Uashingtoni


Departamenti i Shtetit zbardh axhendën e turit ballkanik


Ylli Pata


Hillary Clinton tashmë e ka vendosur të vizitojë Shqipërinë. Sekretarja amerikane e Shtetit do të ketë një ndalesë të posaçme në turin mesdhetaro-ballkanik dhe në kryeqytetin e vendit që e ka ftuar vazhdimisht që prej vitit 1999. Lajmin e ka bërë të ditur Departamenti i Shtetit të SHBA-së në një komunikatë zyrtare, ku bën të ditur që zonja Clinton do të vizitojë Tiranën dhe mesazhi i saj do të ketë tre elementë të rëndësishëm politikë. Në njoftimin e DASh theksohet: “Në Tiranë, sekretarja do të nënvizojë solidaritetin me aleatin e NATO-s, Shqipërinë, dhe të ndihmojë në përkujtimin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit, në një fjalim në Parlament, ku do të theksojë nevojën kritike për bashkëpunim dhe shtet ligjor”. Në fakt, vendimi për turin ballkanik i zonjës Klinton është marrë prej ditësh por ende nuk ishte përcaktuar vizita në Tiranë dhe gjithçka është bërë zyrtare vetëm dje. Burime diplomatike i thanë “Shqip” se nuk është përcaktuar data e saktë, por periudha është nga 29-31 tetor”. Po sipas këtyre burimeve mësohet se do të jetë mesi i javës që vjen dhe si axhendë dhe do të jetë një vizitë intensive dhe e shkurtër. Si axhendë paraprake është përcaktuar që si fillim do të takojë Presidentin Bujar Nishani, më pas Kryeministrin Sali Berisha, do të shkojë në sallën plenare të Kuvendit ku do të mbajë një fjalim para deputetëve dhe më pas do të zhvillojë një takim me liderin e opozitës shqiptare, Edi Rama. Pas takimeve do të largohet nga Tirana.


Njoftimi i DASH-it


Departamenti i Shtetit i SHBA-së ka publikuar dje një njoftim zyrtar mbi udhëtimin e rëndësishëm të sekretares Hillary Clinton në rajon. Në këtë njoftim theksohet: “Më 30 tetor, në Algjeri, sekretarja do të konsultohet me Presidentin e vendit Bouteflika për çështjet shqetësuese në aspektin dypalësh dhe rajonal dhe do të nisë një diskutim produktiv për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe atë ekonomike ndërmjet SHBA-së dhe Algjerisë. Dialogu strategjik SHBA-Algjeri është zhvilluar në Uashington më 19 tetor. Më pas sekretarja do të udhëtojë në Ballkan për të demonstruar mbështetjen e SHBA-së, interesat dhe angazhimin për të ardhmen e rajonit në komunitetin euroatlantik. Ajo do të bashkohet me baroneshën Catherine Ashton, përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikën e jashtme dhe sigurinë, në takimet që do të zhvillohen në Bosnjë-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë. Në Sarajevë, sekretarja dhe përfaqësuesja e lartë Ashton do të nënvizojnë nevojën urgjente për liderët e partive për t’i shërbyer interesave të popullit të Bosnjë-Hercegovinës dhe të përmbushin reformat e domosdoshme, si dhe të theksojnë pandryshueshmërinë e angazhimit të komunitetit ndërkombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Paqes në Dayton. Në Beograd dhe Prishtinë, në lidhje me çështjet e interesit dypalësh, sekretarja Clinton dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Ashton, do të përsërisin vendosmërinë e SHBA-së dhe BE-së për Serbinë dhe Kosovën që të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme dhe të avancojnë dialogun e tyre, si dhe do të inkurajojnë marrjen e hapave konkrete për këto vende që të kenë progres në rrugën për anëtarësimin në BE. Në Tiranë, sekretarja do të nënvizojë solidaritetin me aleatin e NATO-s, Shqipërinë dhe ta ndihmojë në përkujtimin e 100-vjetorit të pavarësisë së vendit, në një fjalim në Parlament, ku do të theksojë nevojën kritike për bashkëpunim dhe shtet ligjor. Në Zagreb, sekretarja Clinton do të diskutojë në lidhje me rolin e Kroacisë si aleate e NATO-s, hyrjen e pritshme të saj në Bashkimin Europian në vitin 2013 dhe situatën e saj ekonomike”.


