvilluar procedurat ligjore tenderuese, të cilat zakonisht kërkojnë kohë.


Dekorimet


Ashtu siç dhe pritet kremtimi i 100-vjetorit të Pavarësisë do të shoqërohet me dekorimeve të shumta të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit. Vetëm pasditen e djeshme qeveria bëri publike shifrën e parave që do të përdorë për këtë qëllim, përmes një buxheti shtesë që iu akordua Ministrisë së Kulturës. “Qeveria vendosi që Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në buxhetin e miratuar për vitin 2012, në zërin “Projekte”, artikulli 604, t’i shtohet fondi prej 48 456 224 (dyzet e tetë milionë e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e dyqind e njëzet e katër) lekësh, për mbulimin e shpenzimeve të realizimit të projektit “Dekori i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë”.


Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi”, theksohet në vendimin e marrë dje për dekorimin, ku futen dhe elemente të tjera festive siç janë fishekzjarrët. Akordimi i fondit vetëm një muaj përpara kulmit të festës, duket se është i vonuar dhe mund të shoqërohet me rreziqe në lëvrimin e tij. Kjo pasi Ministria e Kulturës është e detyruar të zhvillojë një tender publik në lidhje me kompaninë që do të përzgjedhë për dhënien e kësaj shume.


Vizat


Përgjatë një fushate denoncuese të marrë nga Partia Socialiste e Shqipërisë në kuadër të reklamës qeveritare që qeveria kishte shpërndarë, u bë publike dhe shifra që Ministria e Integrimit kishte akorduar te një kompani private për festimin e heqjes së vizave. Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, deklaroi se qeveria harxhonte me lehtësinë më të madhe 920 mijë dollarë vetëm për të kremtuar liberalizimin e vizave. “Vetëm për dy-tri ditë, Sali Berisha, dhe qeveria e tij ka shpenzuar plot 920 mijë dollarë. I mbani ato tabelat nëpër semaforët e Tiranës që tregonin kryeqytetet e Europës? Po fishekzjarrët, po atë ahengun e madh në sheshin ‘Nënë Tereza’? Pikërisht për to ka shpenzuar plot 920 mijë dollarë. Siç e tregon edhe dokumenti ku për organizimin e eventit janë shpenzuar 92 milionë lekë të reja”, ka deklaruar Shalsi teksa bëri publike dhe shumën e harxhuar nga qeveria për këtë festë. Me sa duket kriza ekonomike ka lënë shenjat e saj dhe në buxhetin e vitit 2012, duke bërë që qeveria të reduktojë në mënyrë të ndjeshme shpenzimet për aktivitetet e rëndësishme në vend.



Vizitat – Përvjetori i Pavarësisë së Shqipërisë pritet të sjellë në Tiranë dhe shumë përfaqësues të qeverive europiane. Kryeministri është kujdesur të ftojë pothuajse pjesën më të madhe të liderëve europianë, pavarësisht se deri tani nuk është konfirmuar asnjë vizitë e nivelit të lartë.


Procedurat – Qeveria miratoi dje procedurat e financimit të përpjekjeve dhe veprimtarive artistike e kulturore që do të paraqiten në 100- vjetor.


Eshtrat – Me rastin e përkujtimit të krijimit të shtetit shqiptar, së shpejti në vend do të vijnë dhe eshtrat e Ahmet Zogut, njeriu që përreth dy dekada drejtoi shqiptarët.


Armët – Armët origjinale të Gjergj Kastriot Skënderbeut do të reklamohen në Muzeun Kombëtar Shqiptar gjatë muajit nëntor, si pasojë e një kontrate të lidhur me Vjenën.


Objektet – Pavarësisht festimeve, qeveria shqiptare dështoi të realizojë dy objekte madhore që kishte premtuar në 100-vjetor, siç ishin godinat e Parlamentit të ri dhe stadiumit.


Opozita – “Deputeti i PS-së, Eduard Shalsi, deklaroi se qeveria harxhonte me lehtësinë më të madhe 920 mijë dollarë vetëm për të kremtuar liberalizimin e vizave”