Komisionerja e KE-së, Malstrom, më 6 nëntor vizitë në Tiranë për vizat
Fatjona Mejdini
Rivendosja e vizave Shengen për vendet e Ballkanit Perëndimor është një çështje që u diskutua dje në Luksemburg dhe pritet të merret muajt e ardhshëm në diskutim dhe në institucionet e Bashkimit Europian. Samiti i ministrave të Brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve anëtare të BE-së që po mbahet në Luksemburg shqyrtoi dje kërkesën e ministrave të gjashtë vendeve europiane, të cilët kërkojnë mekanizma mbrojtës për të mos lejuar më azilantë ekonomikë nga vendet e rajonit tonë. Kjo kërkesë u mbështet dje edhe nga komisionerja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Sesilia Malstrom. Sipas saj, vendet e Ballkanit kanë abuzuar me sistemin e liberalizimit të vizave, duke e rritur në mënyrë të konsiderueshme numrin e qytetarëve, të cilët kërkojnë strehim të përhershëm në Europë. Ndërkaq, nga ana e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përkatësisht, Serbisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës, kërkohen masa energjike për t’i dhënë fund kësaj situate. Vetë Malstrom deklaroi se më 6 nëntor ajo do të jetë në Tiranë për ta diskutuar këtë çështje, së bashku me ministrat e vendeve të rajonit. Marrja e një vendimi në lidhje me këtë çështje, tashmë i takon Komisionit dhe Këshillit Europian në fillim të vitit tjetër.
Kërkesa
Diskutimi për të rivendosur në mënyrë provizore regjimin e vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor erdhi pas një kërkese të firmosur nga gjashtë ministrat e vendeve të rëndësishme europiane. Kështu, në Samitin e ministrave të Brendshëm Europianë të mbajtur në Luksemburg, ministrat e Belgjikës, Luksemburgut, Gjermanisë, Francës, Austrisë dhe Holandës kërkuan rivendosje të vizave, për shkak të numrit tepër të madh të qytetarëve ballkanikë që kërkojnë të jetojnë në vendet që ata përfaqësojnë. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, kjo kërkesë ka ardhur për shkak të faktit se që nga koha kur vizat janë liberalizuar për Ballkanin, në vendet europiane kanë ardhur më shumë 15 mijë kërkesa për azil. Nga ana tjetër, komisionerja e KE-së, Sesilia Malstrom, deklaroi se situata është bërë shqetësuese nisur nga fakti se vetëm gjatë vitit të fundit, kërkesat për azil janë rritur me 75%.
Zgjidhja
Komisionerja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Malstrom, deklaroi dje nga Luksemburgu, se në fillim të muajit nëntor ajo do të vizitonte Shqipërinë për ta diskutuar këtë çështje me ministrat e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, vendet e rajonit duhet të merrnin masa të menjëhershme për ta ndalur këtë fluks, i cili sa po vinte dhe po shtohej. Komisionerja theksoi se liberalizimi i vizave ishte një mundësi e mirë për të rritur komunikimin në Europë, por situata me kërkesat për azil po përkeqësohej. Tashmë kërkesa e bërë nga gjashtë ministrat e vendeve kryesore të BE-së pritet të diskutohet në Bruksel në institucionet kryesore vendimmarrëse të BE-së. Në vendimin final për këtë çështje pritet të vlerësohen edhe masat që vendet e rajonit tonë do të marrin për të frenuar fluksin e madh të qytetarëve që kërkojnë punë dhe strehim në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Të dhënat
Përfituesit – Grupi i parë i vendeve të rajonit që përfituan liberalizimin e vizave nga rajoni, ishin Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi
Koha – Vetëm një vit më vonë, në dhjetor të vitit 2010, Shqipëria dhe Bosnjë-Hercegovina përfituan gjithashtu një sistem të lirë vizash për në Europë
Romët – Ministrat e Brendshëm të vendeve të Europës dalin në konkluzion se kërkesat më të mëdha për azil politik vijnë nga komunitetet rome, që janë përhapur në të gjitha vendet e rajonit