Mesazhi


Gjatë vizitës së saj në Tiranë, sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, pritet të japë një mesazh të rëndësishëm në lidhje me zhvillimet në vend, i cili padyshim që do të vulosë qëndrimin e Uashingtonit për situatën aktuale dhe atë që pritet të ndodhë në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe plotësimin e kushteve të vëna nga komuniteti ndërkombëtar. Ardhja e zonjës Clinton shënon herën e tretë që Shqipërinë e viziton një sekretar i Shtetit i SHBA-së. Vizitën e parë e ka kryer në shkurt të vitit 2000, sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, kur President i Shteteve të Bashkuara ishte Bill Clinton. Më 2 maj të vitit 2003, sekretari i Shtetit Colin Powell, vizitoi Shqipërinë në kuadër të firmosjes së Kartës së Adriatikut mes SHBA, Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, që ishte në fakt një paradhomë për anëtarësimin për në NATO. Por vulosja e një angazhimi të nivelit të lartë të SHBA-së në marrëdhëniet me Tiranën zyrtare, ka qenë vizita e Presidentit George W. Bush, më 10 qershor të vitit 2007, e cila përbën dhe kulmin e relacioneve Tiranë-Uashington.


 


Axhenda – Sekretarja Clinton do të takohet me Presidentin Nishani, Kryeministrin Berisha, do të flasë në Parlament dhe do të takohet me kreun e opozitës, Edi Rama


 


Historiku


20 shkurt 2000 – Sekretarja e Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, vizitoi Tiranën pas një angazhimi titanik të Uashingtonit për të çliruar Kosovën nga pushtimi politik dhe ushtarak i regjimit të Millosheviçit


2 maj 2003 – Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Colin Powell, ka vizituar Tiranën në kuadër të firmosje së Kartës së Adriatikut ndërmjet Uashingtonit, Tiranës, Zagrebit dhe Shkupit


10 qershor 2007 – Presidenti i SHBA-së, George W. Bush zhvilloi një vizitë zyrtare historike në Shqipëri, ku “shpalli” pavarësinë e Kosovës nga Tirana, akt që u vulos më 17 shkurt 2008


 


Deklarata 


Qeveria bën të ditur se vizita është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera


Berisha: Sekretarja e Shtetit vjen pas ftesës zyrtare


Qeveria shqiptare ka deklaruar dje se vizita e zonjës Clinton në Shqipëri vjen pas ftesës së Kryeministrit Berisha. Sipas Kryeministrisë, kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera Shqipëri-SHBA dhe ngjarja më e rëndësishme për kremtimin e 100-vjetorit të pavarësisë. Në një njoftim të zyrës së Shtypit të Kryeministrisë theksohet se “lajmi i vizitës së sekretares së Shtetit, Hillary Clinton, mikes së shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, me ftesë të Kryeministrit Berisha, ka gëzuar shumë të gjithë shqiptarët si dhe përbën ngjarjen më të rëndësishme në kremtimet e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri Berisha, duke i uruar një mirëseardhje të përzemërt sekretares së Shtetit Hillary Clinton në Shqipëri, thekson se kjo vizitë është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve dhe kombeve tona, ndjenjave të ngrohta e miqësore dhe respektit që sekretarja Clinton dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara ushqejnë për shqiptarët si dhe mbështetjes së çmuar që i kanë dhënë dhe i japin në mënyrë të vazhdueshme Shqipërisë dhe kombit shqiptar në përpjekjet për ndërtimin e demokracisë bazuar në vlerat e tregut.


Kryeministri Berisha thekson se vizita e sekretares Clinton në kuadrin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, është një nder i madh, por dhe një rast i veçantë për qytetarët dhe autoritetet e vendit tonë, për të shprehur edhe një herë mirënjohjen më të thellë ndaj mbështetjes së jashtëzakonshme dhe rolit kryesor që SHBA kanë luajtur këto 100 vite në përpjekjet e shqiptarëve për liri, dinjitet kombëtar dhe për integrim në institucionet euroatlantike dhe europiane”.