Një copë e bluzës së autorit ngeli në dorën e viktimës. Dyshohet se Meta ka bashkëpunëtorë
Silvana Muça
Policia e Tiranës ka identifikuar autorin e dyshuar të vrasjes së tregtarit Petrit Kurti, 53 vjeç, më 23 gusht të këtij viti. Burime nga policia e kryeqytetit bëjnë me dije se Jashar Meta, 27 vjeç, dyshohet të jetë vrasësi i tregtarit të Yzberishtit. Autori i dyshuar i kësaj vepre penale ndodhet i arrestuar në Burgun 302, sepse më datë 6 tetor 2012 është arrestuar në kushtet e flagrancës, për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, si person i dhunshëm në ambientet familjare. Policia thotë se arrestimi erdhi si rrjedhojë e dyshimeve për ngjarjen e datës 23 gusht 2012, ku gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjet një pistolete tip “TT”, së bashku me një krehër me 5 fishekë, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente. Mësohet se 27-vjeçari është person me precedentë penalë dhe ka qenë i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale. Pas dy muajsh, policia arriti që të identifikonte autorin e krimit të rëndë, në sajë të grumbullimit të provave të pakundërshtueshme. Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Tiranës vendosi shpërblimin prej 10 mijë eurosh për çdo person që mund të jepte informacione të vlefshme për identifikimin e autorit.
Provat e policisë
Burime të brendshme të policisë thonë se Jashar Meta ishte person i dyshuar për vrasjen e tregtarit, por mungesa e provave ka bërë që ai të lëvizë i lirë prej kaq kohësh. “Në vendin e ngjarjes, është gjetur një pjesë nga veshja e autorit, e cila është shkëputur gjatë përleshjes me viktimën. Pretendohet se, 27-vjeçari është thërritur disa herë, por nuk ka nxjerrë asnjë provë bindëse. Grupi i hetimit ka kërkuar që, Metës t’i merrej një mostër nga trupi i tij, për bërjen e ADN-së, por ai nuk ka pranuar. Mostra është marrë në prezencë të avokatit. Përgjigjja e analizave të AND-së ka dalë pozitive, të cilat sqaruan se vrasësi është Jashar Metra”, thanë burimet.
Denoncimi i gruas
Njëkohësisht më datë 8 tetor të po këtij viti, Komisariati nr.3 në Tiranë e ka arrestuar Metën, pas një denoncimi të bërë nga bashkëshortja A. Meta, me të cilën jetonte prej dy vjetësh. Në të njëjtën natë, e dëmtuara, nuk ka ngurruar që t’i drejtohet Policisë së Tiranës, për ta denoncuar bashkëshortin, për kanosje me armë zjarri dhe tentativë vrasjeje. Menjëherë pas kësaj, efektivët e policisë kanë zbarkuar në banesën e 27-vjeçarit, pranë “Zogut të Zi”, ku bënë arrestimin e tij. Gjatë kontrollit në banesë, Metës i është gjetur një armë zjarri, tip pistoletë, tip “TT”, prodhim kinez, me stampim në trup me numër 14053085, e vitit 1967, së bashku me një krehër me 5 fishekë, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente. Burimet thonë se kjo nuk ishte hera e parë, që Jashar Meta kishte kërcënuar me armë zjarri bashkëshorten e tij. Xhelozia, ishte edhe motivi i sherrit të herëpashershëm mes çiftit. Arma e zjarrit, pas sekuestrimit, në cilësinë e provës materiale, është dërguar për ekzaminim balistik, në Laboratorin e Policisë Shkencore. Ky proces, i cili bëhet me të gjitha armët e zjarrit që sekuestrohen nga policia, do të verifikonte, nëse arma e zjarrit ishte përdorur në ndonjë ngjarje tjetër, apo jo. Burime të sigurta thonë se analizat e dala nga laboratori i balistikës kanë dalë në konkluzion se pistoleta e gjetur në banesën e Metës, nuk është arma e krimit me të cilën është ekzekutuar 53-vjeçari Petrit Kurti.
