Transfertat


Grupet shqiptare morën 20 mijë euro – Prokuroria e Elbasanit ka bërë llogaritjet e para të shumave që kanë përfituar dy grupet shqiptare të hakerëve. Sipas të dhënave nga bankat, ata kanë përfituar vetëm 20 mijë euro.


Dëshmia


“Lekët i kemi prishur në lojëra fati” – Pas arrestimit, dy hakerët nga Elbasani kanë pohuar se paratë që kanë fituar nga ky aktivitet i paligjshëm i kanë prishur në lojëra fati. Ata kanë shpjeguar se bashkëpunonin me disa shtetas të huaj, duke u shitur të dhëna nga kartat bankare.


Hetimet 


Zgjerohet rrjeti ndërkombëtar që sulmonte bankat. Operacioni, edhe në Lushnjë


Albanian Hacker

Albanian Hacker


Dy të rinjtë nga Elbasani që u arrestuan si hakerë, kanë qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar, i cili arrinte të sulmonte bankat e huaja në Francë, Gjermani e SHBA, duke u marrë klientëve të këtyre shteteve të dhënat e kartave të kreditit, për t’i shitur më pas në tregun e zi. Megjithatë, roli i Kejdi Stambollxhiut dhe Ilir Lajthisë është dytësor, pasi organizator i kësaj skeme ka qenë një shtetas i Kosovës dhe një bullgar, të cilët kishin infiltruar në këtë rrjet edhe përdoruesit e mirë të kompjuterëve në Shqipëri. Ata u jepnin të dhënat këtyre përdoruesve për t’u futur në sistemet e bankave, ndërsa hakerët e vërtetë nuk kanë dalë në dritë. Një ditë para arrestimit, sipas Policisë së Shtetit, në Shqipëri ka hyrë edhe një shtetas i Kosovës, i cili ka marrë kontakte me disa hakerë në Elbasan, Laç dhe Lushnjë. Policia ka vëzhguar të gjitha lëvizjet, ndërsa një ditë më pas ndërmori edhe operacionin, duke vënë në pranga dy persona e duke proceduar në gjendje të lirë dy të tjerë, për shkak të moshës shumë të vogël. Nga informacionet policore, flitet se grupi i hakerëve shqiptarë ka përfituar në llogaritë e tyre bankare vetëm 20 mijë euro, ndërsa shumën 4 milionë euro që policia raportoi pas arrestimit, mësohet se e kanë përfituar hakerët ndërkombëtarë.


 


Zgjerohet rrjeti


Ilir Lajthia

Ilir Lajthia


Dy grupet shqiptare që ishin pjesë e rrjetit ndërkombëtar të hakerëve ishin “Albanian Hakers Group” dhe “Albania Cyber Army”. Ilir Lajthia, një anëtar i grupit “Albanian Hakers Group”, së bashku me shtetasin Kejdi Stambollxhiu, kanë arritur të thyejnë dhjetëra llogari bankare nëpërmjet të dhënave që siguronin në internet, duke marrë prej andej të hollat dhe transferuar ato në llogaritë e tyre bankare, që kishin hapur në bankat e nivelit të dytë në Shqipëri. Mësohet se 28-vjeçari Ilir Lajthia konsiderohet nga hetuesit e kësaj çështjeje si kreu i “grupit” në Shqipëri, që mbante kontakte edhe me hakerë të tjerë jashtë vendit, si në Bashkimin Europian dhe në Amerikë. Ndërkohë, krahas operacionit në qytetet e Laçit dhe Elbasanit, policia thotë se të implikuar në këtë aktivitet të paligjshëm janë edhe disa djem nga qyteti i Lushnjës, që kishin arritur të bashkëpunonin për marrjen e kodeve.


