“Unë shpenzova 6 mijë dollarë për haxhillëkun”, thotë Zayan, i cili është veshur me rrobën tradicionale të pelegrinëve. “Unë falënderoj Zotin që më ka ndihmuar të kursej këtë shumë parash, por jam shumë i mërzitur që nuk kisha mundësi të merrja edhe bashkëshorten time me vete”.
“Unë kam investuar në këtë sektor për 35 vjet. Kujtoj kur shita në fillim një metër katror tokë në Mekë për vetëm 15 rialë (3 dollarë), tashmë toka këtu kushton 80 mijë rialë (22 mijë dollarë), thotë Mohamed Saed al-Jahni, një nga biznesmenët më të mëdhenj të tokave në Mekë.
Pelegrinazhi i dha Arabisë Saudite 10 miliardë dollarë vitin e kaluar
Ahmed Maher, BBC
Miliona myslimanë nga të gjitha shtresat e shoqërisë janë bashkuar në Arabinë Saudite këto ditë për të kryer pelegrinazhin e tyre të njohur si haxh, një detyrim për t’u kryer nga çdo mysliman që ka mundësi ekonomike së paku një herë në jetë.
Përgjatë viteve të fundit, kjo ngjarje është bërë edhe një biznes shumë i madh, duke u kthyer në një aset ekonomik të rëndësishëm edhe për një vend të pasur me naftë si Arabia Saudite.
Megjithatë, shumë pelegrinë e kanë të vështirë të përshtatin nevojat e tyre shpirtërore me mundësitë financiare.
Mohammed Zayan, një pelegrin 53-vjeçar nga Tunizia ka pritur gjatë të gjithë jetës për të kryer këtë detyrim fetar, i cili nuk është pa kosto financiare.
“Unë shpenzova 6 mijë dollarë për haxhillëkun”, thotë Zayan, i cili është veshur me rrobën tradicionale të pelegrinëve. “Unë falënderoj Zotin që më ka ndihmuar të kursej këtë shumë parash, por jam shumë i mërzitur që nuk kisha mundësi të merrja edhe bashkëshorten time me vete”.
Këta miliona njerëz që vijnë në Mekë çdo vit, i sjellin miliarda dollarë ekonomisë së këtij vendi.
Restorantet, agjentët e udhëtimeve, kompanitë ajrore dhe kompanitë e telefonisë celulare, që të gjitha fitojnë shuma të mëdha parash gjatë haxhit dhe qeveria përfiton nga taksat. Vitin e kaluar, dhjetë ditët e haxhit sollën 10 miliardë dollarë, sipas Dhomës së Tregtisë së Mekës.
Sektori privat maksimizon fitimet e veta nga haxhi me investime në prona të patundshme. Qiratë më të larta në Arabinë Saudite gjenden në Mekë, vendlindjen e Islamit.
Pronarët e hoteleve pranë xhamisë kryesore kërkojnë deri në 700 dollarë për natë, duke akuzuar për këto çmime rritjen e shpejtë të çmimeve të tokave.
“Unë kam investuar në këtë sektor për 35 vjet. Kujtoj kur shita në fillim një metër katror tokë në Mekë për vetëm 15 rialë (3 dollarë), tashmë toka këtu kushton 80 mijë rialë (22 mijë dollarë), thotë Mohamed Saed al-Jahni, një nga biznesmenët më të mëdhenj të tokave në Mekë.
“Kërkesa është më e madhe sesa oferta dhe kjo është arsyeja se pse shumë ndërtesa e hotele janë ngritur gjatë viteve të fundit për të strehuar një numër gjithnjë e më të lartë pelegrinësh”.
Ndërtesat shumë të larta po mbushin qiellin e Mekës me një ritëm të pandalshëm. Lagjet e vjetra në këtë qytet antik po u lënë vendin hoteleve të shkëlqyeshme dhe shumë të shtrenjta, të cilat nuk janë të përballueshme për shumicën e pelegrinëve.
Qeveria thotë se ky është një hap i nevojshëm, edhe pse ndërtimi po vjen me koston e shkatërrimit të maleve historike që kanë qenë aty që nga koha e profetit Muhamed dhe shokëve të tij.
Shitja e suvenireve është një biznes tjetër shumë i madh gjatë haxhit. Nuk ka vlerësime zyrtare për përmasat e kësaj tregtie, por besohet se ajo sjell qindra milionë dollarë çdo vit.
Ahmed Abdel Rahman, 43 vjeç, do të largohet nga Meka me dhurata dhe suvenire për familjarët e tij në Mauritus.
“Këto janë suvenire të bekuara”, thotë ai ndërsa mban një zbukurim që sapo e ka blerë tri herë më shtrenjtë sesa do të kushtonte jashtë qytetit.
Çmimet e suvenireve në Mekë shpesh janë të ekzagjeruara dhe shumica e tyre si tespihet, nuk prodhohen në qytet, por vijnë nga Kina. Por Abdel Rahman thonë se ai ndien një çlirim të madh shpirtëror kur shpenzon para në Mekë.
“Unë nuk mendoj se pronarët e dyqaneve janë oportunistë, por ne i ndihmojmë vëllezërit tanë në Islam të realizojnë fitime dhe të plotësojnë nevojat e veta”, thotë ai. Haxhi është një nga pesë shtyllat e Islamit, një detyrim për t’u kryer për të gjithë myslimanët që janë në gjendje të mirë ekonomike dhe fizike.
Ky ritual, që demonstron unitetin e myslimanëve dhe nënshtrimin e tyre ndaj Zotit është ndjekur për gati 1400 vjet. Sado që të kushtojë, myslimanët nuk do të ndalin të vijnë në këtë qendër të madhe shpirtërore dhe tregtare. Ata thjesht nuk bëjnë dot haxh diku gjetkë.