Personi i dytë
Dyshohet se në vrasjen e Kurtit është përfshirë edhe një person i dytë, i cili në momentin e vrasjes ka qenë jashtë ambienteve të dyqanit. Kreu i Policisë së Qarkut të Tiranës, Bernard Çaushaj, tha se Jashar Meta dyshohet të jetë përfshirë së fundi edhe në ngjarje të ndryshme kriminale, për të cilat do të hetohet. Autori i dyshuar për vrasjen e 53-vjeçarit, është dënuar në vitin 2007 nga Gjykata e Tiranës me 6 muaj burg, për veprën penale të “moskallëzimit të krimit” në një grabitje prej 100 mijë dollarësh.
Gjykata
Meta, 6 muaj burg, për moskallëzim krimi
Në dhjetor të 2006-s, Jashar Meta është dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Moskallëzim të krimit”. Mësohet se 27-vjeçari ka pasur dijeni për një grabitje të kryer në dhjetor të 2006-s, dhe se nuk ka pranuar që të japë informacion në lidhje me ngjarjen. Konkretisht më 7 dhjetor të 2006, Fatjon Lila dhe Mentor Koka kanë tentuar që të grabisin me armë zjarri, një agjenci “Exchange”, një shumë prej 100 mijë dollarësh. Grabitja, është kryer në mesditë, por falë prezencës së agjentit të policisë kriminale Tiranë, Servet Gjoshi, mik i pronarëve të agjencisë, i cili ka pranuar që të transportojë paratë, nga agjencia, në një vend tjetër, nuk është arritur që operacioni i grabitësve të përfundojë me sukses. Lila dhe Koka, të maskuar dhe me motor, i kanë zënë pritë Servet Gjoshit, i cili në këtë moment i ka drejtuar armën duke i kërkuar paratë. Madje mes palëve ka pasur edhe të shtëna armësh, por pa të lënduar. Fatmirësisht punonjësi i policisë ka arritur që të mbrojë çantën me 100 mijë dollarë, duke ia dorëzuar pronarëve. Krahasimet daktiloskopike të gjurmëve të fiksuara në vendngjarje provuan që “gjurma A”, është formuar nga gjurma e pjesës së pëllëmbës së dorës së majtë të Fatjon Lilës, kurse “gjurma F”, nga gjurma e pëllëmbës së djathtë të Mentor Kokës. Pas disa ditë hetimesh, në sajë të provave të pakundërshtueshme, policia gjyqësore ka identifikuar autorët e vjedhjes, të cilët, në sajë të provave të pakundërshtueshme, janë dënuar me disa vite burg, për veprën penale të “Grabitjes, me armë zjarri, e kryer në bashkëpunim”. Ndërsa 27-vjeçari, Jashar Meta dyshohet që të ketë pasur dijeni për grabitjen e 100 mijë dollarëve dhe për këtë është dënuar për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”. Ai nuk ka pranuar të bashkëpunojë me grupin hetimor, duke rrezikuar burgun.
Familjarët e viktimës: Autori e survejoi disa ditë dyqanin
Rasim Nela, kunati i Petrit Kurtit: Nipi pa skenën, motrës i është bllokuar memoria
Silvana Muça
Të afërm të viktimës së Petrit Kurtit thonë se ata nuk kanë asnjë lidhje me autorin e dyshuar, duke shtuar faktin se ndihen të lehtësuar që ekzekutori është ndaluar. Që prej natës së krimit, familjarët nuk kanë reshtur së kërkuari nga policia, gjetjen dhe arrestimin e ekzekutorit. Jashar Meta, disa ditë para krimit, dyshohet që të ketë bërë vizita të befta, pranë banesës dhe dyqanit të viktimës, por askush nuk mund të thotë nëse ai kishte pasur komunikim të drejtpërdrejtë me Petrit Kurtin apo bashkëshorten e tregtarit. Edhe nëse 27-vjeçari do ta kishte bërë një gjë të tillë, askush nuk do ta kishte njohur apo dyshuar për të. Pas krimit makabër, familjarët e viktimës kanë dyshuar për dhjetëra persona të zonës, që njihen si persona me precedentë penalë. Kunati i viktimës, Rasim Nela, thotë se policia ka nisur, hetime të menjëhershëm për të gjithë emrat e denoncuar, të cilët pasi janë shoqëruar në komisariat, janë lënë të lirë.