 


Shtetasi i Kosovës


Operacioni policor “Badboys” konsiderohet pjesërisht i suksesshëm, pasi një shtetas i Kosovës i ka shpëtuar arrestimit. Ai ka ardhur në Shqipëri disa ditë më parë dhe ka marrë kontakte me hakerët shqiptarë, madje ka dyshime se mund edhe t’i ketë paguar “cash” për punët e kryera. Megjithëse ishte nën vëzhgim, shtetasi i Kosovës ka mundur të largohet në vendlindje dy ditë para se të finalizohej. Shtetasi nga Kosova ka qenë personi kryesor që kishte ngritur grupin e hakerëve në Shqipëri, duke arritur që t’u japë atyre të dhëna dhe informacione për ndërhyrjet në sistemet bankare. Mësohet se shqiptarët kanë ndërhyrë në më shumë se 60 raste, duke arritur që në vende dhe kohë të ndryshme të marrin mijëra euro nga llogaritë bankare. Ndërkohë që veç kësaj, personat e arrestuar kanë mundur të thyejnë edhe profilet personale të disa personave në rrjetin social “Facebook”, duke u shkaktuar vjedhjen e të dhënave.


 


Rrjeti ndërkombëtar


Mësohet se të rinjtë nga Elbasani, të arrestuar mesditën e së mërkurës për vjedhje të bankave përmes rrjeteve elektronike, janë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar hakerësh. Në këtë operacion vjedhjeje, ku janë implikuar shumë persona, shuma që përfituan shqiptarët mendohet se nuk i kalon 20 mijë eurot. Skema e përfitimit nga hakerët, kryesisht amerikanë, ka të bëjë me mashtrimin me anë të email-eve ndaj klientëve të bankës që përdorin opsionin e e-banking, që është kontrolli i depozitës në internet. Hakerët u dërgonin një email klientëve në emër të bankës, duke kërkuar informacion për llogari të rifreskimit të të dhënave personale, nga ku zbulonin “username” dhe “password” e klientit. Të mashtruar se po ia dërgonin email-in bankës së tyre, klientët i kishin dhënë çelësat e llogarive hakerëve, të cilët bënin transferimin e parave në llogaritë e tyre në mënyrë elektronike. s.ç.


 


20 mijë euro – Është shuma e transferuar në bankat shqiptare. Ata mund të kenë transferuar në ndonjë bankë europiane apo amerikane ndonjë shifër më të madhe, e cila është tërhequr nga ndonjë bashkëpunëtor i tyre


 


Skema e vjedhjes


Si u lidhën dy shqiptarët me rrjetin ndërkombëtar


Mësohet se gjithçka ka ndodhur nëpërmjet grupit kosovar të hakerëve, ku mes mijërave përdoruesve kanë qenë edhe Ilir Lajthia dhe Kejdi Stambollxhiu. Piratët mund të kenë hyrë në kontakt me dy autorët dhe i kanë joshur fillimisht me “bootnet”-e, një lloj “worm” (krimbash), të cilët programohen. Duke i falur “bootnet”-e ata kanë përfituar nga sinqeriteti i të rinjve dhe kaq ka mjaftuar që ata të futen në rrjet. Pastaj ka ardhur faza e “shpërblimit” të vërtetë. Hakerët u kanë kërkuar të çelin llogari bankare dhe këtë llogari e kanë shfrytëzuar më pas për të përfituar shuma të majme. Por, ndërkohë, ata janë treguar bujarë, duke lënë thërrime në llogaritë e djemve nga Elbasani, të cilët gjithsesi janë joshur nga të hollat “qyl” që po u linin në numrin e llogarisë. Ata as që e kanë menduar se mund të kishin rënë pre e një rrjeti të mirorganizuar, ku me anë të llogarive të dy autorëve nga Elbasani, përfitonin miliona lekë për xhepat e tyre. Njohësit e mirë të këtyre programeve shprehen se piratët e vërtetë nuk zbulohen, pasi llogaria fundore rezulton të jetë pikërisht ajo e atyre që bien viktimë. Është hakeri i vërtetë ai që vjel të ardhurat nëpërmjet kësaj llogarie, duke tërhequr të hollat që vjedh nga thyerja e llogarive bankare apo transaksionet e shitjeve të shtetasve të ndryshëm.