Ndërmjetësuesi ndërkombëtar për paqen në Siri deklaroi se kishte arritur një marrëveshje për një paqe fundjave me qeverinë e Damaskut, fundjavë që përkon edhe me festën e Kurban Bajramit, por ushtria e këtij vendi deklaroi se ajo vetë është ende duke e shqyrtuar propozimin dhe nuk ka marrë një vendim. Deklarata e ndërmjetësuesit Lakhdar Brahimi ishte shumë konfuze, pasi edhe rebelët nuk kanë dhënë ende mbështetje për të. Një armëpushim i nënshkruar në prill të këtij viti u anulua në praktikë brenda pak ditëve. Brahimi është përpjekur të ulë palët në bisedime, por pa shumë sukses dhe shpalli se festa e Kurban Bajramit, e cila festohet nga të gjitha palët në konflikt, është një rast i mirë për të dhënë një mesazh pozitiv.
“Pas vizitës që unë bëra në Damask, ka një marrëveshje nga qeveria e Sirisë për një armëpushim gjatë Kurban Bajramit”, tha Brahimi në Kajro. Por vetëm një orë më pas, Siria deklaroi se propozimi ishte ende duke u shqyrtuar.
Aktualisht të dyja palët janë në një situatë të ngrirë, ku luftimet janë të ashpra dhe asnjëra nuk arrin të realizojë një fitore domethënëse. Civilët po vdesin me qindra çdo ditë dhe në total konflikti ka kushtuar deri tani dhjetëra mijëra jetë.
Qindra mijëra sirianë janë arratisur në vendet fqinje, ku po jetojnë në kampe të improvizuara e ku pritet të kalojnë edhe dimrin e ftohtë. Ushtria e Sirisë ka humbur kontrollin mbi një pjesë të territorit dhe po përdor fuqinë e vet ajrore për të goditur rebelët, të cilët nuk disponojnë armët e nevojshme dhe as fuqinë e mjaftueshme për të dhënë goditje finale. Konflikti filloi si një seri protestash paqësore që synonin rrëzimin e qeverisë dhe demokratizimin e vendit. Por qeveria iu përgjigj me vrasje masive të protestuesve të paarmatosur. Një pjesë e ushtrisë siriane dezertoi për të mos kryer vrasje të mëtejshme dhe ia kthyen armët ish-kolegëve të tyre që po i qëndrojnë besnik qeverisë. Por me kalimin e kohës, ndasitë e grupimeve ushtarake janë profilizuar sipas përkatësisë etnike e fetare. Për më tepër, ndarja mes qeverisë përgjithësisht shia dhe rebelëve përgjithësisht suni, e ka bërë Sirinë një zonë lufte për konfliktin më të gjerë mes shteteve arabe dhe Iranit.