A keni dyshuar ndonjëherë se Petrit Kurti po survejohej nga grabitësi?
Kunati im, e kishte vënë re se një person i dyshimtë shkonte dhe vinte sa tek shtëpia, deri tek dyqani. Sapo Petriti dilte jashtë, për t’i parë fytyrën, ai zhdukej sikur ta merrte era. U kishte thënë familjarëve që dikush po e survejonte, por nuk i kushtoi asnjëherë rëndësi. Jam i bindur që grabitësi, kishte planifikuar gjithçka. Ai kishte zgjedhur kohën, ditën dhe momentin e krimit.
Ç’lidhje ka autori i dyshuar me Petrit Kurtin?
Jashar Meta është me origjinë nga Selita Mal. Nga e njëjta zonë vijmë edhe ne, por nuk e njohim, sepse jemi shpërngulur prej andej para 20 vjetësh. Fshati tani ka vetëm 6 shtëpi, sepse është pothuajse i braktisur. Nuk e njohim njëri-tjetrin. Ai ka gjetur ndonjë lidhje të përbashkët me familjen e motrës sime, ku edhe është njoftuar për gjendjen ekonomike të saj. Ndoshta ka edhe bashkëpunëtorë këtu në lagje, sepse nuk mund të specifikoj asgjë deri në këtë moment.
Si ka ndodhur ngjarja?
Rreth orës 9:45, të mbrëmjes së 23 gushtit, një person i vetëm, futet në dyqan, duke kujtuar se aty do të gjente vetëm motrën trime. Është gjetur i papërgatitur dhe është çorientuar, në momentin që në dyqan ka parë kunatin. Gjithsesi nuk ka hequr dorë, nga ideja për të përfunduar operacionin e tij. I drejton armën motrës, duke kërkuar të gjitha paratë që ishin në arkë. Në momentin që grabitësi tenton që të dalë, Petriti kërkon ta ndalë. Nga frika vrasësi i drejton armën, duke e plagosur rëndë. Petriti gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak, disa orë pas ngjarjes. Skenën e ka parë edhe djali i Petritit, i cili është tromaksur nga ngjarja. Ai ka ndjekur të gjithë përleshjen mes të atit dhe kriminelit. Edhe në ditët e sotme, nipi im, nuk do që të flasë për atë çka ndodhi atë natë.
Motra juaj, nuk arriti ta njohë vrasësin?
Ajo ka parë gjithçka por nuk është në gjendje që të njohë autorin. Thotë që i është bllokuar memoria dhe pamja i është zhdukur se ka parë tmerr me sy. Ndonëse kamerat e sigurisë e kanë filmuar, fytyra nuk është arritur që të identifikohet. Natën e krimit ai kishte veshur një palë xhinse, një bluzë blu, ndërsa në kokë mbante një kapele me ngjyrë të kuqe. Ishte i dobët dhe jo shumë i gjatë.
Çfarë kërkoni?
Arrestimi i autorit të krimit, më lehtëson një barrë të madhe sepse u vu në vend drejtësia për të ndjerin. Policia është marrë seriozisht me vrasjen. Gjithçka ia lë në dorë policisë dhe organeve të tjera të akuzës. Besoj se ai do marrë dënimin e merituar.
Djali – Një nga dëshmitarët okularë të vrasjes së 23 gushtit të këtij viti ka qenë djali i viktimës, rreth 25 vjeç. Ka parë të gjithë skenën
Prononcimi – Unë kam qenë në katin e tretë të shtëpisë dhe kam parë që autori është futur në dyqan. Nuk dua të flas fare, vrasësi ma bëri dëmin
Autori – Natën e krimit, ai kishte veshur një palë xhinse, një bluzë blu, ndërsa në kokë mbante një kapele me ngjyrë të kuqe
Planifikimi – Petriti u kishte thënë familjarëve që po e survejonin, por nuk i kushtoi rëndësi. Jam i bindur që grabitësi kishte planifikuar gjithçka

